S’ka fonde të mjaftueshme për Teatrin e Operës dhe Baletit

  • 11 January 2017 - 08:25
S’ka fonde të mjaftueshme për Teatrin e Operës dhe Baletit

Disa qindra mijëra euro nuk mjaftojnë për finalizimin e projekteve grandioze

Për vite me radhë institucionet shtetërore vazhdimisht premtuan se shteti do të nisë seriozisht investimet në infrastrukturën kulturore. Por, as gjatë vitit të kaluar e as në vitet e mëpasshme nuk u bë gjë në këtë drejtim. As këtë vit nuk pritet të ketë ndonjë ndryshim në këtë drejtim. Zyrtarë të Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve kanë premtuar se gjatë këtij viti do të nisin së zbatuari projekte serioze, por përfaqësues të komunitetit artistik janë skeptikë lidhur me premtimet e ministrisë. Edhe zyrtarët e MKRS-së e pranojnë se duhet një vëmendje më e madhe e vetë Qeverisë për ta bërë vendin me infrastrukturë kulturore, shkruan gazeta Kosova Sot

Kërkohet përgjegjësi për 'gropën' e Teatrit të Operës dhe Baletit

Në një prononcim për "Kosova Sot", zyrtarë nga Departamenti i Kulturës në MKRS kanë thënë se ministria parash që gjatë tri viteve të ardhshme të ndajë miliona euro për ndërtimin e dy prej projekteve kapitale të nisura vite me radhë, atë të Teatrit të Operës dhe Baletit "Dr. Ibrahim Rugova" dhe Muzeut të Arteve Bashkëkohore. Por, bazuar në mundësitë financiare, MKRS-së do t'i duheshin vite të tëra për ta bërë vendin me këto dy objekte kapitale. Në anën tjetër, për njohësit e zhvillimeve kulturore në vend, nevoja për infrastrukturë kulturore është shumë e madhe. Publicisti dhe krijuesi, Shaqir Foniqi, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se arti s'bëhet në rrugë, por kërkohen objektet adekuate. "P. sh., a mund të paramendohet një shfaqje pa skenë, një film pa kinema, një lojë futbolli pa stadium, ose si shkohet nga një qytet në tjetrin, pa rrugë? Pra, objektet janë të domosdoshme", ka thënë Foniqi, duke shtuar se ka shumë kohë që flitet për një objekt grandioz kulturor. "Madje ishte hapur edhe një gropë për Teatrin e Operës dhe Baletit, por nuk u bë kurrë. Paratë u tretën, kurse gropa mbeti", është shprehur Foniqi, duke shtuar se është për të ardhur keq dhe se "për këtë dikush duhet së paku të turpërohet për premtimet e bëra, që po del se ishin rrena". "Duket se gënjeshtrat dhe premtimet janë bërë si lojëra fëmijësh! Si është e mundur që MKRSsë t'i merren, ose t'i teprojnë mjetet, ndërkohë që objektet e kulturës i ngjasojnë kasabave të hershme. Pra, arsyetime nuk ka, ose, ndonjë arsyetim eventual, për mua nuk është bindes dhe vazhdoj të dyshoj në vullnet, guxim dhe dije për ta bërë këtë", ka thënë ai. Foniqi ka vënë në pah gjendjen e keqe dhe të vështirë që po kalon sektori i kulturës dhe përgjegjësinë e atyre që aktualisht e drejtojnë kulturën. "Atyre nuk u bëhet vonë, kurse fakti se kanë premtuar e nuk i kanë realizuar ato premtime, duhet të ndihen të turpëruar, por duket se këtu edhe turpi ka përendur. Papërgjegjësi totale dhe asnjë llogaridhënie", ka thënë Foniqi.

Duhet krijuar rrjeti i kinemave në të gjitha qytetet e Kosovës

Edhe regjisori Mahir Musliu është shprehur se vendi ka nevojë të madhe për infrastrukturë kulturore, sidomos asaj që shërben për zhvillimin e filmit. Ai ka thënë se primare është rifunksionimi, rindërtimi dhe rivitalizimi i gjithë infrastrukturës kinematografike. Kjo, sipas tij, nënkupton që rrjeti i kinemave duhet të jetë funksional në tërë territorin e shtetit tonë, madje ato duhet të jenë funksionale edhe nëpër qyteza. "Kur të bëhet kjo, mund të themi se kemi arritur diçka në këtë drejtim", ka thënë Musliu, duke shtuar se Shtëpive të Kulturës duhet t'u kthehet nami i teatrove dhe ato përnjë- mend të shikohen si institucione, ku zhvillohet kultura e jo të jenë objekte të promovimit politik. "Ato bile është mirë të ndahen në reparte të funksionimit të disiplinave të ndryshme kulturore. Pra, të funksionojë kinemaja, teatri, galeria. Këto që i përmenda janë nevoja imediate dhe thelbë- sore për një bazament të shëndoshë kulturor", ka thënë Musliu.

(Kosova Sot)