Për 9 vjet, më shumë suksese nga individët sesa nga shteti

  • 19 February 2017 - 13:26
 Për 9 vjet, më shumë suksese nga individët sesa nga shteti

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Përjashto dy-tri suksese individësh në kinematografi dhe muzikë jashtë vendit, nuk kemi me se të krenohemi tjetëR

Sikur në shumë përvjetorë festash, nga logjika e të operuarit të sotëm global, sidomos me nocione të ekonomisë, shfaqet nevoja për një bilanc përfundimtar. Për 9 vjet shpallje të Deklaratës së Pavarësisë, sa transformuam politikat kulturore në dobi të zhvillimit artistik, letrar, gjuhësor e kulturor në përgjithësi? Sa avancuam në hartimin e ligjeve për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore? Sa ndryshuam dhe plotësuam ligje në mënyrë që të ketë avancime kulturore, organizime më cilësore, ngjarje kulturore dhe të ketë jetë më të pasur kulturore në nivel vendi? Sa lehtësuan Ministria për Punë të Jashtme dhe Ministria për Diasporë që artistët kosovarë të kenë aktivitete jashtë vendit dhe sa artistë nga diaspora patën aktivitete kulturore brenda Kosovës apo jashtë saj, duke u ndihmuar edhe nga këto dy ministri? A u bë liberalizimi i vizave përkundër premtimeve të përvitshme të udhëheqësisë kosovare dhe artistët të mos kishin përvoja në refuzim vizash, vonesa procedurale dhe lloj-lloj pengesash të tjera? Përjashto dy-tri raste të rëndësishme në aspektin e politikave legjislative kulturore, apo dy-tri suksese individësh në kinematografi dhe muzikë jashtë vendit, nuk ka arsye aq për të qenë me bilanc pozitiv për shtetin dhe drejtuesit e saj nga 17 shkurti 2008 rreth politikave kulturore në tërësi.

