Iku një aktor që luante personazhe shumë serioze

  • 19 March 2017 - 09:00
Iku një aktor që luante personazhe shumë serioze

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Veprimtaria teatrore dhe kinematografike e Hadi Shehut është e njohur, pasi jemi rritur me filmat e shfaqjet e tij 

Ditë prej dite po na ikën në amshim gjenerata e aktorëve, regjisorëve, skenaristëve, kameramanëve, etj., të cilët i vunë themelet e teatrit e të filmit shqip kosovar në kohën e ish - Jugosllavisë dhe sidomos pas dekadës së dytë të mbarimit të Luftës së Dytë Botërore. Hadi Shehu, i lindur në Gjakovë pak vite pas mbarimit të kësaj lufte të madhe, vdiq para më pak se një jave të plotë! Si dy-trembëdhjetëvjeçar në vitet e '90-ta, jam njohur me filmat e tij që merrja në video-klube, e të cilët na bënin të qanim, pikërisht nga karakteri i fortë, personazhet shumë serioze dhe portretizimet e hekurta të rolit të kryefamiljarëve të persekutuar nga regjimet e atëhershme serbe, spiunët e rrahjet e rënda. Por, ku u rrita më vonë, nuk i pëlqeja filmat e viteve të '90-ta ku luante Hadi Shehu, më shumë se ato të viteve të mëhershme, si fundvitet e '70- ta e fillimvitet e '80-ta të shekullit të kaluar, por edhe një film menjëherë pas luftës. "Gjurmë të bardha", "Era dhe lisi", "Kur shpirti ndërron jetë" janë ndër filmat më të parapëlqyer për mua kur u pjeka më shumë në edukimin kinematografik, ndërsa filmat e parë që më bënin të qaja në vitet e '90-ta, ishin filmat, si: "Vrasësit bëjnë dasmë natën", "Burgu i mërgimit" në disa episode, "Kur fantazmat ladrojnë"(kështu diçka ka qenë titulli sa e mbaj në mend), etj. Më pastaj, luajti edhe me aktorët e njohur të moshës së mesme, si Arta Dobroshi në filmin me skenar të vëllait të tij, Jahja Shehut, me titull: "Netët e zullum-madhit". Kanë qenë filma shumë të dhimbshëm, me motive nga shtypja sistematike e serbëve, rrahjes së shqiptarëve, ikjes në mërgim, gënjeshtrave të autoriteteve të burgut për familjarët e të burgosurit, rigjetja e lidhjeve familjare pas një kohe të gjatë dhe emocionet e forta që përjetoheshin pas takimit me ta! Ishte edhe atmosfera e tillë në vitet e '90-ta!

SI AKTOR KOMBËTAR

Veprimtaria teatrore dhe kinematografike e Hadi Shehut është e njohur në aspektin mbarëkombëtar dhe jemi rritur me filmat e shfaqjet e tij. Menjëherë pas luftës, edhe në Teatrin e qytetit tim vinte me ndonjë shfaqje Teatri i Gjakovës, por viteve të fundit, fatkeqësisht, komunikimi ndërmjet teatrove të qyteteve ishte më se i rrallë. Për ta shikuar ndonjë shfaqje të aktorit Shehu, duhej shkuar në Gjakovë, për ta parë atë në Teatrin e këtij qyteti. Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, dhe drejtoritë komunale për kulturë, kanë dështuar pikërisht në këtë: nuk kanë arritur t'i ndihmojnë trupave teatrore që të paktën shfaqjet e tyre t'i zbarkonin në shtatë qytetet më të mëdha të Kosovës, madje edhe në disa qyteza. Është kërkesë minimaliste, sepse edhe po të shfaqeshin në disa fshatra të mëdha, apo fshatra gravituese të disa fshatrave të vogla përskaj një fshati të madh, qoftë të shfaqeshin edhe në Qendrat e Kulturës, do të ishte mjaft e vlefshme në distribuimin e vlerave teatrore gjithandej Kosovës!

TEATRI I GJAKOVËS I PERSONIFIKUAR ME EMRIN E TIJ

Teatri i Gjakovës, bashkë me Teatrin e Gjilanit, Pejës, Ferizajt, Mitrovicës dhe Prizrenit janë ndër teatrot që e kanë formësuar jetën teatrore në Kosovë. Kishte aktorë të njohur edhe nga qyteza të tjera përveç këtyre qyteteve, njëri prej tyre lindi p.sh., në Vushtrri, pa emrat e të cilëve nuk mund të shkruhet edhe për fillet e kinematografisë kosovare, si ishte Abdurrahman Shala, por këto teatrot duke qenë pjesë të qyteteve më të mëdha, edhe e kanë pasur atë fat të mbledhjes së aktorëve rreth tyre, qofshin aktorët edhe të komunave të tjera, si p.sh., Komuna e Besianës, apo Prishtina, me aktorët nga krejt Kosova! Sidoqoftë, teatri i qytetit të Gjakovës humbi një aktor, i cili luajti në dhjetëra shfaqje teatrore, drama televizive e filma të ndryshëm! Historinë e Teatrit të Gjakovës nuk mund ta shkruajmë në asnjë mënyrë pa e përfshirë dhe pa u marrë edhe me krejt veprimtarinë teatrore të aktorit Shehu. Duke shkruar për aktorin Shehu, në fakt shkruajmë për vetë Teatrin e Gjakovës!

