Shumë qytete në Kosovë akoma nuk kanë arritur të kenë muzetë e tyre

  • 29 March 2017 - 08:23
Shumë qytete në Kosovë akoma nuk kanë arritur të kenë muzetë e tyre

Rrecaj: Komuna e Prishtinës nuk ka bërë ndërhyrje për t'i restauruar apo meremetuar objektet e vjetra.

"Si mund të shpjegohet, fjala vjen, fakti se shumë qendra tona në Kosovë akoma nuk kanë arritur të kenë një muze, me kuadër dhe me kushte përkatëse, për mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë sonë kulturore! Pastaj, angazhimi apo punësimi i shumë kuadrove jopërkatëse në fushën e trashëgimisë kulturore, duke lënë anash kuadrin përkatës, vetëm pse ka preferenca të tjera partiake apo nuk i përket klanit të caktuar", ka thënë Lajçi.

Trajtimi i objekteve të trashëgimisë kulturore as për së afërmi nuk është adekuat me mundësitë, kërkesat dhe rrethanat specifike, që frymon Kosova e pas-vitit 1999. Thelbësore është, sipas tij, se ende nuk po vlerë- sohet rëndësia e së kaluarës historike nga ana e vendimmarrësve tanë, e cila më së miri vërehet me ndarjen e fondeve apo granteve shtetërore për rehabilitimin e tërë asaj pasurie kulturore, që e ka vendi ynë. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" studiues dhe ekspertë të fushës së trashëgimisë kulturore në vend. Sipas tyre, institucionet tona qendrore, por edhe ato komunale, në të shumtën e rasteve, kanë dështuar në mbrojtjen, studimin dhe prezantimin sa më të mirë të vlerave tona kulturore. Ylber Vokshi, arkitekt, ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se hulumtimet e reja në vazhdimësi duhet me qenë prioritet i shtetit tonë. "Në fazën e pranimit në institucionet ndërkombëtare, si në UNESCO, befason neglizhenca e institucioneve tona që me argumente bindëse që i kemi t'i kundërvihemi propagandës agresive të kundërshtarëve tanë", ka thënë Vokshi. 

Investimet në kulturë shpaguhen Sipas tij, ende nuk janë bindur vendimmarrësit tanë se investimet në këtë fushë shpaguhen shumëfish, me kusht që të ketë menaxhim profesional me njerëz të përgatitur në shkollat vendore dhe të huaja. Sipas Vokshi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur në këto vite. "Domosdo duhet ndryshuar filozofinë primitive të menduarit dhe të vepruarit të deri tanishëm. Forma e deritashme e funksionimit të kësaj fushe, ku kanë dominuar interesat partiake, klanore, regjionale apo individuale do t'i hakmerret kësaj shoqërie, pasi udhëheqja e këtij dikasteri shtetëror nga njerëzit joadekuatë dhe trajtimi joadekuat, në vazhdimësi do të dëmtojë këtë fushë kruciale për t' i treguar botës identitetin tonë në këto hapësira", ka thënë Vokshi.

Dështimet, në prag të UNESCO-s Kurse etnologu Bashkim Lajçi ka thënë se me keqardhje duhet të pranojmë se institucioneve u ka munguar vullneti i mjaftueshëm për sigurimin e kuadrit përkatës, për sigurimin e kushteve dhe ambienteve të caktuara për mbrojtjen dhe ekspozimin e këtyre vlerave, për prezantimin e tyre sa më të mirë, qoftë në vend, ashtu edhe jashtë vendit. "Si mund të shpjegohet, fjala vjen, fakti se shumë qendra tona në Kosovë akoma nuk kanë arritur të kenë një muze, me kuadër dhe me kushte përkatëse, për mbrojtjen dhe prezantimin e trashëgimisë sonë kulturore! Pastaj, angazhimi apo punësimi i shumë kuadrove jopërkatëse në fushën e trashëgimisë kulturore, duke e lënë anash kuadrin përkatës, vetëm pse ka preferenca të tjera partiake apo nuk i përket klanit të caktuar", ka thënë Lajçi, duke thënë se institucionet duhet të punojnë më shumë në këtë fushë. "Ndaj për të mos shkuar më tej me përshkrimin e gjendjes aktuale, mendoj se institucionet tona qendrore do të duhej që të angazhohen më shumë në krijimin e kushteve për mbrojtjen, studimin dhe prezantimin sa më të mirë të vlerave tona kulturore, në mos për tjetër gjë, atëherë edhe për faktin se ky është njëri ndër kushtet që kërkojnë edhe organizmat ndërkombëtare, në të cilat ne po mëtojmë të anëtarësohemi, si p.sh. UNESCO etj.", ka potencuar Lajçi. 

Dështimet në kryeqytet Edhe publicisti dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, Shkëlzen Rrecaj, është i mendimit se institucionet tona po e humbin betejën për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore në vend. Sipas tij, Kosova është një vend i pasur me vlera të trashëgimisë kulturore, që dëshmojnë identitetin e saj të lashtë, mirëpo këto vlera po rrezikohen në masë të madhe nga mungesa e ruajtjes dhe mbrojtjes së tyre. "Janë shumë objekte me rëndësi të veçantë, që janë afër shkatërrimit nga neglizhenca e institucioneve përgjegjëse. Po e marrë shembull Prishtinën, ku në këtë qytet janë rrënuar disa objekte të vjetra, në këtë rast Komuna nuk ka bërë ndërhyrje për t'i restauruar apo meremetuar këto objekte, dhe fatkeqësisht kemi ende objekte që janë afër shkatërrimit", ka pohuar Rrecaj, duke shtuar se kjo paaftësi po ndodh, për shkak që nuk e dinë rëndësinë e trashëgimisë kulturore. Sipas tij, një situatë e tillë krijon përshtypjen se institucionet nuk kanë interes që të merren me mbrojtjen nga shkatërrimi i këtyre monumenteve. "Pra, mendoj që duhet investuar më shumë në këtë drejtim, për arsye se është rritur numri i vizitorëve dhe që gjeneratat e ardhshme të dinë për trashëgiminë kulturore. Nëse vazhdon degradimi i këtyre monumenteve, atëherë mund të ketë pasoja që UNESCO ta vë në dyshim anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë", ka thënë Rrecaj.

(Kosova Sot)