Trembëdhjetë fakte pak të ditura rreth aktores Greta Garbo

  • 26 March 2017 - 20:26
Trembëdhjetë fakte pak të ditura rreth aktores Greta Garbo

Garbo pushoi së aktruari kur i kishte 36 vjet.

Gjatë viteve 1920 dhe 1930, Greta Garbo u bë e famshme dhe mori shumë lëvdata për rolet e saj në filmat e "MGM"-it, sikur "The Torrent" (1926), "Anna Christie" (1930), "Mata Hari" (1931), "Grand Hotel" (1932), "Anna Karenina" (1935), dhe "Camille" (1936),raporton Gazeta Kosova Sot

Sytë mbresëlënës të aktores Greta Garbo, aktrimi subtil, si dhe bukuria delikate, i kishin bërë për vete shikuesit dhe kritikët, ku natyra e saj sekrete jashtë ekranit, vetëm sa e kishte rritur mistikën e saj. Në vazhdim ua sjellim 13 informata rreth saj, të cilat mund të mos i keni ditur. 

1. EMRI I SAJ I VËRTETË ISHTE GRETA LOVISA GUSTAFSSON E lindur në Suedi, më 18 shtator të vitit 1905, Greta Lovisa Gustafsson jetonte në varfëri me prindërit e saj dhe me dy fëmijë më të mëdhenj të familjes. Kur ajo kishte 14 vjet, i vdes i ati, një punë- tor i pakualifikuar, prandaj ajo fillon që të punojë në një berberhane dhe në një magazinë. Në vitin 1924, pasi që merr një bursë për studim të aktrimit në Teatrin dramatik mbretëror, ajo paraqitet në një film pa zë, të quajtur "The Saga of Gosta Berling". Duke dëgjuar këshillën e regjisorit, ajo ndërron mbiemrin në Garbo.

2. MGM-SË I PENGONTE THEKSI I SAJ SUEDEZ Kur arriti në Amerikë, në vitin 1925, Garbo nuk dinte aspak anglisht. Edhe pse më pas ajo e mësoi gjuhën angleze, ajo kishte një zë të trashë dhe një theks të fortë suedez. Për këtë shkak regjisorët hezitonin që ta kalonin atë nga rolet pa zë, te rolet me zë. Në vitin 1930 ajo paraqitet në filmin e saj të parë me zë, "Anna Christie", rol i cili i solli nominim për Oskar.

3. NUK DONTE QË REGJISORËT TA SHIHNIN GJATË SKENAVE INTIME Sipas Rouben Mamoulian, i cili bëri regjinë e filmit "Queen Christina" në vitin 1933, Greta Garbo i kishte thënë se, derisa bën skenat intime, nuk dëshiron që ta shohë regjisori, por aty duhet të jenë të pranishëm vetëm kameramani dhe ndriçuesi. Kur Mamoulian i kishte thënë se ai do të ishte aty gjatë të gjitha skenave, Garbo kishte pranuar në heshtje, dukshëm e pakënaqur.

4. KISHTE NOFKËN "SFINKSI SUEDEZ" Edhe pse Garbo ishte një yll ndërkombë- tar i filmit, ajo rrinte larg shtypit, fansave dhe ngjarjeve në Hollivud. Për shkak të kësaj natyre të saj mistike, ajo mori nofkën "sfinksi suedez". Në një intervistë, ajo ka deklaruar se, që nga fëmijëria, gjithmonë i kishte pëlqyer që të rrinte vetëm.

5. MUND TË KETË QENË SPIUNE GJATË LUFTËS SË DYTË BOTËRORE Në filma ajo luajti rolin e një spiuneje ruse, si dhe atë të Mata Harit, por edhe në jetën reale mendohet se Garbo kishte mbledhur informata rreth simpatizantëve të nazistëve në Suedi, për Shërbimin sekret britanik të inteligjencës.

6. LA AKTRIMIN ENDE PA MBUSHUR TË 40-TAT Me tri nominime për Oskar dhe me suksese të shumta në karrierë, Garbo u pensionua në vitin 1941, pas rolit të saj në komedinë romantike (e cila dështoi sa i përket shikueshmërisë), "Two-Faced Woman". Edhe pse kishte vetëm 36 vjet, Garbo pushoi së aktruari, duke mos u kthyer asnjëherë më në skenë, e as ekran.

7. KONSUMONTE SYTHA GRURI DHE SELINO Një shkrimtar që punonte për revistën "The Cut" e përshkruante dietën e aktores Garbo si "të tmerrshme". Garbo në fakt praktikonte këshillat e nutricionistit të të famshmëve, Gayelord Hauser, gjë që dmth se ajo konsumonte shumë perime, sytha gruri, jogurt, gjalpë dhe selino.

8. POSEDONTE NJËRIN NGA KËLYSHËT E RIN TIN TIN Rin Tin Tin, kudra e famshme e racës së pastorit gjerman, ishte një yll i madh filmik gjatë viteve 1920. Gjatë jetës së saj ajo polli rreth 48 këlyshë, ku Garbos i ishte dhuruar njëri prej tyre.

9. ENDE DEBATOHET RRETH SEKSUALITETIT TË SAJ Për dekada të tëra, studiues të filmit dhe biografë kanë diskutuar rreth seksualitetit të aktores Greta Garbo. Edhe pse kurrë nuk është martuar, thuhet se Garbo kishte lidhje si me burra, po ashtu edhe me gra. Thuhet se kolegun e saj, aktorin John Gilbert, e braktisi para altarit.

10. ISHTE KOLEKSIONISTE E MADHE E VEPRAVE TË ARTIT Pasi që la aktrimin, Garbo filloi që të mblidhte piktura dhe mobilie franceze të shekullit XVIII. Gjatë viteve 1950 dhe 1960 ajo vizitoi shumë galeri të artit, në kërkim të pikturave që donte t'i blinte. Pas vdekjes së saj, pikturat dhe mobiliet iu shitën në një ankand.

11. I PËLQENTE EMISIONI TELEVIZIV "HOLLYWOOD SQUARES" Duke folur rreth shijes së saj sa i përkiste TV-së, thuhet se Garbos i pëlqenin filmat e vizatuar, sikur psh "The Flintstones", megjithatë emisioni i saj i preferuar ishte "Hollywood Squares", një emision ku merrnin pjesë të famshmit.

12. NJUJORKEZËT KËNAQESHIN DUKE E SHIKUAR ATË NË PUBLIK Për gati katër dekada, Garbo rregullisht shëtiste rreth Menhetnit. Shëtitjet e saj nuk ishin të shkurtra. Edhe pse ajo maskohej duke veshur rroba meshkujsh dhe duke vënë syza të mëdha të diellit dhe kapela të mëdha, kishte njujorkezë të cilët menjëherë e dallonin dhe ishin të lumtur që e kishin parë atë.

13. FYTYRA E SAJ GJENDET NË KARTËMONEDHËN SUEDEZE PREJ 100 KORONASH Që nga viti 2015, Banka kombëtare e Suedisë ka filluar me vendosjen e figurave të rëndësishme të historisë suedeze në monedhat e veta. Në kartëmonedhën me vlerë 100 korona, gjendet së fundmi edhe fytyra e Greta Garbos. 

(Kosova Sot)