Kalatë e fshehura të Keqekollës

  • 22 March 2017 - 08:46
Kalatë e fshehura  të Keqekollës

Këtë vit planifikohet të rinisin punimet në këtë lokalitet.

"Gjatë restaurimit dhe konservimit të mureve janë prishur shtresat historike dhe janë bërë ndërhyrje të paligjshme duke e bërë lidhjen e gurëve me llaç çimentoje", ka thënë Namani, duke shtuar se institucionet duhet të jenë të përgjegjshme, që gjithçka të shkojë si duhet gjatë restaurimeve të monumenteve të tilla,raporton Gazeta Kosova Sot

Zona e Malësisë së Gallapit (Gollaku) të Prishtinës ruan një trashëgimi arkeologjike-kulturore me rëndësi kombëtare përmes së cilës dëshmohet autoktonia iliro - dardane e banorëve të kësaj ana. Dëshmia më e mirë e kësaj trashëgimie është Kalaja e Keqekollës, një monument me vlera për historinë mijëravjeçare të shqiptarëve të Kosovës. Por, që për fat të keq, ende nuk është thënë çdo gjë mbi dhe rreth saj. Rrethanat politike që për shekuj kaloi populli shqiptar dhe sidomos në shekullin e 20-të kanë bërë që shumë vlera arkeologjike të mbesin nën tokën e kësaj krahine. Puna për restaurimin e saj, jo pa vërejtje nisi tek pas luftës, konkretisht që nga 2008. Ndërsa pas disa viteve kërkimesh dhe restaurimesh, Instituti Arkeologjik planifikon që gjatë këtij viti të rinis gërmimet në këtë lokacion, kurse pas përfundimeve pritet që kalaja të ofrohet për vizitorët. Por, problem ende mbetet infrastruktura përcjellëse, pa të cilën Kalaja nuk do ta 'shijojë' grumbullin e turistëve brenda dhe përreth saj.

Në Keqekollë janë edhe katër kala tjera Në një prononcim për "Kosova Sot", Qazim Namani, ekspert i fushës së trashëgimisë, i cili ndër të parët ka bërë publike Kalanë e Keqekollës dhe trashëgiminë rreth saj, ka thënë se kjo kala paraqet një monument të rëndësishëm për trashëgiminë monumentale në Kosovë. Sipas tij, rëndësinë edhe më shumë ia shtojnë edhe disa kala të identifikuara nga vet ai, por që ende mbesin për t'u zbuluar. Sipas tij, ndërhyrjet e bëra nuk kanë shkuar si duhet dhe ka pasur devijime. "Gjatë restaurimit dhe konservimit të mureve janë prishur shtresat historike dhe janë bërë ndërhyrje të paligjshme, duke e bërë lidhjen e gurëve me llaç çimentoje", ka thënë Namani, duke shtuar se institucionet duhet të jenë të përgjegjshme që gjithçka të shkojë si duhet gjatë restaurimeve të monumenteve të tilla. Kalaj është mjaft e vjetër dhe sipas Namanit është një kështjellë dardane dhe me teknikë të thatë të murimit. Ai ka thënë se pozicioni i kësaj Kalaje dhe vetë kalaja me pak investime ofrojnë mundësi të shumta për zhvillimin e turizmit kulturor, duke pasur parasysh edhe faktin se Kalaja rrethohet edhe nga disa kala tjera. "Si kala mund të ofrojë shumë për turizëm, sepse rrethohet edhe me një numër tjetër të kalave përreth e të cilat nuk janë hulumtuar me gërmime arkeologjike nga arkeologet", ka thënë Namani. Sipas tij, në Keqekollë janë edhe katër kala tjera që ruhen në dhe të pahulumtuara.

Kalaja paraqet një potencial të mirë për turizëm Në anën tjetër, zyrtarë të Institutit të Arkeologjisë, nën kujdesin e të cilit bëhen gërmimet dhe hulumtimet arkeologjike në Keqekollë, kanë thënë se Kalaja ka një rëndësi të madhe për historinë kombëtare, duke pasur parasysh edhe vjetërsinë e saj. Në një prononcim për "Kosova Sot", drejtori i Institutit Arkeologjik, Enver Rexha ka thënë se punimet në këtë lokacioni kishin filluar nga Qendra Rajonale e Trashëgimisë në Prishtinë, nga arkeologun Haxhi Mehmetaj, ndërsa tash me kalimin Mehmetajt në IAK, punimet do të kryhen nga ky institut. Ai ka thënë se tashmë është viti i dytë që nuk është ndërhyrë në këtë kala. Sipas tij, këtë vit planifikohet të rinisin punimet në këtë lokalitete. "Herën e fundit që është punuar është punuar para dy viteve. Është bërë konservimi dhe restaurimi strukturave dhe gjetjeve të trashëgimisë arkitekture. Ndërsa këtë vit kemi ndarë një buxhet, prej 60 mijë euro për ndërhyrje në këtë lokalitet dhe do të punohet në pjesën e një strukture e cila gjendet nën dhe", ka thënë Rexha. Ai ka thënë se do të punohet edhe në rrugën që dërgon në kala. Edhe Rexha ka thënë se Kalaja paraqet një potencial të mirë për turizëm. Sipas tij, me strukturë të hulumtuar dhe të konservuar, dhe më punime që pritet të bëhen gjatë këtij viti, kalaja do të bëhet një atraksion i vërtet turistik. Por, sipas Rexhës, për të arritur në këtë pikë duhet rregulluar edhe infrastruktura përreth saj dhe rruga, pasi pa këto do të jetë e vështirë arritja e qëllimit. 

(Kosova Sot)