Institucionet kulturore i marrin fondet me vonesë

  • 15 February 2017 - 08:53
Institucionet kulturore i marrin fondet me vonesë

MKRS-JA NUK E NDËRRON MËNYRËN E ALOKIMIT TË BUXHETIT AS KËTË VIT

Vazhdon tradita e shpërndarjes "projekt pas projekti" 

"MKRS-ja asnjëherë nuk na ka dhënë buxhetin pjesë-pjesë, por në bazë të kërkesave financiare për projektet e planifikuara. Edhe këtë vit presim të njëjtën mënyrë, por shpresoj që ky alokim të jetë me kohë", ka thënë drejtori Brahimaj

Pavarësisht rritjes së buxhetit, që ka paralajmëruar Ministria e Kulturës Rinisë dhe Sportit për institucionet e saj, edhe gjatë këtij viti alokimi i buxhetit do të vazhdojë me të vjetrën. Zyrtarë të MKRS-së nuk i janë përgjigjur interesimit të gazetës rreth mënyrës së shpërndarjes së buxheti për institucione e saj gjatë 2017. Për vite me radhë, institucionet kulturore vazhdojnë ta marrin buxhetin e tyre, në bazë të një raporti financiar, që paraprakisht e dorëzojnë në MKRS për projektet që kanë në plan të realizojnë. Një formë e tillë është provuar të jetë mjaft problematike për drejtues të institucioneve. Mosaprovimin dhe alokimi me kohë i buxhetit për projekte të caktuara nga ana e ministrisë jo pak herë ka krijuar probleme për realizimin projekteve nga institucionet kulturore. Drejtues të institucioneve kulturore shpresojnë që MKRS-ja të arrijë t'i bëjë institucionet me kode buxhetore, shkruan gazeta Kosova Sot.

Presin alokimin me kohë të fondeve

MKRS-ja nuk i është përgjigjur interesimit të gazetës rreth mënyrës së alokimit të buxhetit të institucioneve nga ana e ministrisë. MKRS-ja disa herë ka bërë përpjekje për të siguruar kode buxhetore për institucionet e saj, me qëllim që buxhetin ta kenë me kohë dhe të ndarë në dy tri këste, por pa mundur të bëjë gjë në këtë aspekt. Zyrtarë të MKRS-së nuk preferojnë të flasin rreth pengesave, që po e pamundësojnë një gjë të tillë, që ishte edhe një premtim i ministrit të Kulturës Kujtim Shala, kur mori drejtimin e MKRS-së. Ahmet Brahimaj, drejtor i Baletit të Kosovës, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se ka marrë njoftimin zyrtar për buxhetin, që i është caktuar institucionit që ai drejton, por, që edhe këtë vit pret ta marrë në bazë të projekteve veç e veç. Ai ka thënë se pret që pavarësisht mënyrës së alokimit, kërkesat e tyre të shqyrtohen me kohë nga ministria. "MKRS-ja asnjëherë nuk na ka dhënë buxhetin pjesë-pjesë, por në bazë të kërkesave financiare për projektet e planifikuara. Edhe këtë vit presim të njëjtën mënyrë, por shpresoj që ky alokim të jetë me kohë", ka thënë drejtori Brahimaj. BKK-ja qysh në nëntor të vitit të kaluar ka bërë planifikimet për repertorin e 2017-s. Brahimaj shprehet se këtë e kanë bërë me qëllim që të eliminohen pengesat që mund të pengojnë alokimin me kohë të buxhetit të kërkuar për projekte të caktuara. Këtë vit, Baleti planifikon të kremtojë edhe 45-vjetorin e krijimit të tij, derisa pritet përgatitja edhe e një monografie, andaj edhe vonesat e mundshme në alokimin e buxhetit mund të krijojnë probleme për realizmin e planeve të këtij institucioni. 

Vonohen projektet 

Enver Rexha, drejtori i Institutit Arkeologjik të Kosovës, ka thënë se këtë vit buxheti e ndarë për institucionin që e drejton ai, do ta marrë në bazë të programit të punës, konkretisht projekteve. "Buxhetin do ta marrim projekt për projekt, duke për fshirë edhe atë për projekte kapitale për të cilat buxheti ndahet vit për vit", ka thënë ai. Pavarësisht se një formë e tillë e buxhetit ndahet për vite me radhë, Rexha ka thënë se mosalokimi me kohë i buxhetit mund të krijojë probleme për menaxhim të projekteve të planifikuara. "Tashmë jemi mësuar me këtë formë të thithjes së buxhetit, por më mirë dhe mbarë do të ishte që buxhetin apo një pjesë të tij ta kishin në fillim të vitit, në muajin janar apo shkurt, pasi veprimtarinë nuk do ta nisim në muajin e pestë. Problemi me buxhetin apo shtyrja e pagesës së projektit mund të na e rrezikojë dhe menaxhimin e projekteve brenda vitit", ka thënë Rexha, duke shtuar se këto janë sfidat që dalin për institutin. Ai ka thënë se sikur Instituti ta kishte buxheti në fillim të vitit, si në muajin janar apo shkurt, atëherë nuk do të prisnin për fillimin e punës në qershor, por do të fillonin menjëherë në fillim të vitit. 

(Kosova Sot)