Agjencia për promovimin e kulturës "ha" shumë para

  • 10 January 2017 - 08:24
Agjencia për promovimin e kulturës

Musliu: MKRS-ja ka ende punë për të bërë, para se të themelojë Agjencinë 

"Për këtë Agjenci duhen mjete të konsiderueshme materiale, për të cilat MKRS-ja u tregua se nuk ishte e gatshme t'i investonte në vendin tonë, e tani sigurisht bën për të kamufluar situatën dëshpëruese në kulturën tonë dhe propozon këso ide joshëse", ka thënë Ylber Vokshi, shkruan gazeta Kosova Sot

Ministria e Kulturës planifikon që të themelojë një Agjenci për promovim të kulturës së Kosovës, sidomos në arenën ndërkombëtare. Kjo madje mund të ndodhë edhe gjatë këtij viti, nëse Qeveria do të miratojë një kërkesë të tillë. Detyrat, që do të marrë kjo agjenci do të jenë të shumta, por primarja do të jetë promovimi dhe afirmimi i artit dhe kulturës kosovare edhe jashtë vendit, dhe të kryejë një mision të ngjashëm me atë që sot e kryejnë shumë institute apo OJQ të huaja në Kosovë, duke e promovuar kulturën e Kosovës në vende të ndryshme përmes kontakteve, bashkëpunimeve, e aktiviteteve të tjera. Por, themelimi i kësaj agjencie ende mbetet në fillet e saj. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të MKRS-së gjatë ditës së djeshme, e (hënë) lidhur me themelimin dhe punën që duhet të bëjë kjo agjenci, emërtimin dhe kohën e funksionimit të saj. Në anën tjetër, njohës të zhvillimeve kulturore në vend janë shprehur skeptikë rreth kësaj iniciative, pavarësisht se funksionimi i saj do të ishte në interes të shtetit të Kosovës.

Kryeqyteti pa sallë koncertale

Por, kur kihet parasysh funksionimi i sektorit të kulturës, vështirësitë, dilemat dhe para së gjithash gjendja aspak e mirë e institucioneve kulturore, themelimi i një agjencie për promovime kulturore del të jetë shumë sfiduese për MKRS-në. Në një prononcim për "Kosova Sot", Ylber Vokshi ka thënë se duhet të ishte inkurajuese ideja për themelimin e Agjencisë për Promovimin e Kulturës së Kosovës, e cila do të bënte promovimin e tërë asaj që ndodh në fushën e kulturës tek ne. "Në këtë fazë 17-vjeçare "tranzicioni", ku pak rëndësi i është kushtuar jetës kulturore, kjo tingëllon anakronike dhe e pajustifikueshme, edhe se mendoj që ekzistimi i kësaj agjencie duhet të ishte i mirëseardhur. Për këtë duhen mjete të konsiderueshme materiale, të cilat MKRS-ja u tregua se nuk ishte e gatshme t'i investonte në vendin tonë, e tani sigurisht për të kamufluar situatën dëshpëruese në kulturën tonë propozon këso ide joshëse", ka thënë ai. Vokshi ka shtuar se si mundet të arsyetohet se kryeqyteti i shtetit nuk e ka një sallë koncertale, ku duhej të prezantoheshin aktivitetet e ndryshme kulturore.

Disa objekte veprojnë në kushte mizore

Lojërat e ulëta, sipas tij, me ndërtimin e objektit të Operës së Kosovës janë për çdo kritikë, kurse Trupa e Filarmonisë, Baletit dhe Teatrit të Kosovës veprojnë në kushte mizore. Vokshi shprehet se situata nuk është më e mirë edhe në institucionet e tjera të kulturës në tërë Kosovën."Mirë e thotë një fjalë e vjetër popullore: 'Së pari rregulloj punët në shtëpinë tënde e pastaj'...E kështu kjo iniciativë është e pakuptueshme, me siguri ka ndonjë prapavijë të dyshimtë, të cilën do ta vërejmë më vonë,si në shumë raste tjera këto vite", ka thënë ai. Kurse regjisori Mahir Musliu është shprehur se kjo do të ishte një ide e mirë, sikur gjendja në kulturë të kishte qenë rezultative. Ndërsa, kështu si janë punët tani, sipas Musliut, një përpjekje për ta bërë një gjë të tillë kishte për të qenë gabim i madh. Musliu thotë se MKRS-ja ka ende punë për të bërë, që pastaj të ketë sukses në ide të tilla çfarë është themelimi i një Agjencie për promovime kulturore. "Ministria e Kulturës duhet të përpiqet që në mënyre të vazhdueshme ta rrisë buxhetin vjetor, dhe së paku t'i rrisë përgjysmë objektivat financiare të institucioneve kulturore dhe federatave sportive, të cilat i kemi me bollëk, që janë të suksesshme, por vuajnë për mungesë buxheti", ka thënë regjisori Musliu.  

(Kosova Sot)