Çmimi "Azem Shkreli" do të ndahet në prag të 17 shkurtit

  • 23 January 2017 - 08:59
Çmimi

Juria do të vlerësojë veprat më të mira të botuara gjatë vitit të kaluar 

Shkrimtarët Eqrem Basha dhe Ibrahim Kadriu janë dy prej kandidatëve kryesorë që do të 'luftojnë' për Çmimin Vjetor për Vepër Jetësore "Azem Shkreli" për 2016. Çmimet kombëtare për letërsinë pritet të shpallen në ditët që vijnë, ndërsa do të ndahen më 10-12 shkurt, në prag të festimeve për ditën e shpalljes së Pavarësisë së Kosovës. Përveç këqyre dy kandidatëve, janë edhe tri propozime të tjera për çmimin "Azem Shkreli" që janë nominuar. Përveç këtij çmimi, do të ndahen edhe 6 çmime tjera vjetore për veprën më të mirë në kategoritë: prozë, poezi, roman, përkthim dhe kritikë-eseistikë, të botuar gjatë 2016. Edhe për këto çmime janë një numër i madh nominimesh të propozuara nga shtëpi botuese të shumta. Gjithçka mbetet në dorë të jurisë, në krye me prof. Anton Berishajn, e cila është e obliguar për të përcjellë gjithë produksionin letrar brenda vitit për përzgjedhjen e fituesve. 

Nominimet për "Azem Shkrelin"

Në garë për të marrë Çmimin për Vepër Jetësore "Azem Shkreli" për 2016, janë 5 kandidatë propozuar nga 6 institucionet shkencore e letrare. Përveç akademik Eqrem Bashës, që është propozuar nga Akademia e Shkencave dhe Arteve, dhe Ibrahim Kadriut, që është propozuar prej tri institucioneve letrare: Pen-Qendra e Kosovës "Piramida" dhe "Beqir Musliu", për të marrë "Azem Shkrelin", janë nominuar edhe Rrustem Berisha dhe Shaip Grabovci nga "Fad" dhe Rushit Ramabaja nga "Orfeu". Kurse për çmimet tjera vjetore janë propozuar një numër i konsiderueshëm i veprave letrare. Çmimet letrare kombëtare "Azem Shkreli" kanë ndikuar dukshëm në shtytjen dhe cilësinë e produksionit letrar në vend. Për studiuesit dhe shkrimtarët tanë, pavarësisht vërejtjeve dhe parregullsive të përcjella që nga themelimi i këtij çmimi, vlerësimi kombë- tar për më të mirin e letrave shqipe në vend ka një rëndësi për vlerësimin dhe kontributin e dhënë nga krijuesit tanë. Reshat Sahitaj, shkrimtar dhe studiuesi i letrave shqipe, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se çmimet kombëtare janë shumë të rëndësishme, sepse aty vlerësohen të arriturat artistike në fushën letrare që zhvillohet në Kosovë. Sipas tij, ky është një vlerësim i krijuesve për kontributin e dhënë në fushën e kulturës. 

Vlerësimi më i mirë është depërtimi në treg i veprës letrare

Sahitaj ka thënë më tej se rëndësia e veçantë është se çmimet vjetore i stimulojnë autorët për të kultivuar dhe zhvilluar aktivitete letrare. "Vlerësimet nga juria profesionale janë një shenjë se autorët vlerësohen për ato që shkruajnë dhe komuniteti artistik si dhe ministria nuk janë indiferentë ndaj atyre shkrimeve, por ata çmohen. Pra, ndikojnë në stimulimin e krijuesve dhe vlerësimin e krijuesve, promovimin e veprave të krijuesve tanë", ka thënë Sahitaj. Edhe shkrimtari Arsim Halili ka thënë se dhënia çmimeve e ka anën pozitive, pasi me këtë vlerësohet dhe stimulohet krijuesi. "Uroj që të tilla çmime të jepen në adresën e duhur, e jo siç jemi mësuar nga dhënia e çmimeve në manifestime letrare. Sigurisht se vlerësimi që bëhet tregon për rezultate individuale të akëcilit shkrimtar. Por, unë nuk mendoj se çmimet brenda Kosovës janë tregues i vetëm i suksesit. Fundja ka shumë krijues që nuk marrin asnjëherë çmime megjithëse kanë rezultate", ka pohuar Halili, duke shtuar se depërtimi i veprave tona përtej kufijve është vlerësimi më i mirë që i bëhet një shkrimtari. Ndërkaq shkrimtari Dan Ibrahimi shprehet se jo gjithmonë këto çmime kanë dhënë rezultatin e duhur. "Çmimet kombëtare për letërsinë kanë ndikuar negativisht, sepse nuk iu kanë dhënë letërsisë dhe shkrimtarëve të vërtetë, por atyre që i ruajnë shtatë pushtete", ka thënë Ibrahimi. 

(Kosova Sot)