Lexoni me durim, kritikoni me fakte dhe citoni me respekt

  • 22 April 2017 - 16:32
Lexoni me durim, kritikoni me fakte dhe citoni me respekt

Shkruan: Avni Rudaku

ME SHKAS DITËN BOTËRORE TË LIBRIT DHE TË DREJTAVE AUTORIALE

Gazeta e parë e llogaritur, sipas autorit Hoxha, ngelet në Prizren

Kur lexuesi u kthehet librave të tillë të mëparshëm, ka nevojë të kuptojë rrethanat e botimit, sistemin politik të asaj kohe, ndalimin e lirisë së shprehjes së autorëve, censurat dhe autocensurat, lartësimin nga autori të Luftës Nacionalçlirimtare të partizanëve etj.

Në këtë fundjavë do të shënohet Dita Ndërkombëtare apo Botërore e Librit dhe të Drejtave Autoriale, me shkas datën e 23 prillit të vdekjes së autorit gjigant letrar spanjoll, Miguel de Cervantes Saavedra. Herë të tjera kemi shkruar edhe për historikun e kësaj dite dhe secili mund të shfletojë materiale se si lindi kjo për të nxitur diskutimin mbi rëndësinë e librit dhe të drejtave autoriale, por ne për këtë vit, në shenjë apeli për rëndësinë e librave, do të marrim shkas të flasim rreth një libri të botuar nga ish- "Rilindja" mbi shtypin gati njëqindvjeçar në gjuhën shqipe brenda Kosovës apo për zhvillimet brenda saj, ngase disa prej këtyre librave janë me vlerë edhe sot në pikëpamje shkencore dhe historiografike, të paktën për përdorim dhe referencë, pavarësisht edhe vëllimit të madh me përmbajtje ideologjike të lartësimit të Luftës Nacionalçlirimtare nga partizanët jugosllavë, qofshin serbë, shqiptarë e të tjerë; kryesisht trajtimit të shtypit shqiptar në mënyrë të shkëputur nga shtypi shqiptar në mërgatën e Bukureshtit, Sofjes, Athinës, Stambollit, Bostonit, etj., apo edhe të shkëputur nga shtypi i krijuar në Republikën e Shqipërisë. Por, autori Sherafedin Hoxha me librin "Shtypi i kombeve dhe i kombësive të Kosovës"(1871-1983), të botuar në vitin 1987, jep shumë të dhëna me rëndësi historike, të cilat nuk gjinden aq të strukturuara edhe në librat më të rinj mbi historikun e shtypit shqiptar! Ndonjëherë ne gjeneratat e reja të lexuesve, kemi një bindje të gabuar se nuk ka ndonjë libër serioz në të kaluarën dhe aq më pak në gjuhën shqipe, si p.sh., në fushën e shtypit, por vetëm në gjuhën angleze dhe për çdo temë që e hulumtojmë apo kërkojmë, gati se duhet t'ia fillojmë nga zero! Edhe kjo pikëpamje nuk është respekt për punën e të tjerëve që kanë kontribuar me veprat e tyre dhe përtojmë të gjurmojmë e kërkojmë. Shpesh shumë lexuesit të rinj tek ne mjaftohen me intuitën e tyre banale: "S'besoj se ka diçka mbi këtë temë"! Por, ja për shembull, në fushën e historisë së shtypit shqiptar, një libër i tillë mjaft ndihmues mund të jetë ky që po e prezantojmë! Prandaj, një sugjerim mbetet gjithmonë edhe në këtë kohë të vështirësive të padiskutueshme se çfarë të lexojmë më parë, se për disa tema që jo aq shumë janë të rrahura, duhet t'i kthehemi edhe disa librave më të vjetër sesa vetëm atyre aktualë në treg. Madje, janë bërë disa botime shumë serioze nga "Rilindja", ku janë përkthyer shumë vepra të shkencëtarëve, filozofëve dhe shkrimtarëve të huaj, si dhe tekstet e tyre edhe sot na ka ëndja për t'i lexuar nga serioziteti, korrektimi dhe redaktimi mjaft me përgjegjësi edhe në kuptimin e drejtshkrimit, leksikut, etj., e jo vetëm në atë të prerjeve ideologjike dhe lirisë së kushtëzuar e me ndëshkime!

