Agjenti sekret, i dashuruar pas sporteve ekstreme

  • 23 January 2017 - 20:50
Agjenti sekret, i dashuruar pas sporteve ekstreme
Kritikë e filmit “xXx: Return of Xander Cage”

Vin Diesel rikthehet me rol në pjesën e tretë, të vonuar, të franshizës së këtij filmi të zhanrit aksion

Jo se ishim duke e pritur me ndonjë dëshirë aq të madhe, por sido që të jetë, Vin Diesel i është kthyer rolit të tij të agjentit sekret, të dashuruar pas sporteve ekstreme, i cili e shpëton botën në vazhdimin e tretë, paksa të vonuar, të franshizës “XXX”, të cilën ai e kishte braktisur pas filmit të parë (Ice Cube e kishte zëvendësuar atë në vazhdim të filmit). Duke e plotësuar mandatin, në formë të personazhit të Samuel L. Jacksonit, “për të shqelmuar ca njerëz, për ta marrë femrën dhe për t’u kënaqur”, Dieseli muskulor e bën filmin “xXx: Return of Xander Cage” një film mjaft argëtues, i cili mund të shikohet duke ngrënë kokoshka. Apo, në fakt, vetëm kokoshkat mund të mos iu mjaftojnë, meqë shikimi i skenave të aksionit të këtij filmi, ua nxitë edhe më shumë urinë, duke iu bërë sikur ju jeni ata që digjni kaloritë, e jo aktorët e filmit. Që nga sekuenca e parë e këtij filmi, ku paraqitet Xander duke bërë ski nëpër një xhungël, deri te beteja e tij klimatike, ky është një film i cili kërkon që afër vetes të keni edhe ushqime, si: nachos, hot dog, ëmbëlsira dhe pije jo alkoolike, transmeton gazeta Kosova Sot.

Kemi të bëjmë me një film të regjisorit D.J. Caruso (Disturbia, Eagle Eye), i cili sjell edhe një skenë, në të cilën ish-shefi i Xanderit, Augustus Gibbons (Jackson), tenton ta rekrutojë për organizatën e tij futbollistin brazilian nga jeta reale, Neymar Jr., për t’u vrarë më pas gjatë shpërthimit të një sateliti të rënë.

Merret vesh se ky satelit ishte rrëzuar nga një pajisje, të quajtur Kutia e Pandorës, fotoja e së cilës duhet të përfshihet në përkufizimin e fjalorit të “McGuffin”. Dhe, njeriu i vetëm që mund ta bëjë këtë, është, pa dyshim, Xander Cage, përkundër faktit se ai ka vdekur, apo, të paktën, është i zënë duke luajtur në filmat “Fast and Furious”.

Por, gjërat nuk janë bash kështu. Xander, në fakt, është duke u kënaqur në Republikën Dominikane, ku adhurohet nga popullsia lokale. Ai rikthehet në detyrë nga operativi i CIA-s, Jane Marke (Toni Collette), i cili ia ofron atij një ekip me të vërtetë interesant.

Rolet kryesore të këtij filmi i luajnë: Vin Diesel, Donnie Yen, Deepika Padukone, Kris Wu, Ruby Rose, Tony Jaa, Nina Dobrev, Rory McCann, Toni Collette, Samuel L. Jackson, Hermione Corfield, Tony Gonzalez, Michael Bisping.

 

(Kosova Sot)