‘La La Land’ fiton numrin rekord prej shtatë Globeve të arta

  • 10 January 2017 - 17:03
‘La La Land’ fiton numrin rekord prej shtatë Globeve të arta

GLOBI I ARTË 2017

"Moonlight" fiton në kategorinë e dramës më të mirë

Vëmendjen e mbrëmjes e tërhoqi Meryl Streep, me kritikat që ia bëri Donald Trump-it
Ryan Gosling dhe Emma Stone fitojnë në kategorinë e aktorit dhe aktores më të mirë, derisa Damien Chazelle fiton në kategorinë e regjisorit më të mirë. Por, vëmendjen e mbrëmjes e tërhoqi Meryl Streep, me kritikat që ia bëri Donald Trump-it. Filmi "La La Land" vazhdon suksesin e tij të pandalshëm, gjatë rrugëtimit të tij kah 'Oskari', me numrin rekord të çmimeve 'Globi i artë', duke përfshirë edhe kategorinë e aktorit dhe aktores më të mirë - Ryan Gosling dhe Emma Stone - si dhe në kategorinë e regjisorit më të mirë - Damien Chazelle - por, filmi "Moonlight" - i cili disi ishte tallur gjatë tërë mbrëmjes, në shtëpi çoi shpërblimin në kategorinë e dramës më të mirë. Ajo çka mësuam nga "Golden Globes", është se Meryl Streep fiton gjithmonë derisa Ryan Gosling nuk dështon kurrë.

Një natë madhështore edhe për talentet britanike

Por, momenti që bëri më së shumti përshtypje, ishte ai gjatë të cilit Meryl Streep kritikoi Donald Trump-in, për shkak se ky i fundit kishte përqeshur dhe tallur gazetarin me aftësi të kufizuar të "New York Times", Serge Kovaleski. Ky moment solli një heshtje në një mbrëmje e cila përndryshe ishte tepër gazmore dhe e hareshme. Kjo ishte një natë madhështore edhe për talentet britanike, ku sidomos ekipi i aktorëve të filmit "The Night Manager" patën një mbrëmje të veçantë - Tom Hiddleston, Olivia Colman dhe Hugh Laurie, që të gjithë këta morën shpërblime. Pati edhe momente të befasive të mëdha, sikur që është ai kur aktori Aaron Taylor-Johnson fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë dytësor, meqë në këtë kategori ishte pritur që të fitonte Mahershala Ali. Kishte edhe tronditje të tjera, të mëdha, duke përfshirë edhe fitoren e Isabelle Huppert për performimin e saj në komedinë kontroverse të Paul Verhoevenit, "Elle". Ky film fitoi edhe në kategorinë për filmin më të mirë në gjuhë të huaj. Në një fjalim emocional, Gosling falënderoi gruan e tij, aktoren Eva Mendes, për mbështetjen që ia dha. "Derisa unë vallëzoja dhe i bija pianos, duke përjetuar njërin prej momenteve më të mira që kam përjetuar në një film, gruaja ime merrej me rritjen e vajzës tonë, ishte shtatzënë me fëmijën tonë të dytë dhe i ndihmonte vëllait të saj që ta fitonte betejën kundër kancerit". 

Performanca e Jimmy Fallonit ishte një dështim i madh

Përkundër një publiciteti të madh negativ për pretendimet rreth keqtrajtimit seksual, që ishin bërë në vitin 2010, Casey Affleck fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë në dramë. Edhe Viola Davis po ashtu vazhdoi vargun e saj të fitoreve me rolin e saj në filmin "Fences", në kategorinë e aktores më të mirë dytësore. Befasitë vazhduan edhe në kategoritë televizive, ku fitoi seria e Donald Gloverit, "Atlanta". Vetë Glover fitoi në kategorinë e aktorit më të mirë në një seri TV. Më herët, atë mbrëmje, Tracee Ellis Ross u bë femra e parë zezake që fitoi këtë shpërblim si aktorja më e mirë kryesore në një komedi, që nga viti 1983. Filmi "The People v OJ Simpson" vazhdoi serinë e vet të fitoreve, me aktoren Sarah Paulson që fitoi në kategorinë e aktores më të mirë në një miniseri, apo film TV, derisa dramatizimi i Ryan Murphyt i procesit gjyqësor kundër OJ Simpsonit po ashtu fitoi në kategorinë e miniserisë, apo filmit më të mirë TV. Por, performanca e Jimmy Fallonit ishte një dështim i madh.

(Kosova Sot)