Zbulon mundësinë e jetës pas vdekjes

  • 24 January 2017 - 13:21
Zbulon mundësinë e jetës pas vdekjes

KRITIKË E FILMIT "THE DISCOVERY"

Robert Redford, Rooney Mara dhe Jason Segel paraqiten në filmin e regjisorit Charlie McDowell, i cili merret me atë se a ka jetë pas vdekjes, apo jo

Filmi "The Discovery" ka një fillim me të vërtetë mbresëlënës, ku një shkencëtar i dalluar bën me dije ekzistimin e një "plani të ri të ekzistencës", apo thënë më qartë, të jetës pas vdekjes. Duke besuar në këtë zbulim, shumë njerëz fillojnë që të bëjnë vetëvrasje, me qëllim që ta përshpejtonin udhëtimin e tyre në botën tjetër. Tani, çka duhej të bënte bota?Fatkeqësisht, pas një fillimi të mirë, ky film i fantastikës shkencore, ngadalë, por me siguri, e humb involvimin e shikuesve, në vend që ta rriste atë. Një aktrim i mrekullueshëm dhe një film, i cili metafizikën e afron te shikuesit, në fund lë një përshtypje të ndarë, as tepër të fortë, as tepër të butë, apo e keqe, transmeton gazeta Kosova Sot.

Rritja e rasteve të vetëvrasjeve

Filmi i parë i McDowellit, "The One I Love", i cili debutoi në Festivalin e filmit "Sundance" në vitin 2014, po ashtu e kishte këtë problem, që ta ruante interesimin e shikuesve deri në fund. Përkundër të gjithave, filmi "The Discovery" do ta arrijë një sukses më të madh, në mos për asgjë tjetër, atëherë për tematikën e tij, e cila është e vjetër, por mjaft interesante, meqë njeriut, hon e don, i ka interesuar që ta dijë se a ka jetë pas vdekjes dhe, çfarë është ajo jetë. Bindja e fortë e fizikanit të njohur, Dr. Thomas Harbor (Robert Redford), se ekziston një jetë pas vdekjes, shkakton vetëvrasje të shumta, gjë që ndikon te Harbor që ta thellojë studimin edhe më shumë, duke e përdorë veten e tij si subjekt. Aktrimi i Redfordit në skenën fillestare, ku ai bën publik zbulimin dhe pasojat e tij, është njëra ndër gjërat më të fuqishme që ka bërë ai ndonjëherë në botën e aktrimit. Rolet në këtë film i luajnë: Jason Segel, Rooney Mara, Robert Redford, Jesse Plemons, Riley Keough, Ron Canada. Regjisor është Charlie McDowell, derisa skenarin e kanë shkruar: Charlie McDowell dhe Justin Lader.

(Kosova Sot)