GAZETA E PARË NË KOSOVË

Gazeta e parë e llogaritur sipas autorit Hoxha ngelet në Prizren. "Derisa administrata e Vilajetit të Kosovës gjendej në Prizren, u botua gazeta ,,Prizren", e cila doli prej vitit 1871 e gjer në vitin 1874. Ky publikim në fillim doli vetëm në turqishte e pastaj edhe në serbishte, që dilte si shtesë e përhershme. Shtypej në Shtypshkronjën e Vilajetit të Kosovës." (f.8) Ndërsa në historikun botëror, gazeta e parë e shënon ditëlindjen e vet në Gjermani në dhjetëvjeçarin e parë të shekullit XVII, por edhe kjo ka nxitur gjithmonë debate ndërmjet studiuesve, për shkak se formati dhe mënyra e paraqitjes së tekstit i ngjason librit, por jo gazetës. Faqja e gazetës nuk ndahej në kolona dhe me standardet e sotme të gazetarisë, por tamam si një faqe e librit të romanit. Në mesin e shumë temave, gazeta "Prizren" ka botuar materiale edhe nga aktualiteti, por kryesisht këto kanë qenë 'zëvendësime' edhe për portalet e sotme onllajn të Kuvendit të Kosovës, Presidencës, Kryeministrisë, ministrive, lloje buletinesh zyrtare. Ngjashmërinë më të madhe se me gazetat, e kanë buletinet, broshurat, fletushkat etj., por autori Hoxha nuk merret aq me këto kritere profesionale dhe nxitjen e diskutimit edhe mbi llojet e formateve për t'i emërtuar gazetat. Po ashtu, e diskutueshme mbetet vonesat e botimit në gjuhën shqipe brenda territorit të Vilajetit të Kosovës dhe autori Hoxha duke pyetur rreth arsyeve të daljes së gazetës në serbishte, e jo në shqip, jep disa nga shpjegimet e tij jo pak të arsyetuara: "Shpjegimet mbi këtë mund t'i gjejmë në faktin se ajo doli në kohën kur mbi Perandorinë Osmane bëhej presion i madh për njohjen e disa të drejtave të kombësive të krishtera, në kushtet kur pozita e Perandorisë, për shkak të krizës së lindjes ishte ndërlikuar bukur shumë dhe ajo e kishte humbur prestigjin në Evropë dhe në botë… Në qoftë se nuk e lejoi për myslimanët, pse këtë gjë nuk e bëri për hir të shqiptarëve të krishterë, që në atë kohë në trevën ku doli gazeta, numerikisht nuk ishin pak. Së pari, për shqiptarët e besimit mysliman turqit as që e shtronin çështjen e të drejtave kombëtare, dhe kulturore, me që ata i konsideronin turq, duke e argumentuar këtë edhe me një numër shqiptarësh që jetonin nëpër qytete dhe kishin pranuar gjuhën turke si gjuhë zyrtare, e një numër i konsiderueshëm i tyre e kishin përvetësuar edhe në të folmen në familje, në jetën e përditshme publike etj. Çështja e shqiptarëve myslimanë, pak a shumë është e qartë, ngase myslimanët nuk guxonin të shkruanin ndryshe përveç në turqishte ose me shkrimin e Kuranit, kurse katolikëve u ishte lënë që ta përdornin gjuhën shqipe në shërbimin kishtar, por jo edhe në komunikim publik dhe shoqëror. Me siguri se në këtë pikëpamje ka ndikuar edhe fakti se për shqiptarët, qoftë të besimit mysliman apo katolik, nuk kishte intervenime nga fuqitë e mëdha, apo nga vendet që kufizoheshin me Perandorinë Osmane…"(po aty, f.9) Sipas autorit të cituar, ekzemplarët e kësaj gazete kanë qenë të ruajtura në Bibliotekën e Beogradit, por me sulmet gjermane naziste në vitin 1941, ishte djegur edhe biblioteka dhe fatin e saj e kishte pësuar sipas gjitha gjasave edhe gazeta, ndërsa shumë gazeta e revista të tjera e të mëvonshme, pohon se gjinden në Bibliotekën e Beogradit, Arkivin e Kosovës, në Stamboll, etj.

