Sa lexojnë piktorët?

  • 19 March 2017 - 15:56
Sa lexojnë piktorët?

SHKRUAN: ILIR MUHARREMI 

ARTISTËT INJORANTË TË KOSOVËS

Piktori tenton përmes artit ta pavarësojë përfytyrimin dhe idenë nga leximi

Van Goghu lexonte shumë, Picasso pak, Nietzsche shumë pak për shkak dobësisë së të parit, piktorët kosovarë hiç. A i shërben inteligjencës dhe krijimit leximi?

Piktori i famshëm holandez, Vinsent Van Gogh ka lexuar me kënaqësi libra të bollshëm duke u nisur nga Homeri, Volteri, Shekspiri, Hygoi, Zola, Mopasani... Librin "E fortë si vdekja" të Mopasani-t Goghu e sheh të ngjashëm me atë të Zolasë "Ëndrra". Aty ai gjen figurën e fortë të heroinës, qëndistare me fije ari dhe atij i interesonte më shumë mënyra se si është spikatur transmetimi i nuancimeve të ndryshme të ngjyrës së verdhë (ngjyra e preferuar e Goghut), pastaj atyre më të çelura, disa të lara me flori, dhe disa më të zëna. Figura kryesore e romanit, Goghu-t i dukej e trilluar, kurse përshkrimi i katedrales ia kallte mërzinë. Ndonëse masivi kaltërosh i përshkruar nga autori pak edhe në manushaqe kontraston fort mirë me portretin e heroinës flokëverdhë. "Në tërësinë e tij romani ma kujton Lamartinin", shkruan në letrën e tij dërguar Teos (vëllait) Goghu. Heroina shndërrohet në portret pamor, sepse çdo lexues strehohet dhe gjen prehje nga përvoja e tij jetësore duke i ribashkuar këto përvoja dhe bënë gradualisht një ikje nga realiteti. Universi letrar ka më pak peshë se universi prej eshtrave dhe mishit dhe këta njerëz kanë botën e tyre.

NUK KEMI PAVARËSI TË PLOT OSE ABSTENIM NGA LITERATURA

Leximi tek Goghu ndikon edhe në përplasjen e bojërave në kanavacë. Sipas tij, mënyra e pikturimit duhet të jetë në përputhje stilistike me objektin e përfytyruar, andaj vepra e artit është e arrirë. Piktori tenton përmes artit ta pavarësojë përfytyrimin dhe idenë nga leximi. Ka të drejtë sepse është lëvizje e kundërt e një bote tashmë të lexuar. Bie fjala te figura e shërbëtores në afreskun e madh të Lejsit (Hendrik Lejs, piktor holandez), e riprodhuar në gravurë nga Brakmon (Feliks Brakmon, piktor francez), apo lutësi i vogël i Mejsonies, e punuar në gravurë nga Zhakemar (Zhyl Zhakemar, piktor francez). Të gjitha këto qëndrojnë si vepra të pavarura arti. Po, sepse mënyra e të krijuarit të gravurave përputhet në stil me objektin e përfytyruar. Prapë nuk kem pavarësi të plot ose abstenim nga literatura. "Kur lexojmë Zolanë, na e ledhaton veshin tingëllimi i po asaj gjuhe franceze që e gjejmë, të themi, edhe të Reanani", shkruan Goghu, si njohës i mirë i gjuhës. Ai do të dëshironte të mbajë ndër duar Shekspirin që e kërkonte nga vëllai Teo. "Me Shekspirin nuk kam ndonjë ngut, blije kur të mundësh", shënonte ai. Goghu mori nga Teo Shekspirin dhe nisi leximin me tragjeditë që kohë më parë nuk i kishte lexuar kronikat e mbretërve. "Kam lexuar tanimë Rikardin e Dytë", "Henrikun e Katërt", gjysmën e "Henrikut të Pestë"". Ky piktor eksploron në ngjashmërinë e njerëzve të asaj kohe dhe me kohën në të cilën ai jeton. Heronjtë shekspirianë me zërat e tyre depërtojnë dhe s'janë aspak të huaj për Goghun. "Ata janë aq jetëplot sa të duken sikur i ke pranë, sikur ua dëgjon zërin", shkruan ai. Këtu lind një dëshirë fatkeqe të cilën shumë njerëz e bartin në jetën e tyre. Kur i shohin këto ekzistenca nga jashtë, i mbulojmë me koherencë dhe unitet dhe e dimë që nuk e kanë në të vërtetë, por observuesit i duken evidente. Observuesi vëren vetëm një linjë pak më të lartë të jetëve të personazheve dhe nuk i vetëdijëson detajisht. Pastaj, piktorët fillojnë të bëjnë art mbi këto ekzistenca. Kemi njohuri, vetëdijesim, dhe zgjerim të diapazonit mendor. Por, prapë çdo piktorë kërkon të bëjë një vepër arti nga jeta e vet. 

