Libri shqip, i margjinalizuar dhe i shpërfillur

  • 22 April 2017 - 09:30
Libri shqip, i margjinalizuar dhe i shpërfillur

Libri shqip vazhdon të përballet me vështirësi që po e ndjekin për vite me radhë, i margjinalizuar, i fyer, i papërfillshëm dhe i keqpërdorur. Në këtë gjendje librin dhe letërsinë shqipe e gjen edhe 22 prilli i sivjetmë, Dita Ndërkombëtare e Librit. Pavarësisht se letërsia shqipe në vitet e fundit po merr vlerësime të ndryshme rreth nivelit, studiues të letrave shqipe kanë dhënë mendime të ndryshme sa i përket librit dhe letërsisë shqiptare në Ditën Ndërkombëtare të Librit. Në një prononcim për "Kosova Sot", krijuesi Shaqir Foniqi ka thënë se Dita Ndërkombëtare e gjen librin në një gjendje aspak të mirë, siç ka thënë ai, e gjen të margjinalizuar, të fyer dhe të papërfillshëm,transmeton gazeta Kosova Sot.

MOSPËRFILLJA NDAJ LIBRIT Fatkeqësisht, ka thënë ai, po duket se fare pak njerëz e dinë këtë datë. Kam përshtypjen se populli po mësohet të jetojë edhe pa libër. "Vetëm një popull i dijshëm është i vlefshëm, i suksesshëm dhe i shëndetshëm. Kjo datë, librin në Kosovë e gjen të margjinalizuar, të fyer dhe të papërfillshëm", ka thënë Foniqi. Më tej, ai ka thënë se shoqëria kosovare po kalon në kaos, ku gjithçka tingëllon tallava. Libri duhet të presë, ose (larg qoftë), të zhduket krejt". Sipas tij, kjo është më tepër një brengë. Shton se letërsia shqipe vazhdon të mbesë mbrapa asaj evropiane. "Mjerisht, jo vetëm me letërsinë, por me shumëçka jemi prapa, hiç rastet individuale, sikurse është Kadare, i cili ka dëshmuar se edhe kombet e vogla, mund t'i japin botës letërsi të madhe", ka thënë ai, duke shtuar se duhet të punohet që një ditë edhe letërsia- kultura jonë të arrijë të jetë pjesë e kulturave të mëdha. Ndërsa Ardian Haxhaj, duke folur rreth gjendjes dhe vlerave letrave që kultivon sot letërsia shqipe, ka thënë se letërsia shqipe krijohet në kontinuitet, me ekuivokët e saj, me vlerat e saj të ndryshme. "Por, në qoftë se flasim për ndikimin e letërsisë shqipe te lexuesit dhe për pozitën e vetë krijuesve, atëherë tashmë dihet se e kemi gjendjen keq, madje shumë keq", ka thënë Haxhaj. VËSHTIRË PËR KRIJUESIT KOSOVARË Haxhaj nuk pajtohet me pohime se letërsia shqipe ka mbetur prapa asaj evropiane, pasi ka shtuar se, letërsia shqipe që krijohet si në Kosove, si në Shqipëri, dhe në vendet ku jetojnë dhe veprojnë krijuesit shqiptarë kanë nivel letrar dhe artistik të barasvlershëm me letërsitë e rajonit dhe me gjerë. "Çështja është mungesa e përkthimit të duhur në gjuhët e mëdha, si dhe qasja më profesionale e shtëpive tona botuese ndaj shkrimtarëve dhe krijuesve tanë në përgjithësi", ka pohuar ai. Kurse, shkrimtari Arsim Halili ka thënë se sot te ne ka një bollëk produksioni letrar dhe që është tregues për një kuantitet botimesh, por, siç ka thënë më tej, cilësia e botimeve lë për të dëshiruar. "Ky disproporcion ndonjëherë është shqetësues, ngase kjo mosgatishmëri për të ofruar te lexuesi më të mirën e mundshme, sikur lexuesit po i largon nga libri i autorit shqiptar dhe po hidhen në kërkim të librit të autorëve të huaj", ka pohuar Halili, duke shtuar se në njëfare forme letërsia jonë nuk është që nuk i ka tejkaluar kufijtë gjuhësorë shqiptarë, por që vazhdon të ketë një treg ende të pakët. "Prandaj, ne për të krijuar art të mirëfilltë letrar, duhet në mënyrë zinxhirore nga autori, botuesi, përkthyesi e deri te distributori të gjejmë mekanizma për të ofruar letërsinë shqipe te lexuesit evropianë përmes një letërsie konkurruese, ndryshe do të mbetemi pas edhe për shumë kohë", ka thënë ai. 

(Kosova Sot)