Kauçi psikiatrik i Stalinit

  • 16 January 2017 - 12:23
Kauçi psikiatrik i Stalinit

Gerard Depardieu dhe Emmanuelle Seigner luajnë në filmin e aktores së shndërruar në regjisore, Fanny Ardant 

Si njëri nga përbindëshit më të famshëm të shekullit XX, Joseph Stalin, ngjashëm me kolegun e tij të çmendur për nga ideologjia, Adolf Hitler, paraqet një fascinim të madh për biografët dhe krijuesit. Artisti më i fundit që ra viktimë e 'magjisë së tij të zezë' është Fanny Ardant, të njohur më mirë si njëra ndër aktoret më të mira të Francës, për të cilën kjo është hera e tretë që e provon veten edhe si regjisore. Duke pasur parasysh dështimin e saj bindës herëve të kaluara në këtë drejtim (filmi i saj i fundit, ai i vitit 2014 me titull "Obsessive Rhythms", ishte bërë paçavure nga kritikët), na vjen mirë t'iu njoftojmë se aftësitë regjisoriale dhe skenariste të Ardant-es janë përmirësuar dukshëm. Por, a do të jetë në gjendje ky përparim që të ndikojë edhe në një sukses më të madh financiar të filmit të saj të fundit, kjo mbetet për t'u parë. 

Shërbimi i dinte edhe gjërat që as ai nuk i dinte për vetveten

Stalin (Gerard Depardieu) gjendet në njërën nga shtëpitë e tij të pushimeve në Gjeorgji, vendlindjen e vet, e cila është një vilë e epokës barok. Aty atë e ruajnë shumë roje, policë sekretë, etj. Stalini është i rrethuar edhe nga shumë këshilltarë ushtarakë, shërbëtorë, kuzhinierë dhe pastruese dhomash, në ato që ishin ditët e fundit të vjeshtës së vitit 1950. Lufta koreane zhvillohet në ndërkohë, por Stalin është më i preokupuar me kopshtet e tij, apo me dashnoren, Lydia (Emmanuelle Seigner). Ai është i moshuar dhe ka shëndet të keq. Ai sheh ëndrra të këqija, ku shpesh përfshihet edhe gruaja e tij e ndjerë, Nadia. Pasi që kishte lexuar një artikull në revistë rreth kauçit të famshëm psikiatrik të Freudit, ai kërkon nga Lydia që të fillojnë me interpretimin e ëndrrave, duke u bazuar në udhëzimet e librit të Freudit. Ai shtrihej në shtrat, duke ia treguar Lydias ëndrrat e veta, derisa kjo e fundit duhej t'i analizonte ato. Në një pjesë tjetër të pronës, Oleg Danilov (Paul Hamy), artisti i ri më brilant i BRSS-së, është duke pritur një bisedë me Stalinin. Atë e kishte ftuar Lydia, që t'ia prezantonte Stalinit një projekt artistik, i cili do të realizohej për nder të tij në Sheshin e Kuq. Por, në rend të parë, ai duhet të merret në pyetje nga truproja brutale e Stalinit, Vlasik (Francois Chattot), i cili del të dijë çdo gjë rreth Danilovit, duke përfshirë edhe gjërat të cilat as ai nuk i dinte për vetveten. Por, Stalini nuk e pret mirë praninë e aktorit, të cilin e sheh një rival më të ri në lidhje me Lydian... Performanca e Depardieut është në nivel, duke sjellë të gjitha karakteristikat e personalitetit të Stalinit, si paranoja, sadizmi, cinizmi dhe vetmia, të cilat ishin të theksuara sidomos gjatë viteve të fundit të tij. Rolet në këtë film i luajnë: Gerard Depardieu, Emmanuelle Seigner, Paul Hamy, Francois Chattot, Tudor Istodor.

(Kosova Sot)