Pa fond për përkthimin e autorëve tanë në gjuhët e huaja - Kulturë - Kosova Sot
Pa fond pėr pėrkthimin e autorėve tanė nė gjuhėt e huaja

Pa fond pėr pėrkthimin e autorėve tanė nė gjuhėt e huaja

Fazliu: Po përkthehen veprat e dobëta artistikisht

Institucionet shtetërore të Kosovës, konkretisht Ministria e Kulturës, duhet të themelojnë një institucion apo një fond të veçantë për përkthimin e veprave të autorëve tanë të letërsisë në gjuhët e huaja. Një mendim të tillë e mbështesin e dhe krijuesit tanë, pasi përkthimi i letërsisë së sotme shqipe të Kosovës në gjuhë të huaj bëhet shumë pak, në raste të rralla dhe në shumë rate me përpjekjet e vetë autorëve tanë, apo lidhjeve të tyre që kanë me krijues ose shoqata në vende të ndryshme. Shumë pak përkthimet e autorëve tanë bëhen me internim të botuesve të huaj. Zhvillimi i letërsisë së sotme shqipe në Kosovë, pavarësisht vlerësimeve të ndryshme, shpeshherë ka ndezur debate dhe jo pak interesimin e publikut evropian. Por, shumë vepra të mira letrare, të një niveli me atë që sot kultivohet edhe në letërsitë e zhvilluar të botës, mbeten pa u shijuar nga publiku i huaj, pikërisht për shkak të mospërkthimit të tyre. Edhe pse MKRS-ja ndan mjete për veprimtarinë botuese, duke përkrahur botime të shumta gjatë një viti, kjo nuk ndodhë për përkthimin e autorëve tanë në gjuhë të huaja. 

Kosova nuk ka shumë autorë që kanë krijuar përvojë dhe vlera

Në një prononcim për "Kosova Sot", shkrimtari Ramadan Thaçi ka thënë se institucionet duhet të krijojnë infrastrukturën e nevojshme për të bërë të mundur përkthimin e veprave të autorëve tanë në gjuhë të huaja. "Nuk kam dëgjuar deri tani se institucionet kompetente për letërsinë, si MKRS-ja, kanë krijuar brenda vetes së tyre ndonjë fond, program apo bazë ligjore për ta ndihmuar letërsinë kosovare për t`u publikuar në shtetet e tjera. Kjo do të bëhej përmes krijimit të një fondi për këtë qëllim dhe marrjes përsipër që përkthimi dhe shpërndarja në shtetet e tjera dhe në të gjitha kontinentet", ka thënë ai. Kjo për faktin, siç ka thënë ai, pasi Kosova nuk ka shumë autorë që kanë krijuar përvojë dhe vlera dhe të gjithë do të mund të prezantoheshin në këtë fushë në shtetet e tjera."Vetëm ta bëjmë një krahasim sa fonde harxhohen kot, kinse për udhëtime zyrtare (ekskursione zyrtare), ndërsa përkthimi dhe prezantimi i autorëve kosovarë në botë, përmes veprave të tyre, do të harxhonte pak mjete buxhetore dhe do të ishte një akt patriotik, moral dhe në interes të shtetit", ka pohuar Thaçi, duke shtuar se edhe krijimi i një institucioni përkthimesh të veprave të autorëve kosovarë në botë është nevojë, i cili do të kursente buxhet, pasi ky institucion përkthimesh do të themelohej brenda Ministrisë së Kulturës dhe do të punësonte përkthyes që do të paguheshin me pagën e shërbyesit civil. 

Nevojitet vullnet dhe dashuri për vendin dhe kombin

Sipas tij, rëndësi ta madhe ka prezantimi i vlerave tona letrare në botë. Ky prezantim, ka thënë ai, do të bëhej në gjuhët më të përfaqësuara në botë, si anglisht, spanjisht, frëngjisht dhe gjermanisht. Ndërsa ka pohuar se mjetet e shpenzuara do të kompensoheshin me shitjen e këtyre botimeve në ato shtete, përmes bashkëpunimit kontraktual me autoritete shitëse të librave në ato shtete, një pjesë të së cilave do ta merrte shitësi, një autori dhe një shteti (buxheti) i Kosovës. "Për ta bërë këtë punë civilizuese na nevojitet vullnet dhe dashuri për vendin dhe kombin dhe këtë mund ta bëjnë vetëm institucionalistët e civilizuar dhe njohës të fushës së letërsisë dhe drejtësisë vendore dhe botërore", ka potencuar krijuesi Thaçi. Edhe shkrimtari Zeqir Fazliu është shprehur se institucionet shtetërore të Kosovës duhet të mendojnë të ketë një mënyrë efikase për përkthimin e letërsisë kosovare në gjuhë të huaj. "Sigurisht se duhet krijuar një fond të tillë. Tani për tani po i përkthejnë veprat e veta ata që kanë para. Kjo nuk është mirë, sepse po përkthehen edhe vepra të dobëta artistikisht. Letërsia dhe poezia janë ambasadorja më e mirë për të njohur më mirë të tjerët", ka pohuar Fazliu, duke marrë si shembullin më të mirë Kadarenë, që, siç ka thënë ai, u përkthye në mi 40 gjuhë të huaja.

(Kosova Sot)

8 orë e 20 minuta më parë