Kultura, nën kthetrat e politikës

  • 25 April 2017 - 09:24
Kultura, nën kthetrat e politikës

Hoxha: Në Drejtoritë komunale për Kulturë, Rini dhe Sport, njerëz që nuk kanë njohuri për kulturën

Ka vite që kultura nëpër komunat kosovare po zhvillohet me mjaft vështirësi. Përjashtuar raste të rralla, një festival apo shfaqje teatrore dhe aktivitete të tjera minore, pothuajse asgjë nuk ndodh në komunat kosovare në aspektin kulturor. Sidomos, gjendje më e rëndë është në komunat e vogla. Një situatë e tillë po godet direkt komunitetin kulturor në komunat përkatëse, duke i lënë ata nën hijen e aktiviteteve në kryeqytet, edhe pse figura të njohura të artit dhe kulturës sonë vijnë nga komuna e ndryshme të vendit. Për njohësit e zhvillimeve kulturore në vend, përveç stagnimeve ekonomike, që s'do mend se godasin direkt zhvillimet kulturore, një pjesë të mirë të fajit e bartin edhe institucionet nëpër komunat e Kosovës.

Politika t'ua lë në dorë kulturën profesionistëve

Krijuesi dhe studiuesi Skënder Hoxha, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se aktivitetet kulturore stagnojnë, ngase në Drejtoritë komunale për Kulturë, Rini dhe Sport janë drejtorë politikë dhe nuk kanë fare njohuri për kulturën. "Kështu, të nivelit mediokër e kanë 'stafin' e kësaj drejtorie. Flas për komuna të mëdha të Rrafshit të Dukagjinit, (Gjakovë dhe Pejë). Drejtorët, po edhe shefa e të tjerë, të vetëquajtur, nuk kanë fare lidhje me kulturën, nuk e njohin atë dhe, si të tillë, nuk kanë ide për ruajtjen, kultivimin as zhvillimin e vlerave të mirëfillta kulturore!", ka thënë Hoxha, duke shprehur edhe dyshimin për keqpërdorim mjetesh, dhe në raste, siç ka thënë ai, kur njerëzit e kulturës paraqesin kërkesat e tyre për mbështetje financiare për realizimin e ndonjë projekti, përgjigjja e tyre është negative". "S'kemi mjete...". Ndaj, ka pohuar ai politika duhet hequr dorë nga kultura! "Në Drejtori të Kulturës duhet të emërohen njerëz me ngritje shkollore - njerëz të kulturës e jo njerëz të politikës. Përndryshe, në dy komuna të mëdha të Rrafshit të Dukagjinit, gjendja e kulturës, për shkak të keqmenaxhimit të atyre antikulturorëve, është e dhimbshme. Për këtë do t'i qortojë historia nesër", ka thënë krijuesi Skënder Hoxha. Edhe producenti Avni Abazi ka pohuar gjendjen e rëndë të kulturës nëpër komuna kosovare, që vjen si shkak i mungesës së vullnetit nga organet vendimmarrëse. Sipas tij, kryesisht në pothuaj tërë Kosovën ka munguar vullneti politik që t'i jepet përparësi kulturës dhe artit. "Edhe ato pak aktivitete të shënuara janë më shumë aktivitete militanteske të partive që udhëheqin nëpër komuna, sesa që prezantojnë vlera zbulimesh të talentëve ose aspekteve profesionale", ka thënë producenti Avni Abazi, raporton gazeta Kosova Sot

Aktivitete pa kreativitet

Kurse shkrimtari Ismet Tahiraj ka thënë në një prononcim për "Kosova Sot" se në shumë komuna në fjalën e parë ndeshesh se nuk kanë buxhet të mjaftueshëm dhe kjo, ka thënë ai, bëhet për të të hequr qafe. Sipas tij, kjo vjen si rezultat i vendosjes së njerëzve të padijshëm në poste udhëheqëse. Sipas tij, më e goditura nga gjithë kjo neglizhencë institucionale është rinia, e cila, sipas tij, është e etshme për aktivitete të ndryshme kulturore. "Deshëm o nuk deshëm jemi fajtorë ne që bartim në krahët tonë kulturën shpirtërore e pastaj akuzojmë rininë pa asnjë shkak", ka pohuar ai, duke përmendur mungesën e teatrove amatore, e iniciativave të tjera kulturore në të mirë të edukimit kulturor për rininë kosovare. Më tej Tahiraj ka potencuar nevojën e botimit të revistave apo gazetave kulturore nëpër komunat kosovare, pasi, siç ka thënë ai, aty mund te jepet i gjithë thesari i diturisë sonë të trevave të ndryshme dhe potencialin e rinisë. "Secila komunë me mjete modeste do të nxirrte gazetën e vet informative kulturo-artistike-letrare së paku 6 numra në vit. Aty do të jepej kontributi i gjithanshëm kulturor dhe në këtë mënyrë lindin edhe penat e reja. Komuna ka obligim jo vetëm moral, por edhe ligjor t'u ofrojë një gjë të tillë qytetarëve të vet", ka pohuar Tahiraj. Ndërkaq, studiuesi Avni Rudaku ka pohuar se gjithë kjo varfri kulturore nëpër komunat tona vjen, pasi në komuna të vogla në përgjithësi ka aktivitete minimale. Komunat tona, ka thënë ai, janë shndërruar në qendrat për kulturë vetëm në përkujtime e tubime heronjsh, pasi nuk ka organizime, nuk ka menaxhim të duhur, kreativitet i varfër, buxhet i ulët dhe pak kërkesa e trysni nga bashkësitë lokale për konsum kulturor, ndërsa bashkëpunim inekzistent i MKRS-së me komunat dhe hedhja e përgjegjësisë herë te njëra e herë te tjetra.

(Kosova Sot)