Lopez provoi 30 veshje të Selenës për filmin e këngëtares

  • 23 March 2017 - 18:32
Lopez provoi 30 veshje të Selenës për filmin e këngëtares

Vetëm pak yje latine kanë arritur nivelin e njëjtë të famës së Selena Perezit.

"Kjo krijesë e bukur, ky shpirt i mrekullueshëm, plot gëzim dhe muzikë, thjesht u ndërpre nga të ekzistuarit e saj, sikur kur këputet një lule", thotë Jennifer Lopez, e cila, 20 vjet më parë, kishte luajtur rolin e Selenas në filmin e vitit 1997. Njëzet vjet më pas, ky rol vazhdon që ta karakterizojë Lopezin, e cila asokohe ishte një aktore e re, që kurrë nuk e kishte takuar Selenën. "Ajo kishte prirjen që ta jetonte momentin, të tashmen dhe ta ndiqte atë që ia thoshte zemra", deklaroi Lopez, duke shtuar se, për të, ky ishte mësimi më i madh. Gjatë jetës së saj të shkurtër, Selena bëri histori, duke ndikuar që bendi teksasian i muzikës folk, i njohur me emrin "Tejano", të arrinte lartësitë që nuk i kishte shijuar kurrë më parë, e as më pas. Ajo lansoi shtatë këngë No. 1 në "Billboard Hot Latin Tracks" dhe gjashtë këngë të lëshuar post mortem, kanë zënë po ashtu vendin e parë. 

Ishte ndier mirë, kur kishte performuar para një mase të madhe Në pyetjen pse Selena vazhdon që të adhurohet dhe pëlqehet edhe 20 vjet pas vdekjes së saj, Lopez thotë se kjo ka të bëjë me mënyrën sesi ajo i qasej punës, jetës, me humorin e saj. Ajo donte atë që bënte. Ajo la një mbresë aq të thellë edhe për faktin se iku para kohe, thotë Lopez. E, kur pyetet se a kishte ndonjë moment gjatë xhirimeve, që i kishte bërë më shumë përshtypje, JLo thotë se, sapo ia ndanë atë rol, menjëherë e diti se do t'i duhej që të shkonte në vendlindjen e Selenës, për të qëndruar ca kohë me familjen e saj. Ata i kishin dhënë shumë material për ta shikuar, gjë që edhe kishte bërë dhe, sipas Lopezit, kjo i kishte ndihmuar që ta kuptonte më mirë Selenën, por edhe rolin që do ta luante. Jennifer Lopez thotë se, gjatë këtij roli, kishte bërë tërë atë që kishte mundur, që ta portretizonte Selenën sa më mirë, në mënyrë që, kur njerëzit ta shikonin filmin, respektivisht rolin e saj, të mos mendonin për asgjë tjetër, pos për Selenën. Në film përfshihet edhe një koncert i madh, i cili ishte mbajtur në Hjuston. Në atë koncert kishin marrë pjesë 30,000 deri 40,000 njerëz. I njëjti koncert ishte përsëritur edhe gjatë bërjes së këtij filmi, pa improvizime. Pra, përsëri ishin mbledhur po aq njerëz, në mënyrë që koncerti të dukej një kopje sa më reale e koncertit origjinal të Selenës. Lopez thotë se ishte ndier shumë mirë kur kishte performuar para një mase kaq të madhe. Ajo tregon se, pas këtij koncerti, i ishte afruar nëna e saj, e kishte përqafuar dhe kishte qarë. Lopez thotë se, në atë moment, ajo kishte mësuar sesi të performonte dhe t'ua jepte çdo gjë që kishte të pranishmëve në koncert. Ka pasur shumë zëra që thonë se, mu ky koncert në film, kishte shërbyer si frymëzim që Lopez t'ia fillonte karrierës së saj muzikore. Lopez pranon se ky moment pati rëndësinë e vet, meqë në asnjë rast më parë nuk kishte pasur rastin që të performonte para një numri kaq të madh të njerëzve. Më pas, një pyetje tjetër që i ishte bërë Lopezit, ishte rreth veshjeve të Selenës, ku gjatë bërjes së këtij filmi, Lopez kishte veshur më shumë se 30 veshje të Selenës. A ka ndonjë favorit ajo, në këtë drejtim? Lopez thotë se ka pasur shumë veshje të Selenës që i kishin pëlqyer. Sidomos i kishte pëlqyer një fustan i kuq i saj, i cili ishte sikur njëfarë "simboli mbrojtës" i saj. Po ashtu edhe stolitë... Një pyetje që nuk mund të evitohej, ishte: A ju pengon fakti që, dy dekada pas vdekjes së Selenës, vetëm pak yje latine kanë arritur nivelin e njëjtë të famës? Lopez thotë se i pengon filozofia, apo bindja se, kur do të paraqitej Selena tjetër. Kjo është njësoj sikur të pritet paraqitja e një James Deanit, apo Marilyn Monroes. Njerëzit e tillë nuk lindin çdo ditë. Kurrë nuk do të ketë një Selenë tjetër. Sa i përket muzikës, kjo është ajo gjëja më madhështore që mund të arrijë një artiste. Do të paraqitet ndokush që do ta ndryshojë botën në një formë tjetër. Kemi pasur Celia Cruzin, pastaj Gloria Estefanin. Jam edhe unë aty. Marc Anthony është një aktor ikonik latin, pastaj edhe Ricky Martin. Por, kjo nuk është diçka që ndodhë vazhdimisht. Selena ishte e veçantë. Për këtë shkak ne vazhdojmë që të flasim për të edhe pas 20 vjetësh nga vdekja e saj. 

(Kosova Sot)