Portreti i Nënë Terezës nga Strati ia zbardh fytyrën Kosovës

  • 19 April 2017 - 08:42
Portreti i Nënë Terezës nga Strati ia zbardh fytyrën Kosovës

Rexha: Vendi posedon një pasuri të madhe arkeologjik.

Për drejtorin e Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, ardhja e certifikatës së 'Ginisit' për Portretin e Nënës Terezë, punuar gjatë muajit nëntor nga Strati, ka një rëndësi të shumëfishtë, dhe nga fakti se edhe certifikata dhe mozaiku për Nënë Terezën do të mbesin pjesë e Muzeut,raporton Gazeta Kosova Sot

Kosova ka shënuar Ditën Ndërkombëtare të Monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike me një sërë aktivitetesh të ndryshme, përmes së cilave edhe një herë është promovuar pasuria e çmueshme e trashëgimisë kulturore në vend. Por, dhurata më e çmuar në këtë ditë ka ardhur nga Parisi, konkretisht certifikata e rekordit Ginis, për Portretin e Nënë Terezës, të punuar në Muzeun e Kosovës në nëntor të vitit të kaluar, nga mjeshtri Saimir Strati, duke përdorur 1.5 milion kapëse teli. Ka qenë vetë mjeshtri Strati ai i cili zyrtarisht në një ceremoni enkas për këtë ia ka dorëzuar certifikatën origjinale të 'Ginisit' Muzeut të Kosovës. Përveç kësaj, Muzeu i Kosovës ka organizuar edhe aktivitete të tjera, ndërsa Ansambli shtetëror i këngëve dhe valleve 'SHOTA' ka bërë një performim në qendër të kryeqytetit dhe ka hapur ekspozitën e përhershme me kostume, në lokalet e ansamblit "Shota". Dita Ndërkombëtare e Monumenteve dhe lokaliteteve arkeologjike që festohet çdo vjet më 18 prill, si duket tërheq vëmendjen për vetëdijesim për këtë pjesë të trashëgimisë, dhe për çdo vit vjen me një temë të caktuar. Kurse për këtë vit tema ishte "Trashëgimia kulturore dhe turizmi i qëndrueshëm".

Promovimi përmes Mozaikut të Nënë Terezës

Duke u lidhur edhe më temën e caktuar për këtë vit, Muzeu i Kosovës ka organizuar një sërë aktivitetesh. Por, momenti më i rëndësishëm ka qenë ceremonia zyrtare për dorëzimin e Certifikatës së Rekordeve 'Ginis', për Portretin e Nënës Terezë punuar në Muzeun e Kosovës në fund të këtij viti që shkoi nga mjeshtri i madh Saimir Strati. Për drejtorin e Muzeut të Kosovës, Skënder Boshtrakaj, ardhja e certifikatës së 'Ginisit' për Portretin e Nënës Terezë, punuar gjatë muajit nëntor nga Strati ka një rëndësi të shumëfishtë, dhe nga fakti se edhe certifikata dhe mozaiku për Nënë Terezën do të mbesin pjesë e Muzeut. Ai ka thënë se është zgjedhur kjo ditë për ceremoninë e rekordit 'Ginis', pasi është pikërisht në kuadër të temës së Turizmit të Qëndrueshëm dhe hyrja e Muzeut të Kosovës me mozaikun e Stratit në librin 'Ginis' është një njohje nga autoritetet botërore të 'Ginist'. Ai ka kujtuar se Mozaiku i Portretit të Nënë Terezës ka qenë lajmi më i përfolur ne mediet botërore, pas medaljes së artë që solli Majlinda Kelmendi nga Olimpiada e kaluar. "Pas medaljes së artë të Majlindës, lajmi për mozaikun e Stratit për Nënë Terezën ka qenë lajmi më i transmetuar në mediet botërore. Në këtë kuptim kjo vepër konsideroj se është plotësisht në frymën e turizmit kulturor", ka pohuar ai. Boshtrakaj ka kujtuar edhe aktivitete të tjera që ka organizuar Muzeu në këtë ditë, si "Shkolla për mozaik" me fëmijët e shkollave fillore dhe programi i ri që starton këtë vit "Muzeu kreativ", që si qëllim ka që përmes punës kreative, fëmijët të shprehin përshtypjet e tyre për koleksionet muzeore. 

Ruajtja e lokaliteteve arkeologjike

Ndërkaq, duke folur rreth rëndësisë që ka kjo datë për ruajtjen dhe promovimin e trashëgimisë arkeologjike dhe lokaliteteve, Enver Rexha ka thënë se kjo datë para së gjithash shërben për vetëdijesimin e publikut për rëndësinë e lokaliteteve arkeologjike dhe ruajtjen e tyre. Ai ka thënë se vendi posedon një pasuri të madhe dhe mesazhi i kësaj dite e ka një mision të thjeshtë, që kërkon të sensibilizojë komunitetin për mbrojtje të trashëgimisë, qasje dhe natyrisht ngritjen e moralit për rëndësinë e veçantë që kanë monumentet dhe lokalitetet arkeologjike. "Mendoj se edhe qytetarët tanë sikurse edhe qytetarët e vendeve të tjera ta shfrytëzojnë këtë ditë për vetëdijesim për ruajtjen e trashëgimisë kombëtare, përmes formave të ndryshme, takimeve, organizimit shkencor, botimit të fletushkave të ndryshme, etj.", ka thënë Rexha. Ndërsa ka thënë se duhet përmendur se jetëgjatësia dhe ruajtja e siteve arkeologjike kërkon punë në vazhdimësi dhe involvim të shumë institucioneve dhe vazhdueshëm. 18 prilli është shpallur Dita Ndërkombëtare e Monumenteve t? Kulturës dhe Siteve Arkeologjike nga organizatat e trashëgimisë botërore ICOMOS dhe UNESCO, që prej vitit 1982. 

(Kosova Sot)