Mungojnë veprat artistike në hapësirat publike

  • 20 March 2017 - 08:46
Mungojnë veprat artistike në hapësirat publike

Artistët e vërtetë, që derdhin shpirtin e tyre dhe e shkrijnë atë në vepra unike, nuk përfillen as nga shteti, as nga shoqëria ,raporton Gazeta Kosova Sot

"Në hapësira publike kemi disa vepra arti dhe ato janë shtatore me realizim tejet të dobët, të zymtë, me ngjyra të mbyllëta, të cilat vizitorin e bëjnë të ndihet i depresionuar", ka pohuar Muharremi, duke shtuar se veprat duhet të jenë më shumëngjyrëshe.

Veprat e artit modern, si piktura, skulptura, apo instilacione të ndryshme, mbushin hapësirat publike në qytetet e ndryshme botërore. Në shumë raste, shumë prej atyre qyteteve sot identifikohen me ato vepra, duke i kthyer edhe në atraksione turistike. Por, kjo nuk ndodh edhe te ne, në Kosovë, ku veprat e artit nuk vërehen në hapësira publike. Hapësirat janë të mbushura kryesisht me statuja të stilit socrealist, pa ndonjë shije artistike dhe mjaft të zymta. Për më shumë, studiuesit dhe kritikët e artit thonë se këto vepra kanë një realizim shumë të dobët artistik dhe me ndikim nga koha e monizmit. Për krijuesit e arteve pamore dhe kritikët e artit në vendin tonë, një situatë e tillë ka shumë 'fajtorë', por, sipas tyre, janë udhëheqësit kulturorë, të cilët ende nuk janë liruar nga mendimet e kohës së monizmit dhe ndikimeve të frymës artistike nga ajo kohë.

Shtatoret e zymta Në një prononcim për "Kosova Sot", kritiku dhe krijuesi Ilir Muharremi, profesor në UP, ka thënë se hapësirat publike në qytetet kosovare janë të mbushura me shtatore, të realizuara dobët dhe më shumë krijojnë ndjenja zymtësie sesa art të vërtetë."Në hapësira publike kemi disa vepra arti dhe ato janë shtatore me realizim tejet të dobët, të zymtë, me ngjyra të mbyllëta, të cilat vizitorin e bëjnë të ndihet i depresionuar", ka pohuar Muharremi, duke shtuar se veprat duhet të jenë më shumëngjyrëshe, sepse mjaft kemi kaluar me dramë dhe tragjedi. Ai ka veçuar instilacionin e Alketa Xhafës afër Pallatit të Rinisë ("Heorinat"). Sipas tij, ky instilacioni paraqet vërtet një vepër mjaft të mirë dhe artistike, që duket shumë bukur, pasi mbush një boshllëk të veprave të tilla në hapësira publike. Njëkohësisht, kjo vepër ka një mesazh të fuqishëm për realitetin në të cilin ka kaluar vendi ynë. Kurse, për arsyen e mungesës së veprave moderne në hapësirat publike në qytetet tona, Muharremi ka thënë se arsyeja pse s'kemi vepra moderne është se udhëheqësit kulturorë dhe në tërësi shoqëria ende nuk kanë arritur të lirohen nga mendimi komunist.

Ne vazhdojmë të rrethohemi nga pseudo-artistët Artisti dhe poeti mitrovicas, Bujar Meholli, ka thënë se është për të ardhur keq se si shoqëria jonë nuk e kupton atë që quhet art i mirë- filltë. Fatkeqësisht, sipas tij, ekzistojnë ca palo-artistë që bëjnë disa shkarravitje dhe pastaj i quajnë vepra artistike. Ai ka pohuar se artistët e vërtetë, që derdhin shpirtin e tyre dhe e shkrijnë atë në vepra unike, nuk përfillen as nga shteti, as nga shoqëria. "Për mua ky është paradoks. Nëpër vendet publike nuk mund të hasësh në ndonjë vepër arti moderne kudo në Kosovë, sipas meje për shkak se pakkush merr vesh nga ky domen, duke i përfshirë këtu edhe institucionet që qëndrojnë gjoja nën petkun e artit dhe kulturës, por nuk ia kanë haberin për Vincent Van Gogh, Paul Cezanne, Georges Seurat apo Paul Gauguin", ka thënë Meholli, duke shtuar se aktualisht po kalojmë në një situatë mjaft të rëndë kulturore dhe po në këtë situatë do të mbesim derisa rrethohemi nga pseudo-artistët, qofshin nëpër institucione, qofshin individë që derdhin ca ngjyra pa kurrfarë kuptimi dhe marrin primatin në kulturën tonë. "E, derisa nuk do ta çmojmë vlerën e mirëfilltë artistike, situata do të jetë e rënduar dhe kam frikë që kultura jonë do të shkojë çdoherë e më shumë drejt shkatërrimit", ka potencuar artisti mitrovicas, Meholli.

(Kosova Sot)