GAZETA "KOSOVA"

"Kosova" ishte gazetë zyrtare e Administratës së Vilajetit të Kosovës. E boton Drejtorati i Administratës së Përgjithshme të Vilajetit të Kosovës në Prishtinë… Del një herë në javë në gjuhën turke (osmanishte) me alfabet arab, dhe pjesërisht në serbisht me alfabetin cirilik në 2 dhe 4 faqe. U shtypën gjithsej 550 numra në periudhën (1877- 1888)."(f.176) Edhe kjo gazetë, sikur ajo "Prizren", më shumë i ngjasojnë buletineve dhe broshurave administrative, juridike, ekonomike e politike të administratës së Vilajetit të Kosovës, sesa gazetave me kritere shumëdimensionale, si: aktualiteti, risia, botimi më i rregullt apo më i shpeshtë kalendarik, e jo i rrallë sikur për shembull, revistat, etj. Pjesa tjetër më interesante qëndron në gazetat në gjuhën shqipe në Beograd, edhe para viteve të ardhjes së xhonturqve, të cilët për të marrë përkrahjen e shqiptarëve, gati se identik me opozitën e sotme maqedonase të Zaevit, kishin lehtësuar disa rrethana për gjuhën shqipe në fushën letrare, arsimore dhe kulturore.

GAZETAT SHQIPE NË BEOGRAD

Kur lexova mbi gazetat shqipe në Beograd, veçoja si gjëra interesante edhe emrin e tyre, si "Toska", edhe datën e botimit të tjetrës më 28 qershor 1902, "Albania". Të huajt në përgjithësi, jo vetëm serbët, edhe më shumë stërtheksojnë "toskët" e "gegët", krahasuar me ne brenda. Po ashtu, data e 28 qershorit duket sërish me kunja nga memoria selektive dhe kolektive serbe: "festa e Vidovdanit serb"! "Në kohën kur gazeta ,,Toska" filloi të dalë më 1901, dhe kur po atë vit pushoi të dalë, i ashtuquajturi Komitet Shqiptar i Beogradit mendoi të botonte një gazetë me titull tjetër dhe atë e bëri në vitin 1902, kur nisi të botonte gazetën ,,Albania". Numri i parë i saj doli më 28 qershor 1902. U botua gjer në mbarim të vitit 1906. Doli në gjithsej 44 numra… Si gazeta e mëparshme ,,Toska", ashtu edhe ,,Albania" dilte në gjuhën shqipe dhe pjesërisht në gjuhën serbokroate. Për dallim nga ,,Toska" e cila dilte shqip dhe serbokroatisht, "Albania", përveç teksteve në këto dy gjuhë, pjesërisht botonte edhe materiale në gjuhën frënge, rumune dhe italiane." (një pjesë vep. e cit. f.58) Sipas të gjitha gjasave, këto gazeta ishin përpjekjet e Beogradit të atëhershëm për të nxitur kryengritjet e shqiptarëve myslimanë kundër Perandorisë Osmane! 

