Rrëfehet Queen Latifah

  • 22 February 2017 - 16:16
Rrëfehet Queen Latifah

NUK TREGON NËSE ËSHTË HOMOSEKSUALE APO JO

Ajo shpjegon pse roli i një lesbikeje ishte roli më i vështirë për të

Queen Latifah është njëra ndër femrat më të respektuara jo vetëm në hip-hop, por edhe në tërë botën e argëtimit. Kjo këngëtare, repere, aktore dhe producente e arritur, tash vonë ka dhënë një intervistë për revistën "Instyle", ku ka dhënë një informatë të rëndësishme për veten e vet. Nderin për ta intervistuar atë e pati ylli i "Black-ish"-it, Tracee Ellis Ross. Gjatë intervistës, Latifah tregoi se e kishte pasur shumë vështirë ta luante rolin e lesbikes në filmin "Set It Off."

Ngacmimet pas rolit

"Pasi që e mora rolin e plaçkitëses amatore të bankës, Cleo Sims, në filmin 'Set It Off,' u ula me motrat dhe vëllezërit e mi më të vegjël dhe u thashë: 'Dëgjoni, do ta luaj rolin e një lesbikeje. Shokët tuaj në shkollë mund t'ju ngacmojnë dhe të thonë gjëra negative për këtë. Por, unë po e bëj këtë, meqë mendoj se mund ta rris vëmendjen pozitive ndaj komunitetit gej afrikan-amerikan dhe besoj se mund ta bëj një punë të madhe si aktore", tha Latifah. "Ata e kuptuan këtë dhe, kur ato gjëra që u thashë, ndodhën në shkollë, ata nuk e kishin fort problem". Ka vite të tëra, që fansat e kësaj aktoreje pyeteshin a ishte Latifah homoseksuale, apo jo. Ajo kurrë nuk i ka konfirmuar këta zëra. Në një intervistë të mëparshme, duke diskutuar rreth këtyre pohimeve me "The Hollywood Reporter", Latifah tha: "Nuk e ndiej nevojën që ta diskutoj jetën time private në këtë emision, apo në ndonjë emision tjetër. Ka pjesë të jetës sime, të cilat unë i ndaj me publikun, por ka edhe pjesë që janë vetëm të miat dhe ashtu dua të mbetet". 

(Kosova Sot)