Edhe në jetën private si indiana jones

  • 17 February 2017 - 09:07
Edhe në jetën private si indiana jones

Aktori Harrison Ford për një fije floku i ka shpëtuar ndeshjes së avionit të tij me një "Boeing 737", plot me udhëtarë

Fluturimi i "American Airlines", me nr. 1546, përsëri qe në gjendje që të ngrihej për në Dallas, vetëm pak minuta pas incidentit, trasmeton gazeta Kosova Sot

Një lajm që mund t'ju ketë ikur thotë se, të hënën, aktori hollivudian 74- vjeçar, për pak i ka shpëtuar një ndeshjeje të avionit të tij me një motor, 'Husky', me një avion udhë- tarësh, të mbushur plot, 'Boeing 737'. Aktori, i cili ka përjetuar një aksident serioz ajror në vitin 2015, është udhëzuar që të ateronte në pistën 20-L në Aeroportin "John Wayne" në Kaliforni. Derisa ishte duke fluturuar me avionin e tij, aktori 74-vjeçar kishte kaluar mbi një avion udhëtarësh të "American Airlines", të mbushur me 100 udhë- tarë dhe me gjashtë pjesëtarë të ekuipazhit. "A do të duhej që ky avion udhë- tarësh të gjendej nën avionin tim"?, kishte pyetur ai kontrollin ajror. Administrata federale e aviacionit (FAA) insiston se kontrollorët i kishin dhënë aktorit udhëzime të sakta për aterrim. Në përkthim, d.m.th. se aktori tentonte të aterronte në vend të gabuar. Fluturimi i "American Airlines" me nr. 1546 përsëri qe në gjendje që të ngrihej për në Dallas, vetëm pak minuta pas incidentit.

Aterrimi i aktorit me të vërtetë kishte qenë i mrekullueshëm

FAA tani ka filluar hetimet, të cilat mund të përfundojnë me një vërejtje ndaj Ford-it, apo me marrjen e plotë të licencës së tij për fluturim. Përfaqësuesit e Fordit nuk kanë pranuar ta komentonin këtë incident. Ford, koleksionues i avionëve klasikë, përgjatë viteve ka pasur disa aksidente ajrore. Rasti më i njohur është ai i vitit 2015, kur mezi aterroi me një avion nga koha e Luftës II Botërore, pasi që motori i avionit u ndal. Gjatë aterrimit të dhunshëm aktori kishte pësuar lëndime të kokës dhe thyerje të dorës. Ford kishte marrë lëvdata për ruajtjen e gjakftohtësisë, përkundër situatës tepër serioze. Publicistja e Fordit, Ina Treciokas, kishte deklaruar se aktori nuk kishte pasur zgjidhje tjetër, pos ta bënte një aterrim emergjent. "Harrison ka qenë një pilot i mrekullueshëm. Nga fakti që ai i mbijetoi këtij aterrimi të dhunshëm, mund të shihet se ai është një aviator i zoti", deklaroi Paul Mitton, producent i një filmi dokumentar rreth dashurisë së Fordit ndaj fluturimit. Eksperti i aviacionit, Rick Dake, kishte deklaruar se aterrimi i aktorit me të vërtetë kishte qenë i mrekullueshëm, duke pasur parasysh natyrën e papërshtatshme të avionëve nga Lufta II Botërore. "Çdo gjë që ai bëri, ishte perfekte", tha ai

Pilotët privatë nuk kanë asnjë kufi moshe

Ford po ashtu pati një aterrim të dhunshëm me helikopter, në vitin 1999, derisa një vit më vonë, ai u detyrua që ta bënte një aterrim të emergjencës në Aeroportin komunal të Nebraskës, "Lincoln". Aktori i prirë për t'u lënduar, ka pasur lëndime edhe në tokë, jo vetëm në ajër. Derisa ishte duke bërë filmin 'Star Wars: Episode VII', ai kishte thyer këmbën. Pasionin e tij për të fluturuar e zbuloi vonë në jetë, por Ford e përqafoi atë me "gusto" dhe fluturoi me të gjithë avionët e koleksionit të tij, sikur që voziti edhe të gjitha veturat klasike të koleksionit që posedon. Aktori kishte 52 vjet kur filloi me leksione të fluturimit. Por, përkundër faktit se është një pilot i zoti, Ford nuk mund të vozitë avion udhëtarësh, meqë aty ekziston mosha obligative e pensionimit, që është 65 vjet. Pilotët privatë nuk kanë asnjë kufi moshe. Kushti i vetëm është që, pilotët më të moshuar se 40 vjet, të bëjnë kontrolle dhe analiza çdo dy vjet. "Fluturimi është si muzika e mirë. Ai ta ngritë shpirtin dhe ta ofrojë një liri stimuluese. Nuk kemi të bëjmë me ndonjë proces që ta rritë adrenalinën, por me një proces i cili kërkon përkushtim", thotë ai. Aktori hollivudian shpesh fluturon nga dhe në rançin e tij në Uajoming dhe ka përdorë helikopterin e tij edhe për t'iu ndihmuar autoriteteve në gjetjen e bjeshkatarëve të zhdukur. Meqë është adhurues i shpejtësive, përpos avionëve dhe veturave, Ford koleksionon edhe motoçikleta, ku posedon më se dhjetë sosh, duke përfshirë disa të markës "BMW", dy motoçikleta "Harley", dy "Honda" dhe një "Triumph". Del se aktori Harrison Ford edhe në jetën reale është aq i krisur, sikur Han Solo, Indiana Jones, apo personazhet e tjera të krisura që i ka luajtur gjatë karrierës së tij të pasur.

(Kosova Sot)