GAZETA "SHKUPI"

Gazeta e emërtuar "Shkupi" emrin e merrte edhe nga vendi i botimit në Shkup. Për dallim nga gazetat zyrtare të administratës së Vilajetit të Kosovës, kjo është pjesë e një grupimi tjetër individësh, pavarësisht mbrojtjes së ideologjive dhe pushteteve të caktuara të kohës. "Botim i grupit politik dhe kulturor të Shkupit… Kryeredaktor dhe redaktor përgjegjës: Jashar Erebara… Del një herë në 15 ditë në gjuhën shqipe dhe pjesërisht turke në 4 faqe… Doli në vitin 1908." (f.177) Këtu në Shkup, përmendet nga autori Hoxha edhe një gazetë tjetër me emrin "Kosova" në gjuhën shqipe, në vitet 1908-1910, por që thotë nuk është ruajtur asnjë ekzemplar. Edhe një tjetër nga serbët në Kosovë, si organ i Kuvendit të Krahinës së Vetë-administrimit të Kosovës në Prishtinë, dilte një herë në javë në vitin 1927, në serbishte; ndërmjet dy Luftërave Botërore, përkatësisht nën sundimin e Mbretërisë SerboKroate-Sllovene, kryesisht përmenden gazetat në gjuhën serbe dhe tek në vitet e Luftës së Dytë Botërore dhe pas saj, si "ZANI GLAS", gazetë ilegale nga Fronti i Përbashkët Nacionalçlirimtar i Kosovës dhe Metohisë në ilegalitet, në gjuhën shqipe dhe serbo-kroate, në periudhën 1942-1943; Lirija - Sloboda, organ i Lëvizjes Nacionalçlirimtare të Kosovës dhe Metohisë, ku ishte redaktor përgjegjës dhe kryeredaktor Esad Mekuli, në gjuhën shqipe dhe serbokroate në 10-20 faqe, në periudhën 1943-1944. Më vonë përmenden "Bujku i ri" (1949), "Ndërtuesi" (1949), "Agimi" nga Fronti Antifashist i Grave të Kosovës dhe Metohisë; revista "Shëndeti" për arsimim shëndetësor, një herë në muaj, në vitin 1954; buletini i Muzeut të Kosovës në vitin 1956 rreth muzeologjisë, monedhave të vjetra, arkeologjisë, etj.; "Fjala" - gazetë për kulturë e letërsi (pjesë dhe parafrazime të librit mbi kronologjinë e shtypit shqiptar).

FUND

Kur lexuesi i kthehet librave të tillë të mëparshëm, ka nevojë të kuptojë rrethanat e botimit, sistemin politik të asaj kohe, ndalimin e lirisë së shprehjes së autorëve, censurat dhe autocensurat; lartësimin nga autori të Luftës Nacionalçlirimtare të partizanëve, ngjashëm me regjimin e Enver Hoxhës për aradhat e veta nëpër filma, libra, këngë, etj. Mirëpo, në përgjithësi, ka shumë referenca, pjesë të shkëputura nga revistat origjinale, shpjegime të hollësishme, reflektime mbi ato që prezanton dhe mund t'i shërbejnë mjaft shumë studentëve të gazetarisë, sociologjisë, historisë, albanologjisë, shkencave politike, publicistikës, e tjerë e tjerë. Prandaj, përkujtimi më i mirë për datat e tilla të regjistruara nga UNESCO dhe organizata të tjera botërore, si 23-prilli, do të ishte kthimi te libri edhe me më shumë forcë, kohë, durim, motivim, koncentrim dhe për më shumë menaxhim të kohës në rrjetet sociale dhe artikujt e fragmentuar e të ngutshëm të portaleve. Madje, edhe kthimit drejt disa librave shumë më të hershëm si nga "Rilindja"! Në Ditën Botërore të Librit dhe të Drejtave Autoriale, mesazhi kryesor mbetet: trajtimi me dinjitet dhe respektimi i punës së të tjerëve! Ky respekt bëhet qoftë me leximin e punës së autorëve, qoftë me leximin kritik dhe kurrsesi dogmatik të tyre, qoftë edhe autori më gjenial i kohës, dhe qoftë edhe një fjalë të vetme, të lakohet emri i tij, se ai e ka thënë e jo ju! Thoni ju diçka, e tani ju citon dikush, ama veç thoni njëherë, e tani të tjerët hyjnë në obligim moral, akademik dhe ligjor për ta respektuar pronën tuaj!

(Kosova Sot)