Mungon një rrjet i kinemave në gjithë vendin

  • 23 March 2017 - 09:04
Mungon një rrjet i kinemave në gjithë vendin

Shumë vepra filmike po vdesin pa e bërë jetën e vet dhe pa kaluar në sytë dhe mendjet e shikuesve tanë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Shuarja e veprimtarive të shumë kinemave në vend, që nga fillimi i viteve të 90-ta të shekullit të kaluar dhe mosaktivizimi i tyre pas luftës, ka goditur rëndë zhvillimin e filmit në vend. Pavarësisht trendëve të reja dhe mundësive të mëdha për shfaqjen e filmave dhe depërtimit të produksionit kinematografik, kinemaja mbetet një nga vendet më atraktive dhe më të pranishme për shfaqjen e filmave. Edhe pse vite më parë në vend ishte krijuar një rrjetëzimi i mirë i kinemave dhe sallave për shfaqjen e filmit në mbarë vendin, pas luftës nuk pati përpjekje për rindërtimin e këtij rrjeti, e as për ngritjen e një rrejti të ri të kinemave. Edhe ato pak kinema që arritën të mbijetojë si ABC në Prishtinë, ajo në Prizren, pastaj ajo në Pejë po përballen me probleme të shumta. Ato përballen edhe me mundësinë e ndërrimit të destinacionit, edhe pse ato mbrohen me ligj, dhe pa një vendim të Qendrës Kinematografike nuk mund të ndërrojnë veprimtarinë. Mbi të gjitha, pa kinema dhe pa një rrjet të mirë nuk mund të ketë një zhvillim normal të filmit në vend. Një gjë të tillë e pohojnë edhe kineastët tanë.

Duhet të ngritet kultura kinematografike

Në një prononcim për "Kosova Sot", regjisori Mahir Musliu ka thënë se ndërtimi i një kinemaje të shëndoshë dhe të zhvilluar varet edhe nga rrejti i kinemave në vend. Sipas tij, po të kishte kinema në qytete të ndryshme, kureshtja e qytetarëve për filmin do të ishte më e madhe. "Po themeli dhe baza, mbi të cilën mund ta ndërtojmë një kinematografi të shëndoshë, është ndërtimi i kinemave të reja nëpër gjitha qytetet e vendit", ka thënë Musliu. Sipas tij, kjo është primare dhe ekzistenciale. Sipas tij, rrjeti i kinemave nëpër qytete do të zgjojë kureshtjen e shikuesit dhe ndërkohë do të krijojë një klimë të re të të bërit film. "Do të ngritet kultura kinematografike në nivelin e kënaqshëm të zhvillimit kinematografik. Shumë vepra filmike po vdesin pa e bërë jetën e vet dhe pa kaluar në sytë dhe mendjet e shikuesve tanë", ka thënë Musliu, duke shtuar se filmi pa kinemanë është si peshku pa ujë.

Shteti investon në projekte të autorëve të huaj

Edhe Besim Ugzmalji, regjisor, ka pohuar se kinemaja ndihmon shumë në zhvillimin e kinematografisë kosovare. Sipas tij, e ardhmja e kinematografisë kosovare është goxha diskutabile, përderisa investimet shtetërore nuk shkojnë te kineastët kosovarë, por në shumë raste në filma të huaj pa autorësi shqiptare, përkatësisht kosovare. "E ardhmja e kinematografisë kosovare do të ishte shumë më e mirë, sikurse të investohej në filma me autorë kosovarë dhe në filma kosovarë, ku pronarë, përkatësisht prodhues dhe autorë kryesorë të jenë nga Kosova", ka thënë Ugzmalji. Sipas tij, pa infrastrukturë, normalisht nuk do të ketë zhvillim të mirëfilltë të kinematografisë, dhe normalisht në nuk do të mund që qytetarët të kenë qasje të vazhdueshme në rrjedhën e përgjithshme të kinematografisë botërore dhe kosovare. "Andaj, ndërtimi i së paku nga një kinemaje për secilën qendër në Kosovë është tepër e nevojshëm dhe duhet të ndodhë urgjentisht", ka potencuar Ugzmajli. Rasti më i fundit i problemeve pronë- sore të një kinemaje kosovare është rasti i kinemasë së Pejës, "Jusuf Gërvalla", ku komuniteti artistik i qytetit dhe shoqëria civile janë duke bërë përpjekje për ruajtjen e saj. Ruajtja e veprimtarive të kinemave në vend është paraparë edhe me Ligjin për kinematografinë në vend. Sipas nenit Neni 8 të këtij ligji, kinemave në pronësi shoqërore ose publike, të privatizuara apo të dhëna me qira personave fizikë ose juridikë, vendës ose të huaj, nuk mund t'u ndryshohet qëllimi i veprimtarisë pa pëlqimin e QKK-së. Ndërsa të gjitha ata që nuk e respektojnë këtë nen gjobiten nga shteti. "Me gjobë prej 20.000 deri në 120.000 , dënohet për kundërvajtje distributori, përkatësisht pronari ose qiramarrësi i një kinemaje që e ndryshon qëllimin e veprimtarisë së kinemasë pa pëlqimin e QKK (neni 8)", thuhet në neni 55 të Ligji për kinematografinë, ku janë në pyetje kinematë.  

(Kosova Sot)