JETA SHPIRTËRORE E HADI SHEHUT

Në faqen e "Fejsbukut", Bashkësia e Tarikateve të Kosovës, njoftoi se ka ndërruar jetë Shehzade dhe aktori i madh kombëtar Hadi Shehu, i Teqesë së Sheh Musas, Shejh Danjollit. Tarikati Rifaie është i njohur edhe në Rahovec, ku me rastin e Sulltan Nevruzit, gjatë vitit të kaluar, kisha marrë pjesë edhe unë për të parë se si kalohet në trans shpirtëror dhe në ritualin e zarfave (shpimit). Në Gjakovë, në përgjithësi janë zhvilluar historikisht rrymat shpirtërore sufiste e të tarikateve, pa përjashtuar edhe vendet si Rahoveci, Prizreni, Gjilani, etj., por me theks të veçantë në Gjakovë. Prandaj, roli i shehlerëve ka qenë po ashtu në zhvillimin e jetës kulturore në këtë qytet. Duke e njohur mistikën islame edhe praktikisht, jo rastësisht Hadi Shehu, shkëlqen në filmin "Kur shpirti ndërron jetë", ku luan edhe me aktorët e njohur, si Enver Petrovci, etj. Teksa bisedoja me një aktor të brezit të ri, Avni Shkodrën, doja ta dija qëndrimin dhe vlerësimin e tij për figurën e Hadi Shehut si brez e mentalitet i ri teatror, ai më thotë: "Hadi Shehun, sa kam pasur mundësi me e pa nëpër role, më së shumti më ka pëlqyer në filmin "Kur shpirti ndërron jetë", film nga Ismail Ymeri, që në këtë rast edhe Ymeri na la frik', vitin e kaluar. Hadiu në këtë film e luante Shehun e teqesë, i cili mban anën e shqiptarëve, edhe i reziston regjimit. Hadiu nganjëherë ta ka dhënë përshtypjen që "edhe vetë nuk ka qejf me luajt role dramaturgjikisht antagoniste", meqë e ka rrezatuar një energji pozitive, si aktor, edhe njeri (aq sa e kam njohur nga distanca). E ajo qetësia e tij, që iu ka përshtatur shumë nëpër role, s'di sa ka qenë e duhura për atë si udhëheqës i teatrit. Mendoj që gjeneratat e kaluara, kanë mundur të bëjnë më shumë në stabilizimin e institucioneve teatrore, që ne ta gëzonim një infrastrukturë normale. Si aktor, për mua, mbetet një aktor i dashur, i cili ka arritur të bartë tek ne atë energjinë pozitive prej njeriu, edhe artisti, e cila më ka pëlqyer shumë" - përfundon aktori Shkodra. Filmi për të cilin flet ky aktor, "Kur shpirti ndërron jetë", definitivisht bashkë me filmat "Gjurmët e bardha", "Era dhe lisi", janë ndër filmat më të mirë ku ka luajtur Shehu, edhe sipas vlerësimit tim, duke u pajtuar edhe më tej se, gjithqysh filmi "Kur shpirti ndërron jetë", me skenar dhe regji të dy emrave, Mejdi Popajt dhe Ismail Ymerit (ky i fundit luan edhe si aktor në personazhin e kryeparamilitarit), i realizuar në vitin 2000-2001 në Kosovë, i cili sikur thuhet në film bazohet në ngjarje të vërtetë, është film me shumë skena artistike, ku kulmon me çastet e fundit të personazhit, Sheh Myhidinit (Hadi Shehut), kur thërret për "pagëzimin e fëmijëve në kisha, ezanin në xhamia dhe ilahitë në teqe", duke të marrë emocionalisht personazhi më vete, me tonin, shpërthimin, transin, revoltën, interpretimin, lëvizjet, etj. Filmin e tillë mund ta gjeni edhe në 'youtube', por jo në një link me sekuencë të shkurtër që është hedhur aty, por linkun tjetër ku është filmi i plotë, e që jo lehtë mund të gjendet, prandaj ua sugjeroj klikimin në këtë link nëse nuk është e mundshme ta shihni në versionin origjinal apo në kinema: https://www.youtube.com/watch?v=Ql7 g7ai1ITk

