Mungon një film epope për luftën e UÇK-së

  • 18 February 2017 - 09:03
Mungon një film epope për luftën e UÇK-së

SHTETI QË NUK KUJTON TË KALUARËN E VET

"Mungesa e interesimit të skenaristëve për tema të luftës është rezultat i mosvlerësimeve nga komisionet përkatëse mbi tema të tilla, dhe natyrisht secili skenarist drejtohet aty ku ekzistojnë mundësitë për të gjetur fonde", ka pohuar Sahitaj, duke shtuar se është mirë t'ua përkujtojmë komisioneve tona relevante se amerikanët ende vazhdojnë të bëjnë filma mbi luftën qytetare të tyre të zhvilluar në shek XVII, francezët ende bëjnë filma mbi luftën e tyre të zhvilluar gjatë mesjetës e deri në luftën e fundit botërore

Kinematografia kosovare ka dështuar të xhirojë një film epope për luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Pavarësisht faktit, se që nga paslufta shumë filma janë krijuar me tematikë nga ngjarjet e luftës së fundit, ende mungon një film i mirëfilltë për luftën e UÇK-së. Për këtë dështim nuk është fajtor vetëm shteti apo politikat qeveritare për zhvillimin e filmit, por edhe mosgatishmëria e produksioneve vendore për t'ia nisur një ndërmarrjeje të tillë. Për kritikët dhe kineastët tanë mosbërja e një filmi gjithëpërfshirës për luftën e UÇK-së tregon dobësinë e institucioneve në vend për të krijuar një trashëgimi filmike për ngjarjet madhore kombëtare, shkruan gazeta Kosova Sot.

MUNGESA E FONDEVE 

Kritiku Reshat Sahitaj, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se skenaristët dhe regjisorët tanë më shumë janë të përqendruar në projekte nga të cilat mund të përfitojnë materialisht, sesa projekte kombëtare. "Komisionet e ndryshme qeveritare apo ministrore për leximin dhe vlerësimin e skenarëve, dramave, etj., nuk kanë aftësi intelektuale vlerësuese, e ata që kanë janë nën ndikimin e politikës ditore kombëtare dhe ndërkombëtare", ka thënë Sahitaj, duke shtuar se paragjykimet e tilla, se me një skenar mbi luftën nuk do të vlerësohet nga ndërkombëtarët si dhe nga komisionet tona, pa vetëdije skenaristët tanë bien nën ndikim që të trajtojnë tema me karakter lokal e shpesh të lagjes së tyre. "Mungesa e interesimit të skenaristëve për tema të luftës është rezultat i mosvlerësimeve nga komisionet përkatëse mbi tema të tilla, dhe natyrisht secili skenarist drejtohet aty ku ekzistojnë mundësitë për të gjetur fonde", ka pohuar Sahitaj, duke shtuar se është mirë t'ua përkujtojmë komisioneve tona relevante se amerikanët ende vazhdojnë të bëjnë filma mbi luftën qytetare të tyre të zhvilluar në shek XVII, francezët ende bëjnë filma mbi luftën e tyre të zhvilluar gjatë mesjetës e deri në luftën e fundit botërore. Sahitaj ka thënë se nuk duhet të nisemi nga ajo që t'ua bëjmë qejfin dikujt e ta harrojmë historinë tonë. "Duhet të kemi parasysh se një film i mirë për luftën e UÇK-së nuk mund të bëhet me 300 mijë euro, por duhet një buxhet me miliona euro, nëse dëshirojmë film me përmasa botërore", ka pohuar kritiku Sahitaj.

TEJKALIMI I EUFORISË 

Producenti Avni Abazi ka pohuar për "Kosova Sot" se tendenca për realizime filmike mbi temën e luftës se UÇK-së ka pasur vazhdimisht, madje edhe janë realizuar disa filma mbi këtë temë. "Ajo që ka munguar është se nuk ka pasur një koordinim institucional që do të sillte në Kosovë producentë ndërkombëtarë, të cilët do të realizonin diçka profesionale me ç'rast Kosova dhe rrugëtimi i saj për liri të pasqyroheshin më mirë", ka pohuar Abazi. Ai ka thënë se çështja qëndron në politikat e diktuara nga ndërkombëtarët, ku edhe në art ka ndikuar që shumë artistë kosovarë temat e tyre t'i përqendrojnë më shumë në pajtim multietnik sesa në tema që pasqyrojnë të vërtetën. Aktori Naim Berisha ka thënë se ka pasur me dhjetëra tentativa për bërjen e filmave epope për UÇK-në, por fatkeqë- sisht asnjëra nga to nuk kanë arritur që të pasqyrojnë në mënyrë meritore dhe përmbajtësore këtë luftë. "Arsyet për këtë janë të ndryshme, por esenciale është se fatkeqësisht nuk ka pasur një iniciativë serioze, qoftë nga artistët, qoftë nga institucionet dhe ata në dorën e të cilëve janë mjetet financiare, për realizimin e projekteve filmike", ka thënë Berisha, duke shtuar se tema e luftës është gjithmonë frymëzuese. "Ne nuk duhet të harrojmë se në dekadën e parë të pasluftës, të shtyrë nga euforia janë financuar projekte të cilat jo vetëm që kanë lënë shumë për të dëshiruar, por kanë qenë më shumë projekte klishe dhe të realizuara dobët, qoftë në skenarë, qoftë si realizime teknike dhe regjisoriale", ka pohuar Berisha. Sipas tij, tani që kjo eufori ka filluar të kalojë, dhe është koha e duhur që të merret iniciativa për realizimin e një projekti të tillë.

(Kosova Sot)