NIETZSCHE KA LEXUAR PAK DHE KA SHKRUAR SHUMË

Çfarë gjen Goghu te Shekspiri? Me bollëk delikatesë pikëllimtare të shikimit njerëzor. Ballafaqimi me problemet e impresionistëve e dërgoi Goghun tek personazhet e Shekspirit. "Leximi i tij po më bind përfundimisht për drejtësinë e padiskutueshme të impresionistëve në kuptimin e problemeve të artit", shkruan Goghu. Personazhet e Shekspirit rrëfejnë me shumë mend në kokë, kurse impresionistëve u mungonte kjo dhe Shekspiri ishte si nxitës i pasurimit të diapazonit mendor. "Mbrëmë më rrëmbeu të tërin leximi i Shekspirit dhe konkretisht u mora me leximin e "Henrikut të Tretë", ka në të ca vende të mrekullueshme: p.sh bie fjala skenën me Bekingemin dhe monologun e Vulsit pas rrëzimit nga froni", rrëfen Goghu. Ai ndjehet i lumtur që i është dhënë mundësia ta rilexojë pa u ngutur këtë autor. Filozofi Friedrih Nietzsche ka lexuar pak dhe ka shkruar shumë. "Pjesën tjetër të ditës e kaloj me punë duke shkruar, duke menduar dhe, me raste, nëse sytë më lejojnë, lexoj pak", shprehet Nietzsche. Ai ka punuar shumë, ka shkruar deri në raste kur vetja i ka thënë "Ndalo, tani mund të pushosh". Ai vuante nga shikimi i dobët dhe kjo qe njëra prej arsyeve pse ky filozof nuk lexonte shumë. Sa lexojnë piktorët kosovarë romane ose libra për artin? Ata shkarazi kalojnë vetëm nëpër tituj, ose nganjëherë as këtë nuk e bëjnë. A duhet të lexojnë? Natyrisht, sepse aty gjejnë universin e plotësisë ku veprimi gjen formën e vet, pastaj fjalët arrijnë në prononcimin e fundit, qeniet fillojnë tu dorëzohen qenieve dhe në fund çdo jetë merr pamjen e fatit. Bota e librave është korrigjim i kësaj bote në funksion të dëshirës së thellë të njeriut, sepse gjithmonë flasin për të njëjtën botë. Çdo gjë është e njëjtë: gënjeshtra, vuajtja dhe dhimbja. Personazhet kanë gjuhën, mungesat dhe forcat tona. Së paku në libra personazhet shkojnë deri në fund të fatit dhe pasionit të tyre. Literatura bëhet ndikim, por nxjerr edhe njohuri dhe gjithmonë artisti i kthehet vetvetes, sepse horizonti i shkruar nuk është më i bukur se vuajtja reale e tij. Ndodh shpesh ngjarjet e bukura nuk mund t'i gjejmë në të jetuarit, por në të menduarit dhe në të ëndërruarit. Atëherë, këtu kemi botën e librit. Dhe, a nuk është korrigjim i bukur i realitetit? Shpesh qeniet i dorë- zohen fiksimeve dhe bota korrektohet, dhimbja mundet, përkohësisht shkohet mbi vdekjen. P.sh., Pablo Picasso realizoi një numër të madh pikturash dhe ai nuk kishte kohë për lexim, nëse marrim në proporcion krijimin ditor të pikturave dhe leximin e faqeve të librit. Personazhet e tij janë më shumë nga jeta sesa nga literatura. Literatura është ushtrim i inteligjencës në shërbim të sensibilitetit nostalgjik. Aty njeriu fillon t'ia japë formën vetvetes dhe limitin qetësues, të cilin kot e ndiqte në realitet. Artisti që lexon vendos për arsye të brendshme dhe të jashtme dritën e krijimit, kurse arti që nuk lexon krijimin e mangët të brendshëm.

(Kosova Sot)