Ngec projekti i Muzeut të Arteve Moderne

  • 23 February 2017 - 15:49
Ngec projekti i Muzeut të Arteve Moderne

SHTETI PA INFRASTRUKTURË KULTURORE

Nuk ka hapësira për organizim të ekspozitave apo kolonive të artistëve

"MKRS-ja është ministri e interesave dhe përfitimeve shoqërore. Aty ka njerëz që nuk kanë lidhje me artin e aq më pak me muzetë. Madje, ka njerëz që kurrë nuk kanë shkelur në muze dhe nuk e dinë se për çfarë shërben muzeu. Normalisht që e neglizhojnë, por mbi të gjitha në rend të parë i kanë interesat e tyre", ka pohuar Muharremi

Kosova edhe shumë vjet rrezikon të mbetet pa infrastrukturë të nevojshme për zhvillim të artit pamor në vend, pavarësisht se Ministria e Kulturës premton çdo fillimvit se do të nisë procedurat për ndërtimin e Muzeut të Arteve Moderne. E njëjta histori pritet të ndodhë edhe gjatë këtij viti. MKRS-ja vazhdon të mos japë detaje lidhur me hapat që planifikon të marrë gjatë vitit 2017 për çështjen e këtij objekti. Gazeta nuk ka mundur të marrë një prononcim nga MKRS-ja gjatë ditës së djeshme (e mërkurë) lidhur me investimet kapitale që MKRS-ja i planifikon për këtë vit, konkretisht për ndërtimin e Muzeut të Arteve Moderne. Në anën tjetër, krijuesit dhe studiuesit e artit pamor shprehin indinjatën e tyre me neglizhencën institucionale karshi nevojave që ka sot arti pamor në vend. Ata e kritikojnë ministrinë për stopimin e investimeve aty ku duhet, sidomos zvarritjen e ndërtimit të Muzeut të Arteve Moderne, shkruan gazeta Kosova Sot.

Kërkohen më shumë ekspozita konceptuale

Kritiku dhe studiuesi Ilir Muharremi ka thënë për "Kosova Sot" se Ministria e Kulturës nuk është duke e bërë punën për të cilën është e thirrur, pasi, siç ka thënë ai, po sakrifikon interesat publike për hir të atyre klanore. "MKRS-ja është ministri e interesave dhe përfitimeve shoqërore. Aty ka njerëz që nuk kanë lidhje me artin e aq më pak me muzetë. Madje, ka njerëz që kurrë nuk kanë shkelur në muze dhe nuk e dinë se për çfarë shërben muzeu. Normalisht që e neglizhojnë, por mbi të gjitha në rend të parë i kanë interesat e tyre", ka pohuar Muharremi. Sipas tij, arti pamor tek ne nuk është aq i avancuar sa është i avancuar në Evropë dhe botë. "Nuk është faji te talentet, sepse ka talentë të mirë, të cilët punojnë e nuk kanë hapësirë se ku t'i ekspozojnë veprat e tyre, andaj ata në heshtje vetëshuhen. Kemi Galerinë e Arteve, Galerinë e Ministrisë së Kulturës, Galerinë e Fakultetit të Arteve dhe disa private, të cilat shpeshherë tentojnë t'u konkurrojnë galerive shtetërore. T'u konkurrojnë me orar të njëjtë për hapje të ekspozitave, me qëllim të marrjes së publikut", ka pohuar Muharremi, duke shtuar se duhet që sa më shumë të prezantohen ekspozita konceptuale, por duke mos i përjashtuar ato klasiket.

Arti pamor kosovar vazhdon të mbetet i izoluar

Piktori Agron Mulliqi një pjesë të fajit ua faturon edhe vetë krijuesve të artit pamor në vend. Sipas tij, ata duhet të jenë më të zëshëm për të kërkuar nga shteti që të krijojë kushte për artin pamor. Ai ka thënë se Shoqata e Artistëve Pamorë nuk duhet ta ndjejë veten komode dhe të jenë aktivë vetëm kur vjen puna për ndarje të çmimeve. Mulliqi ka thënë se shteti duhet të bëjë më shumë për artin pamor, pasi vendi ende nuk ka mundur të krijojë një infrastrukturë të nevojshme që do të mundësonte organizim të ekspozitave apo kolonive të që mbahen në vendet e përparuara. Ai ka thënë se, pavarë- sisht vlerave, arti pamor kosovar vazhdon të jetë jashtë vëmendjes së opinionit të huaj."Është për keqardhje që ne nuk kemi një galeri apo muze të artit modern, ku turistëve apo vizitorëve të huaj t'u tregonim vlerat e artit tonë. Pasi kemi çfarë t'u ofrojmë atyre", ka thënë Mulliqi, duke shtuar se institucionet duhet të mos anashkalojnë fushën e artit pamor. MKRS-ja ka vite që ka nisur përpjekjet për ndërtimin e një Muzeu të Arteve Moderne në vend, por deri më sot ka dështuar të nisë punën drejt realizimit të këtij synimi. 

(Kosova Sot)