LIGJET KULTURORE PARA DHE PAS DEKLARATËS SË PAVARËSISË 2008

Ligji i ri për teatrot ishte bërë në vitin 2011, tri vjet nga Deklarata e Pavarësisë dhe kishte shfuqizuar Ligjin e vjetër të teatrit të vitit 2005. Pavarësisht se u bënë 6 vjet nga ligji ekzistues për teatrot, nuk u ndryshua dhe plotësua, lidhur me shumë vërejtjet që janë dhënë ndaj këtij ligji dhe shpesh është bërë shkas për hedhje përgjegjësie mbi teatrot e qyteteve, herë në komuna, herë në Ministri për Kulturë, Rini dhe Sport (MKRS). Nuk kanë mjaftuar as 6 vjet të mos rishikohet dhe të ndryshohet, në mos të bëhet krejtësisht një ligj i ri për teatrot. Nuk them se ligjet duhet ndryshuar aq shpesh, por jo edhe të mos jenë të lëngshme kur shkruhen e miratohen të mos jenë të zbatueshme, ose që nuk avancojnë mirëqenie kulturore. Ligj tjetër me rëndësi të veçantë është Ligji për trashëgiminë kulturore. Dy ligjet e shpallura në faqen e Kuvendit të Kosovës, mund të shihen se janë që nga koha e administrimit nga UNMIK-u dhe janë para Deklaratës së Pavarësisë së Kosovës, përkatësisht ligji u miratua në vitin 2006. Bile të ndryshohej e të hiqej logo e UNMIK-ut, e lëre më që ka edhe nevojë për ndryshimin e përmbajtjes së tij në disa aspekte! U bënë 11 vjet nga ligji i vjetër dhe 9 vjet nga Deklarata e Pavarësisë, por Ligji për trashëgiminë kulturore nuk ndryshoi. Nuk ndryshoi as Ligji për institucionet e kulturës, i themeluar që në kohën e UNMIK-ut, vitin e ngjashëm me ligjin e sapopërmendur. Ligji për Ansamblin Kombëtar Shtetëror të Këngëve dhe Valleve "SHOTA" dhe për Ansamblet e Tjera ishte miratuar në vitin e Deklaratës së Pavarësisë, 2008, dhe pas 5 vjetësh, sërish u bë Ligji tjetër i ri, i quajtur "Për Ansamblin Kombëtar të Këngëve dhe Valleve "Shota" dhe për Ansamblet e Tjera". Dallimi i një neni për financim, megjithatë mbetet pozitiv. Për shembull, me Ligjin e vitit 2008, Neni 52, dhe veçmas Neni 53, mjegullonin dhe përgjithësonin paksa përgjegjësinë e financimit të "Shotës": "1. Mjete për punën e ansambleve publike sigurohen nga: 1.1. buxheti i MKRS; 1.2. buxheti komunal; 1.3. të hyrat vetjake të realizuara nga veprimtaria artistike; 1.4. sponsor, donatorë,dhurata dhe të hyra tjera." Ndërsa me Ligjin e vitit 2013, Neni 22, financimi është i definuar më qartë dhe i jep siguri më të madhe financiare ansamblit "Shota", sikur për institucionet e tjera kombëtare kulturore: "1. Ansambli "Shota" financohet nga Ministria përkatëse për Kulturë. 2. Ansambli "Shota"ka kod të veçantë buxhetor dhe i menaxhon vetë financat e veta. 3. Ansambli "Shota" financohet dhe nga burimet tjera financiare në pajtim me legjislacionin në fuqi." Për dallim nga faqja e Kuvendit të Kosovës, në faqen e ministrisë, akoma figuron projektligji për ansamblet dhe ka nevojë për rifreskim të faqes, duke e vënë Ligjin e ri për ansamblet. Ligji mbi Filarmoninë, Operën dhe Baletin po ashtu është dy vjet para Deklaratës së Pavarësisë dhe nuk e ka ndryshuar bile logon e UNMIKut sikur disa ligje të tjera. Ka ndryshuar Ligji për ansamblet dy herë brenda 9 vjetësh nga 17 shkurti 2008, por jo edhe Ligji për Filarmoninë, Operën dhe Baletin! Është aty një nen rreth financimit, që të paktën do të duhej të ndryshohej dhe plotësohej ky ligj, në mos të bëhet një krejtësisht i ri. Nenet 68 të këtij ligji flasin për financimin. "Mjetet e nevojshme themelore dhe financiare për punën, aktivitetet dhe veprimtarinë e Filarmonisë, Operës dhe Baletit të Kosovës sigurohen nga Buxheti i Kosovës, në zëra të veçantë. Me mjetet nga Buxheti i Kosovës financohet veprimtaria e Filarmonisë, Operës dhe e Baletit…" Këtu mund të bëhet sikur për ansamblin "Shota", ku mund të shkruhet se buxheti vjen direkt nga MKRS-ja, të ketë kodin e vet buxhetor vjetor, e tjerë e tjerë. Përtej nevojës për ndryshim apo plotësim-ndryshim të Ligjit për Filarmoninë, Operën dhe Baletin, edhe pas 9 vjetësh nga shpallja e Deklaratës së Pavarësisë, nuk e kemi shtëpinë e nisur dhe të papërfunduar kurrë të operës dhe të baletit. Është e pabesueshme të shpenzohen sikur është thënë miliona euro, ndërsa akoma objektit nuk i dihet drejtimi dhe koha e përfundimit. E kam thënë disa herë se nëse do të kishim sundim të ligjit, prokuroria domosdoshmërisht do të duhej ta hetonte krejt procesin nga shumë ministra të kulturës dhe të kuptonim se si janë shpenzuar të gjitha mjetet financiare të alokuara për objektin e operës dhe baletit! Vonesat dhe zvarritjet kanë dëmtuar rëndë veprimtarinë e Filarmonisë, Operës dhe Baletit, por edhe vetë buxhetin e varfër të Kosovës. Filarmonia e Kosovës në shenjë proteste do të duhej ta organizonte një koncert në rrugë dhe do të ishte protesta më artistike, si shenjë e revoltës për mungesë të kushteve për koncerte dhe zvarritjen e ndërtimit të objektit të saj! Nuk duhet heshtur dhe të duken aq të 'edukuar e të vetëpërmbajtur', por të bëjnë më shumë presione ndaj MKRS-së, pa frikën se mund të hakmerret ministria për financimin e aktiviteteve të tyre vjetore! Le ta kuptojnë drejtuesit e Filarmonisë, Operës dhe Baletit, se mjetet financiare që marrin nuk janë të ministrisë, por të neve si taksapagues!

LIGJI PËR KINEMATOGRAFINË NGA VITI 2004

U bënë 13 vjet që mbetet Ligji për Kinematografinë, nga viti 2004. Për aq shumë vjet para dhe pas Deklaratës së Pavarësisë, ligji nuk pësoi ndryshime, megjithëse ndryshuan shumë struktura e ngjarje kinematografike. Aq shumë është thënë se ky ligj së shpejti do të ndryshonte dhe do të bëheshim me ligj të ri, sakaq edhe kjo qeveri gati po e përfundon mandatin dhe nuk e kemi ligjin e ri mbi kinematografinë. Në anën tjetër, janë përmendur disa nene problematike dhe që kanë për synim vetëm tjetërsimin e pronave të Kosova Filmit, sakaq edhe po qe se mbetet i vjetri, nëse nuk bëhet ligji i ri për të zhvilluar kinematografinë, por vetëm si qëllim final ka tjetërsimin e pronave të Kosova Filmit, ndashtë të ngelim me të vjetrin nga koha e UNMIKut! Ministri e kishte rikthyer mbrapa ligjin dhe të shohim në muajt e ardhshëm se si do të miratohet ky ligj.

