Mungojnë skenat alternative në kryeqytet

  • 22 February 2017 - 08:56
Mungojnë skenat alternative në kryeqytet

Komuna nuk ndihmon teatrin "Dodona" dhe teatrin "Oda",shkruan gazeta Kosvoa Sot.

S kena teatrore në vend vazhdon të përballet me vështirësi të ndryshme. Kjo ka ndikuar që skenat teatrore alternative të vazhdojnë të mbesin vetëm si ide, pa mundur të konsolidohen, për të shpënë përpara zhvillimin e teatrit në vend. Kjo ndodh, pasi nuk ka strategji të mirëfilltë afatgjate për zhvillim të kësaj skene. Në një prononcim për "Kosova Sot" producenti dhe aktori Avni Abazi ka thënë se që nga paslufta ka munguar vullneti politik, që të bëhet një strategji kombëtare për teatrot në Kosovë. Abazi ka thënë se Kosova ka shtatë teatro profesionale në shtatë qendrat kryesore të vendit, duke përfshirë edhe Teatrin Kombëtar të Kosovës si teatrin e tetë. Sipas tij, të gjitha këto teatro kanë ansamblin me të paktën dhjetë aktorë si dhe këshillat drejtuese. Sipas tij, në shumicën e komunave drejtorët e kulturës janë njerëz të politikës dhe as që e kanë idenë e aspekteve specifike, që teatri ka si specifikë. "Pranë këtyre drejtorëve janë afruar aktorë shumë të dobët dhe servilë, të cilët qoftë për inate personale, qoftë për mungese të dijes bazike në teatër, bllokojnë zhvillimin e teatrove në qytetet kryesore të Kosovës. Një strategji kombëtare mbi teatrot, duke zbatuar Ligjin për teatrot do të rriste konkurrencën dhe si rrjedhojë do zhvendosej përqendrimi nga Prishtina", ka pohuar Abazi, duke shtuar se për të ndodhur këto duhet të këtë në radhë të parë vullnet nga komuniteti i artisteve, derisa politika duhet të heq dorë nga teatri. Sipas tij, MKRS-ja duhet të koordinohet me komunat, në mënyrë që në fillim të çdo viti teatrot në këto qytete të kenë buxhetin për tëre vitin kalendarik. "Kjo do të bënte që teatrot të mund të planifikonin repertorin e tyre dhe si rrjedhojë subvencionet e ministrisë do të ndaheshin për teatrin alternativ në tërë Kosovën. Në këtë mënyrë do kishim skenë të zhvilluar alternative dhe tetë teatro stabile e të konkurrueshme", ka thënë Abazi.

Më shumë aktivitete kulturore kishte në kohën e okupimit sesa tani

Kritiku dhe studiuesi Reshat Sahitaj ka thënë se më vetdëshirë politika kosovare, si ajo qendrore, edhe ajo lokale e kanë përmbysur jetën kulturore e veçmas zhvillimin dhe kultivimin e skenës teatrore. Ai ka tërhequr një paralele mbi jetën teatrore që nga viti 1950 e deri në ditët e sotme që është zhvilluar në Kosovë. Sipas Sahitajt, edhe gjatë viteve nën okupim, Kosova kishte ndërtuar në çdo qytet dhe qytezë nga një shtëpi të kulturës. "Çdo shkollë e mesme në Kosovë kishte grupin dramatik nga të cilët grupe dolën aktorë e aktore të njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe në Holivud, siç është rasti i Bekim Fehmiut, i cili karrierën e tij e filloi në dërrasat e shtëpisë se kulturës në Prizren", ka thënë Sahitaj, duke shtuar se prej pasluftës, qeveria qendrore dhe ajo lokale nuk kanë bërë asnjë projekt në këtë aspekt, përkundrazi i kanë djegur ose shkatërruar ato shtëpi të kulturës që shërbenin jo vetëm si kinema, koncerte dhe si teatër, siç është rasti i shkatërrimit të shtëpisë se kulturës në Suharekë e vende tjera. Sa i përket varfërisë teatrore nëpër komunat e Kosovës, ai lë fajtor qeveritë lokale. "Mendoj se problemi qëndron te naiviteti dhe analfabetizmi i kryetarëve të komunave dhe deputetëve komunalë, të cilët jo vetëm që nuk kanë lexuar asnjë libër dhe është e tepërt të thuhet se nuk e kanë parë asnjë shfaqje. Andaj të pretendosh që nga kjo shtresë analfabetësh të krijojmë teatro komunale në tërë Kosovën është ide që truri i tyre nuk e percepton, sepse truri i tyre është i përqendruar vetëm në përfitime materiale personale", ka pohuar Sahitaj.

Ademi: Shpend Ahmeti ia ka humbur lezetin që ka pasur 'Dodona'

Duke folur rreth jetës teatrore në kryeqytet dhe mungesës së skenave alternative, aktori Selatin Ademi, ka thënë se në kryeqytet skena teatrore në këto tri vitet e fundit është mjaft e varfër. Sipas tij, nuk është ndihmuar sa duhet teatri i qytetit "Dodona". Sipas tij, shfaqjet që janë punuar, shumica prej tyre kanë qenë iniciativa vetjake ose të financuara nga MKRS-ja me pagesa të ulëta. Sipas Ademit, Komuna e Prishtinës, plot 3 vjet skenën teatrore në Prishtine e ka vu në një rrugë qorre. "Këto tri vite Shpend Ahmeti ia ka humbur lezetin që ka pasur 'Dodona', duke ia humbur primatin e teatrit që ka pasur vite më herë, bile duke mos ia alokuar buxhetin që vetë komuna ia ka ndarë këtij teatri", ka thënë Ademi. Sipas tij, politikat e gabuara komunale me kulturën e kanë goditur skenën teatrore në kryeqytet. Ai ka përmendur për të mirë punën që bën teatri "Oda', i cili, sipas tij, vetë- financohet dhe mbahet në mënyrë shoqërore prej një grupi të caktuar, ku bëhen shfaqje të mira dhe kanë pjesëmarrje në festivale të ndryshme, por që nuk shihet nga politika komunale. 

(Kosova Sot)