"KUR PRANVERA VONOHET" - FILM IDEOLOGJIK PËR KRYEPERSONAZHIN HOXHA

Edhe në intervistat e tij, të cilat mund të gjinden në internet, vetë Hadi Shehu rrëfen për fillimet e para në aktrim, luajtjen e rolit të parë në film, heqjen e kileve trupore për të luajtur rolin e komandantit të Luftës Nacionalçlirimtare nga radhët e Kosovës, Fadil Hoxhës. Në intervistën e tij, ai edhe e shpreh krenarinë për luajtjen e personazhit të një atdhetari, apo sikur e cilëson edhe me epitetin "heroi të popullit". Ky film sikur mund ta gjeni kudo për ta parë sërish apo për herë të parë nëse jeni të brezit më të ri, e kuptoni se edhe vetë filmi është i bazuar në motivet e ditarit të Fadil Hoxhës dhe me skenar të përshtatur nga Azem dhe Ymer Shkreli, ndërsa regjinë e ka bërë Ekrem Kryeziu. Mirëpo, ky film i ngjason filmave propagandistikë të Kinostudios së Re në Shqipëri, ku partizanët komunistë portretizohen në mënyrë shembullore dhe negativisht paraqiten ballistët, e në rastin e këtij filmi kosovar, shfaqet heroizmi i Hoxhës dhe partizanëve! Kryepersonazhi e komandanti Fadil Hoxha luhet nga aktori Shehu, në film të zhanrit 'luftë', por që mund të cilësohet edhe si ideologjik dhe i ndikuar nga rrethanat e kohës së atëhershme. Por, Shehu luan në teatër e filma në shumë personazhe të njohura kombëtare, si Sylejman Vokshi, Bajram Curri e të tjerë dhe njihet për personazhet e tij shumë serioze dhe mjaft të njohura, e jo vetëm se ishte personazhi komunist kosovar!

SHEHU NË PROTESTË PARA DYERVE TË TEATRIT TË GJAKOVËS

Mua më ka lënë gjurmë të paharruara e të dhimbshme skena kur kam parë aktorin Hadi Shehu, bashkë me kolegët e tjerë veteranë të skenës teatrore, para dyerve të Teatrit të Gjakovës, në shenjë proteste. Në vitin 2013, aktorët e Teatrit të Gjakovës, ku shihej në foto edhe aktori Shehu i ulur dhe i zhgënjyer, në medie u dha lajmi se drejtori i atëhershëm për kulturë i këtij qyteti kishte dhënë urdhër për t'i mbyllur dyert e teatrit dhe shtëpisë së kulturës "Asim Vokshi" për aktorët gjakovarë. Miku im gjakovar që e njeh këtë teatër, e kujton këtë protestë dhe thotë se për 25 vjet kishte shkruar për çdo rol që kishte luajtur Hadi Shehu: "Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport ua kishte hequr statusin kombëtar Teatrit të Gjakovës, duke e shndërruar në Teatër Profesionist të Gjakovës, duke e barazuar me çdo teatër tjetër të Kosovës dhe nga buxheti ministror kalon në buxhet komunal. Po ashtu, as Komuna e Gjakovës nuk ndante buxhet të mjaftueshëm për Teatrin e Qytetit të Gjakovës, i cili njihet tashmë kështu me Ligjin e ri për Teatrot. Por, sa i përket aktrimit, për mua, Hadi Shehu është mbret i skenës." E kur e pyes për politikën dhe Shehun, ai më thotë: "Mund të thuhet se nga pak e kanë shfrytëzuar të gjitha partitë politike në Gjakovë, duke e ditur autoritetin e tij për vota. Dihet se ai ka marrë pjesë në një spot të Degës së AAK-së në Gjakovë, në favor të Pal Lekajt, gjatë fushatës në zgjedhjet lokale, kur Lekaj fitoi zgjedhjet komunale në këtë komunë. Kjo bëhej për shkak të shpresës se ndoshta politikani i pasur do ta ndihmonte teatrin dhe atë. Por megjithatë, aktori Hadi Shehu, falë autoritetit të tij, të paktën merrte ndonjë fond nga MKRS dhe komuna, sa për të mbajtur gjallë ca shfaqje teatrore në Gjakovë, dhe falë meritave të tij, e kishim një teatër që sadopak jepte shfaqje. Shehu kontribuoi për teatër, qoftë si drejtues e themelues, por edhe vetë si aktor i madhërishëm!" Pavarësisht kësaj, ai nuk mbetet partiak dhe i ngjyrosur politikisht, pasi që fama dhe autoriteti i tij si aktor kishte dhe do të ketë gjithmonë përmasa mbarëkombëtare!

(Kosova Sot)