Shumë poetë, pak poezi

  • 21 March 2017 - 08:27
Shumë poetë, pak poezi

Poezia i ka lexuesit më të përzgjedhur dhe më të paktë në numër.

"Gjithsesi poezia në Kosovë i ka emrat e vet të rëndësishëm. Megjithatë, arti kështu e ka, me kohë herren antivlerat dhe mbesin vetëm vlerat e qëndrueshme", ka potencuar poeti Ibrahimi,raporton Gazeta Kosova Sot

Pak aktivitete janë paralajmëruar se do të mbahen gjatë ditës së sotme, për të shënuar 21 marsin Ditën e Poezisë. Pavarësisht kësaj, poezia shqipe vazhdon të krijohet me zell nga krijuesit tanë, të cilët nuk janë të paktë. Sipas kritikëve letrarë, viteve të fundit ka një shpërthim të botimit të poezisë. Megjithatë, sipas vetë krijuesve, ka shumë shtëpi botuese në vendin tonë, derisa shumë prej përmbledhjeve, që botohen nuk kanë ndonjë vlerë. Sipas tyre, poezia është arti më i keqpërdorur nga pseudokrijuesit. 

Me poezi merren edhe analfabetët Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Ardian Haxhaj ka thënë se krijimi i poezisë ka një kaluar të mirë në letërsinë shqipe në Kosovë dhe vazhdon ta ketë. "Ne kemi poetë që vazhdojnë të krijojnë me sukses këtë zhanër, por tjetër është fakti se poezia i ka lexuesit më të përzgjedhur dhe më të paktë në numër", ka thënë Haxhaj, duke shtuar se në Kosovë vazhdon të lëvrohet vargu poetik. "Mirëpo, kjo nuk e nënvlerëson vlerën artistike të poezive bashkëkohore te ne. Gjuha poetike është gjuhë metaforike, që kërkon lexim më aktiv për ta gjetur katarsin estetik, prandaj lexueshmëria e poezisë i ka lexuesit e përzgjedhur. Kështu është kudo në botë, edhe në Kosovë", ka potencuar Haxhaj. Ndërsa, duke folur për poezinë dhe ditën e saj, poeti Dan Ibrahimi, ka thënë se 21 marsi poezinë në Kosovë e gjen si njërin nga artet më të keqpërdorura, për arsyen e thjeshtë, që me të synojnë të merren tërë analfabetet dhe dështakët në profesionet e tyre. "Gjithsesi poezia në Kosovë i ka emrat e vet të rëndësishëm. Megjithatë, arti kështu e ka, me kohë herren antivlerat dhe mbesin vetëm vlerat e qëndrueshme", ka potencuar poeti Ibrahimi.

Leximi dhe teknologjia Kurse shkrimtari Imer Raçi është shprehur se sado që bëhet për poezinë, qoftë si pjesë letërsie, arti apo dhe kulture do të ishte e paktë kur kihet parasysh krahasimi i vendit tonë me vende të tjera qoftë nga rajoni apo dhe më gjerë. Sipas tij, edhe 21 marsi nuk e gjen poezinë në nivelin meritor, dhe pse poetët e vargjeve të bukura ne gjuhën shqipe e shkrijnë mendjen, trupin dhe në fund e paraqesin dhe shpirtin brenda vargjeve të poezisë shqipe. Ai ka thënë se të shtysh një lexues që ta lexojë poezinë duhet t'i japësh ndjenjën më të sinqertë që dhe lexuesi ta ndjej dhe ta këmbej me ndjenjën e tij, gjë që nuk arrijnë ta bëjnë të gjithë poetet. "Unë mundohem si një poet ta paraqes poezinë sa më të ndjeshme dhe sa më origjinale, duke prekur dhe fantazinë brenda origjinalitetit, që ta bëjë lexuesin ta ndjej", ka thënë Raçi, duke shtuar se ende në Kosovë leximi i poezisë nuk është në nivelin e kënaqshëm dhe krejt kjo si pasojë e moskrijimit si shprehi apo si edukatë e leximit. Sipas tij, megjithatë po vërehen ndryshime të thella në shoqërinë tonë. "Shoh se po lexohet ditëve të fundit dhe më shumë e gjithë kjo duke u bazuar ne komentimet dhe interpretimet e librave, shkrimeve e poezive në vende të ndryshme e sidomos duke u bazuar dhe në rrjetet sociale, ku të rinjtë kanë krijuar grupe të tilla për qëllim leximi, prezantimi e komentimi të tyre", ka pohuar poeti Raç

(Kosova Sot)