Si e mundi kancerin aktori hollivudian?

  • 19 March 2017 - 11:14
Si e mundi kancerin aktori hollivudian?

Jashtë ekranit ai është i shoqërueshëm, babaxhan

Është lehtë të mendosh sikur ekzistojnë dy Hugh Jackmanë. Jashtë ekranit ai është i shoqërueshëm, babaxhan, nga ata njerëzit që iu ndihmojnë plakave për ta kaluar rrugën. Ai kishte udhëhequr ceremoninë e ndarjes së Oskarëve, në vitin 2009, duke vallëzuar dhe duke kënduar. Më pas, aty është Jackmani i filmave të tij, i cili është shumë i ndryshëm, hakmarrës. Duke pasur parasysh personalitetin e tij të vërtetë, disa prej roleve të tij me gjasë paraqesin një torturë të vërtetë për të. Dy prej këtyre roleve janë Jean Valjean, nga "Les Misérables" ("Të Mjerët") dhe Logan, personazhi i tij nga filmat e franshizës "X-Men". "E, çka mund të them për këtë?", pyetet ai derisa rri ulur në një karrige hoteli në Londër. "Ndoshta, thjesht, jam lodhur nga vetja, apo mos është më interesante ta luaj dikë tjetër. E di se të gjithë ne e vejmë nga një maskë para të tjerëve dhe unë jam i vetëdijshëm se, maska ime, mund të jetë më e rehatshme sesa vetja ime. Kjo duket të jetë një terapi e mirë. është interesant të mendoj se çka do të bëj gjatë 17 viteve të ardhshme, meqë çdo 2-3 vjet kam pasur një shans që të bërtas, apo çirrem, plus të paguhem për një gjë të tillë", trasmeton gazeta Kosova Sot

JACKMAN KA HEQUR NJË KANCER NGA FYTYRA

Jackman tani ka luajtur Loganin nëntë herë qyshkur filloi të paraqitej me këtë rol në vitin 2000, në filmin e parë "XMen". Pjesa e nëntë quhet thjesht, "Logan" dhe ajo duket të jetë pjesa e fundit. ky rol ka qenë i mirë për të. atij i është dashur që të bënte ushtrime të shumta në palestër. Një herë u helmua me merkur, si pasojë e sasive të mëdha të peshkut tuna që kishte konsumuar. Ai thotë se, që nga atëherë, kishte qenë tepër i shqetësuar rreth shëndetit të vet, meqë këto ndryshime në regjimin e ushqimit mund ta dëmtojnë sistemin imun. Për të gjashtën herë, Jackman ka hequr një kancer nga fytyra. Pjesërisht për shkak të mjekrës së thinjur, ala Mel Gibson, me të cilën shihet gjatë pjesës më të madhe të filmit, e pjesërisht edhe për shkak të ambientit të shkretëtirës meksikane, "Logan" ofron një ndjesi bukur të ndryshme nga filmat e mëparshëm të franshizës "X-Men", sidomos dy të fundit. Ky vazhdim është më obskur dhe më i dhunshëm. "Në këtë film jam angazhuar më shumë sesa në të tjerët. Mos më keqkuptoni. Nuk isha unë regjisori. Regjinë e bëri James Mangold, i cili e shkroi edhe skenarin, por unë kisha një ide shumë të qartë rreth llojit të filmit që nga fillimi", thotë ai. Jackman duket se ka mësuar shumëçka rreth biznesit gjatë 17 viteve të kaluara. Para filmave "X-Men", ai ishte më shumë i njohur si një aktor që këndonte dhe vallëzonte në skenë. Në fakt, ai kishte luajtur rolin e kaubojit këngëtar Curly në "London". Marrim vesh se Jackman nuk ishte përzgjedhja e parë për rolin Wolverine. Këtë nder e kishte pasur aktori skocez Dougray Scott, por angazhimi i tij në filmin "Mission: Impossible 2", ia pamundësoi që të luante në filmat "X-Men". Përkundër kundërshtimit të gruas së tij, DeborraLee Furness, e cila është një aktore australiane, 13 vjet më e vjetër sesa Jackman, ky i fundit nënshkroi kontratën për atë që do të dilte të ishte filmi i parë me të vërtetë i suksesshëm i bazuar në një libër komik.

THOTË SE TANI ËSHTË MË TOLERANT DHE MË I DURUESHËM

A mendon ai ndonjëherë se si do të ishte karriera e tij, po të mos e kishte pranuar rolin në filmat "X-Men"? "Me gjasë do të merresha më shumë me teatër. Shpresoj se do t'ia dilja të mbijetoja. Por, është e vërtetë se kam pasur shumë fat. Çdo gjë më erdhi në kohën dhe vendin e duhur. E di se, përpos aktorit Dougray Scott, ky rol i ishte ofruar edhe Russell Crowe, i cili e refuzoi rolin, por ia përmendi regjisorit emrin tim". Përndryshe, Jackman tash vonë mori një nominim për Globin e artë, për rolin e tij në filmin "Kate & Leopold". Më pas ai është parë në filmat e Woody Allenit (Scoop), të Christopher Nolanit (The Prestige) dhe Baz Luhrmannit (Australia), për të arritur te roli i cili ia siguroi atij nominimin për Oskar, te roli i Valjeanit. Jackman thotë se tani është më tolerant dhe më i durueshëm sesa që ishte dikur, meqë këto role sikur që duket, i kanë ndihmuar atij që ta njihte më mirë vetveten. "Çdo njeri do të duhej të bënte gjashtë muaj shkollë drame", thotë ai, meqë një gjë e tillë i ndihmoi atij që ta zhvillonte një filozofi të veçantë të aktrimit. "Çdo gjë është e mundshme: nuk ka asnjë emocion të cilin nuk mund ta përthekosh. Kur shikoni një bebe gjashtë muajsh, ato mund të kalojnë nga një zemërim ekstrem, deri te qeshjet. Ky është një aktrim i vërtetë. Këtë e harrojmë përgjatë viteve". "Jam i martuar me një grua të mrekullueshme", thotë ai. "Ta takosh personin e duhur, është 80% e punës. Njerëzit shpesh më thonë se martesa është punë. Kur e dëgjoj këtë, kam ndjenjën se ata nuk e kanë takuar personin e duhur. Apo diçka tjetër ka shkuar sikur nuk duhet, meqë unë nuk e kam një ndjenjë të tillë". Ai thotë se, e vetmja herë kur gruaja e tij gaboi, ishte kur i kishte thënë të mos e pranonte rolin në franshizën "X-men". 

(Kosova Sot)