SHQIPËRIA NË PANAIRIN E LIBRIT NË LEIPZIG

  • 26 March 2017 - 18:19
SHQIPËRIA NË PANAIRIN E LIBRIT NË LEIPZIG

Ridvan Didra, Elona Çuliq, Elvira Dones, Shpëtim Selmani prezantojnë letrat shqipe

Letërsia shqipe do të jetë pjesë e panairit dhe festivalit të librit në Leipzig, i cili mbahet mes datave 23- 26 mars. Autorët që do të prezantojnë letrat shqipe janë Ridvan Didra (Shqipëri); Elona Çuliq (Shqipëri); Elvira Dones (Shqipëri - Zvicër); Shpëtim Selmani (Kosovë). Panairi i Leipzigut dhe festivali i tij i leximit " Leipzigu Lexon" janë ngjarja më e rëndësishme pranverore e librit evropian, duke bërë bashkë në këtë festë të librit lexues, autorë, përkthyes, shtëpi botuese e kritikë letrarë për të shkëmbyer eksperiencat dhe për të kuptuar tendencat e fundit të librit. Një ngjarje e tillë u jep mundësi edhe titujve shqip të njihen dhe të marketohen më mirë në arenën e madhe të botimeve evropiane, falë kontributit, bashkëpunimit dhe koordinimit të Ministrisë së Kulturës me rrjetin

TRADUKI. ALKIMIA E BALLKANIT- AS ME LINDJE, AS ME PERËNDIM

"Nuk është lindje, nuk është Perëndim - Alkimia e Ballkanit" është tema e madhe mbi të cilën do të diskutohet në panelet e rrjetit Traduki, me autorë nga Juglindja e Evropës dhe Evropa Qendrore, si dhe me lexues të huaj të interesuar. Ballkani - për qendrën e Evropës, ishte dhe gjithmonë do të jetë i huaj, ekzotik dhe i prapambetur. Raportimet e udhëtarëve të huaj, gazetarëve dhe politikanëve në lidhje me vendet e Evropës Juglindore dhe të rejat nga Veri - Perëndimi ishin dhe mbeten me negativitet të theksuar. Përmes shkëmbimit letrar, përkthimeve në kombinime të ndryshme gjuhësore, këto takime dhe panelet e diskutimit kanë për qëllim t'u mundësojnë evropianëve të njohin njëri-tjetrin më mirë, fqinjët e afërt dhe të largët, me dhimbjen e tyre, frikën, kënaqësitë, vlerat dhe historitë e tyre. Ndërsa audienca e Leipzigut, nëpërmjet letrave, do të njihet me faktin se Ballkani është një vend i mirë, me tokë të begatë, që eksploron vlera.

TITO ËSHTË I VDEKUR

Paneli i parë do të hapet me temën "Vajza të mira, djem të këqij?" Stefan Boskoviç, Elona Çuliq, Shpëtim Selmani do të diskutojnë rreth të qenurit i ri në një vend të Evropës Juglindore, të përballosh me sukses të shkuarën, pasiguritë ekonomike, si një proces kompleks dhe në një situatë të tillë disa vendosin të largohen dhe disa të qëndrojnë. Çfarë vendi zë në veprat e tyre trashëgimia sociale? Çfarë çmimi do të duhet të paguajnë nëse kundërshtojnë mendimin kolektiv? Pse Ballkani është ende një shtëpi e mirë? Më pas një tjetër temë do të jetë ajo mbi legjendat, peizazhet dhe historitë e lidhura me to, në veprat e dy shkrimtarëve: Ridvan Dibra, Cristian Teodorescu. Historia e ish Jugosllavisë do të vijë në temën "Tito është i vdekur". Bashkë, në një panel, brezi që jetoi Jugosllavinë dhe brezi i ri që e njohu vetëm nëpërmjet librave, rrëfimeve apo fotografive. Dino Bauk, Ethem Mandiç, Joze Pirjevec, Shpëtim Selmani,Dragan Velikiç, Nenad Veliçkoviç (autorë nga Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia janë të lexuar nga veprat e tyre të fundit). Më 24 mars do të jetë tema Tombola ose Hana përtej Identiteteve. Historia e Hanës, një prej femrave të përbetuara, që pas 14 vitesh është në kërkim të identitetit të saj si femër dhe historia e Mia-s 16- vjeçare, me vështirësi ekonomike dhe në kërkim të rrugës për të ardhmen, bëjnë një panel dy shkrimtaret: Susana Tratnik, Elvira Dones. "Varfëria ndër breza dhe perspektivat" është tema që do të vendosë përballë Elona Çuliq, lindur në Tiranë në vitin 1986 dhe Anna Ospelt, lindur një vit më vonë në Vaduz (Liechtenstein). Realiteti dhe çfarë i bënë të frymëzohen për të shkruar këto dy letrare të reja. A do të mund të shkruheshin në Alpe poezitë e Elona Culiq? A do mund t'i kuptonte poezitë lirike të Anna Ospelt lexuesi shqiptar? E kthyer në traditë, Nata Ballkanike mbledh bashkë romancierë e poetë, këtë vit për historitë e tyre me legjendat, të vërtetën, hakmarrjen, dashurinë për familjen dhe jetën me autorët : Gabriela Adamesteanu, Patrick Boltshauser, Georgi Gospodinov, Ridvan Dibra, Namik Kabil, Damir Karakas, Milena Markovic, Slobodan Snajder, Suzana Tratnik.

(Kosova Sot)