LIGJI PËR SPONSORIME, SI LIGJI MË I MIRË NGA VITI 2008

Ligji për Sponsorizime në Fushën e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, i miratuar në dhjetorin e vitit 2016, 8 vjet nga Deklarata e Pavarësisë, është ligji më ndihmues dhe më inkurajues për financimin e aktiviteteve kulturore. MKRS-ja mund të kritikohet edhe për vonesën që e ka bërë për aq shumë vjet dhe nuk e dërguar për miratim, apo edhe për të mos bërë një fushatë informuese me komunitetin e artistëve e sportistëve rreth këtij ligji, por miratimi i këtij Ligji, mbetet ndër ligjet më të dobishme dhe më të mira që nga Deklarata e Pavarësisë rreth kulturës. Nuk është ligj që s'ka dobësi, por në principe të përgjithshme, u mundëson artistëve, të rinjve dhe sportistëve të mos duken si lypsarë donacionesh, por i bënë partnerë me bizneset, duke qenë interesi reciprok për financimin e një aktiviteti kulturor apo sportiv. Këtë ligj duhet mirëmbajtësit e faqes zyrtare të Kuvendit të Kosovës, ta publikojnë sikur i kanë postuar edhe ligjet e tjera në bazë të emrit apo shkronjës së parë, pasi që nuk gjendet në shkronjën 's' të Kuvendit, ndërsa mund të gjendet në faqen zyrtare të MKRS-së. Ligji tjetër që po ashtu ka rëndësi të veçantë, gati se ngjashëm apo në mos më shumë se ai për sponsorime, i miratuar 3 vjet pas Deklaratës së Pavarësisë, është Ligji për Drejtat e Autorit dhe të Drejtat e Përafërta. Arsyeja pse nuk e bëmë më përpara Ligjit për sponsorime është se edhe pas aq shumë vjetësh të miratimit të ligjit, zbatimi i tij është mjaft i dobët, me shumë paqartësi kompetencash dhe adresash. Nuk është pa rezultate fare, por mbetet shumë larg standardeve ndërkombëtare të zbatimit. Përveç ligjeve të vjetra për plotësim dhe ndryshim, ka nevojë edhe ligje të reja të cilat nuk kanë qenë kurrë më parë në Kuvendin e Kosovës. Për shembull, në Shqipëri kemi ligjin për muzetë dhe një të tillë mund ta kemi edhe në Kosovë. 

"HOME", "SHOK", SI SUKSESE NDËRKOMBËTARE

Akademia britanike e Arteve të Filmit dhe Televizionit (BAFTA) ka një histori të gjatë të themelimit që nga pas Lufta e Dytë Botërore dhe qëndron me prestigj të lartë global edhe për kinematografinë. Shumë aktorë, regjisorë e të tjerë, të cilët do të mund t'i shohim edhe në ngjarjen e çmimeve për Oscar, janë të pranishëm edhe në ngjarjen e organizuar nga BAFTA. Gjatë këtij viti, bash në prag të përvjetorit të nëntë të pavarësisë, filmi i shkurtër "HOME", mori çmimin si filmi më i mirë në BAFTA. Pavarësisht se regjisori është britanik, në këtë sukses kanë hise edhe aktorë e producentë kosovarë. Prezenca edhe fizike e shqiptarëve nga Kosova në këtë ceremoni, po ashtu ishte lobim edhe për vlerat kulturore dhe kinematografike kosovare. Është për të bërë më shumë investime regjisorët kosovarë dhe të shtojnë kreativitetin, në mënyrë që filmat e tyre të kenë këso suksesesh. Ndryshe do të ishte lajmi mbi regjisorin kosovar, e ndryshe mbi regjisorin britanik. Sikur edhe për suksesin e nominimit të filmit të huaj "Shok" për Oscar, edhe në filmin "Home", kemi një bashkërealizim britanik-kosovar, por jo vetëm kosovar. Prandaj, suksesi i ardhshëm mbetet nëse do të ketë një prodhim dominues kosovar, pavarësisht se nuk është pak edhe si bashkëpunim dhe secili film artistik, tejkalon çdo nacionalizëm dhe etatizëm, pasi mbetet ngjarje universale njerëzore. Por ngjarjet më kulmuese në depërtimin ndërkombëtar, që nga shpallja e Deklaratës së Pavarësisë në vitin 2008, mbetet çmimi 2017 nga BAFTA për filmin "HOME" me protagonistë edhe kosovarë, nominimi i filmit të shkurtër "SHOK" për OSCAR 2016 po ashtu me kosovarë, dhe si sukses të jashtëzakonshëm individual por me lobim kulturor po ashtu për Kosovën, mbetet pop-artistja kosovare Era Istrefi, pa harruar edhe disa koncerte shumë cilësore të muzikës klasike nga pianistja kosovare Ardita Statovci e të tjerë. Edhe pjesëmarrja e Filarmonisë së Kosovës dhe disa këngëtarëve shqiptarë në koncertin për "Nënën Terezë" në Vatikan është për t'u shënuar si ngjarje me rëndësi ndërkombëtare kulturore për 9 vjet pavarësi. Por, në krejt këto suksese, individët janë bërë shumë më të fuqishëm se vetë shteti i Kosovës, duke përfshirë edhe shembullin e suksesit individual të Majlinda Kelmendit në xhudo! Shteti kosovar në mos gjë tjetër, e ka obligim primar të bën politika të mirëfillta kulturore dhe Qendra Kinematografike Kosovare po ashtu të jetë me menaxhim më efikas, mentalitet më tjetërqysh të mënyrës së punës dhe më korrekt gjatë krejt procesit të konkursit për projektet filmike konkurruese!

(Kosova Sot)