Librashitësit mërdhijnë, premtimet e Ahmetit i mori era

  • 21 January 2017 - 09:02
Librashitësit mërdhijnë, premtimet e Ahmetit i mori era

Shitësit ambulantë të librit në Prishtinë do të kalojnë edhe ditë të tërë pa shijuar premtimin e kryetarit të Komunës së Prishtinës, për bërjen e tyre me stenda moderne për shitje të librit. Ka vite që Komuna premton për një gjë të tillë, por deri më sot nuk është bërë ndonjë gjë. Pavarësisht se Komuna ka publikuar pamje se si do të duken stendat, ato ende mbeten pa u parë. Premtimi është se shumë shpejt do të gjejë zbatim edhe ky zotim. Megjithatë, gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga zyrtarë të Komunës së Prishtinës rreth vonesave në vendosjen e stendave për librashitësit përgjatë sheshit "Nënë Tereza", numrin e tyre dhe koston e çmimit për përfituesit brenda një muaji. Në anën tjetër, kjo zhagitje në përmbylljen e këtij projekti disavjeçar nuk shihet me sy të mirë nga librashitësit në kryeqytet. Zërat se Komuna do të hapë tender për të përzgjedhur përfituesit, ka shqetësuar librashitësit se dikush nga ta mund të anashkalohet duke mbetur pa stendë, pasi numri i tyre mund të jetë jo më i madh se tetë stenda, shkruan gazeta Kosova Sot

KOMUNA ME TENDER PËR STENDA

Besian Zeneli, shitës librash në sheshin "Nënë Tereza" në kryeqytet, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se çështja e bërjes së tyre me stenda moderne për shitjen e librit në kryeqytet është stërzgjatur jashtëzakonisht shumë. Sipas tij, është për t'u çuditur se si po kalon mandati qeverisës i kryetarit dhe ende premtimi i tij nuk është vënë në vend, pasi sipas Zenelit, ai e kishte premtuar një gjë të tillë kur mori në dorë qeverisjen e kryeqytetit. "Çdo kritikë apo kërkesë tashmë është konsumuar, sepse kryetarit iu desh një mandat i tërë dhe ende nuk po arrin të përfundojë një projekt që e premtoi vetë", ka thënë Zeneli. Sipas tij, për shqetësim mbesin edhe deklarimet e zyrtarëve komunalë kohë më parë në media se ata që do të jenë përfitues të stendave apo kioskave dedikuar për shitjen e librit, do të kalojnë përmes një tenderimit publik, ku në garë mund të hyjnë edhe subjekte dhe persona që fare nuk kanë shitur libra në sheshet e kryeqytetit. Sipas tij, ky fakt mund të anashkalojë shitësit që për më se 17 vjet janë prezentë në qendër të kryeqytetit me stenda me libra. Deri tani, ata kanë punuar në kushte të vështira, duke sfiduar edhe motin. "Një projekt, i cili është simbolik për qytetin, por shumë i rëndësishëm për librashitësit në shesh, që aktivitetin e tyre e kanë nisur që nga korriku i vitit 1999, ka qenë ikonë e sheshit, dhe mundësia që ata të lihen anash pa stenda do të ishte jokorrekte, pasi shitësit qëndruan në këtë shesh duke sfiduar motin, protestat, gazin lotsjellës, plumbat e gomës, etj.", ka potencuar Zeneli, duke shtuar se janë ata që kanë krijuar një identitet të ri në zemër të Prishtinës, "Sheshin e Librit". 

PAZAR, NË VEND TË KËNDIT TË LIBRIT?

Ndërkaq, aktori Selatin Ademi ka thënë për "Kosova Sot", se Shpend Ahmeti dhe Drejtoria për Kulturë në Komunën e Prishtinës janë të dështuar komplet. Sipas tij, gjatë këtij mandati të këtij kryetari dhe të kësaj qeverie komunale, kultura është në pikat e fundit. "Dështimi për stenda është se në hapësirat se ku do duhej të vendoseshin stendat, Shpend Ahmeti ka vendosur qoshqe improvizuese", ka potencuar Ademi, duke shtuar se më mirë do të ishte që ajo pjesë të shndërrohet në një kënd të librit sesa, një mini-pazar, duke bastarduar pamjen e kryeqytetit dhe duke bërë të padukshëm librashitësit në shesh. Ka vite të tëra që librashitësve në kryeqytet u është premtuar një kënd libri ku ata do të vendoseshin librat e tyre. U prit gjatë, por deri më sot nuk është bërë asgjë me këtë drejtim, përveç deklaratave të zyrtarëve se shumë shpejt do të kryhet edhe kjo punë. 

(Kosova Sot)