Institucionet lënë në gjysmë renovimin e Xhamisë së Çarshisë

  • 24 April 2017 - 09:29
Institucionet lënë në gjysmë renovimin e Xhamisë së Çarshisë

Institucionet qendrore dhe lokale, vetëm me premtime

Dhjetëra premtime janë dhënë nga institucionet qendrore e lokale për renovimin e Xhamisë së Çarshisë në Prishtinë, por gjithçka ka mbetur vetëm premtim. I lënë jashtë vëmendjes së institucioneve i rrethuar me skele, ferra e mbeturina, tashmë një nga monumentet më të vjetra në vend, në qendër të qytetit, tregon fatin e shumë prej monumenteve të trashëgimisë që po kalojnë si rezultat i neglizhencës dhe mosbashkëpunimit ndërinstitucional. Përderisa zyrtarë të institucioneve, si ata qeveritarë ashtu edhe ata lokalë, kanë heshtur rreth pengesave dhe problemeve që po pamundësojnë renovimin dhe arsyetimin e qindramijëra eurove për këtë monument, ekspertë të fushës së trashëgimisë kanë drejtuar kritika në adresë të institucioneve vendore dhe lokale, duke pohuar se e tëra rreth këtij objekti po mbetet peng i mosbashkëpunimit të institucioneve dhe neglizhencës institucionale, raporton gazeta Kosova Sot

MKRS-ja është kompetente për këtë monument

Arkitekti Ylber Vokshi, ekspert i fushës së trashëgimisë monumentale, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se neglizhenca që institucionet po i bëjnë Xhamisë së Çarshisë është treguesi më i mirë i mospunës dhe moskoordinimit të institucioneve tona. "Kanë kaluar gjashtë vjet e restaurimi i Xhamisë së Çarshisë në qendër të Prishtinës, e njohur në popull si Xhamia e Gurit si objekti sakral më i vjetri i qytetit, ka mbetur në gjysmë, ende nuk është përfunduar falë mosmarrëveshjeve në mes të Kuvendit Komunal të Prishtinës dhe Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve si punëkryerës kryesor i punimeve", ka thënë Vokshi, duke shtuar se janë shpenzuar mjete të mëdha materiale, siç ka pohuar ai, mbi një gjysmë milioni euro e që nga viti 2011 objekti nuk është përfunduar, çka nuk mund të ketë arsyetim të qëndrueshëm. Sipas tij, befason edhe sjellja, siç ka thënë ai, e papërgjegjshme e MKRS-së, e cila po e lejon sjelljen e aktorëve të involvuar në këtë restaurim që gjashtë vjet. Meqë, ka thënë Vokshi më tej, ajo është kompetente për këtë monument të mbrojtur me ligj. Ai ka thënë se ndërhyrja e MKRS-së në rastin konkret është e domosdoshme, e përgjegjësit për situatën e krijuar duhet sanksionuar domosdo."Një situatë e tillë është e papranueshme si nga aspekti i funksionimit të munguar gjashtëvjeçar, ashtu edhe nga dëmtimet e mundshme fizike të monumentit të lënë në gjendje të tillë", ka thënë Vokshi. 

Nuk munguan edhe fërkimet ndërmjet institucioneve

Edhe etnologu Bashkim Lajçi ka adresuar kritika në adresë të institucioneve. Sipas tij, institucionet kanë dhënë shumë shembuj se nuk e kanë vullnetin e duhur për të mbrojtur dhe për të kthyer në një ndërtesë me rëndësi historike dhe monumentale."Sikurse edhe në rastet e tjera, edhe në këtë rast, neglizhimi dhe mosvullneti i institucioneve përkatëse për t'i mbrojtur monumentet hetohet edhe me rastin e xhamisë në fjalë! Kur ka vullnet ka edhe zgjidhje, kur nuk ka vullnet nuk ka as zgjidhje", ka pohuar Lajçi, këshilltar shkencor në Institutin Albanologjik të Prishtinës. Që nga fillimi i renovimit të këtij monumenti kishte rezerva rreth renovimit, si nga ekspertë ashtu edhe nga Komuna e Prishtinës, ku nuk munguan edhe fërkime në mes institucioneve. Madje zyrtarë komunalë me këmbëngulje kanë thënë se transferi dhe puna e kryer duhet të hetohen nga organet kompetente. 

(Kosova Sot)