Vonesat, shkas për paragjykime

  • 26 April 2017 - 09:25
Vonesat, shkas për paragjykime

Muharremi: Nëpër kafe merren vesh për çmimet

Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit ende nuk ka ndarë çmimet kombëtare për Teatrin, edhe pse tashmë ka kaluar pothuajse një muaj nga koha e caktuar për ndarjen e çmimeve, ashtu siç parashihet me rregulloren për ndarjen e këtij çmimi. Ndarje e çmimeve nga ana e MKRS-së jo pak herë është vënë në thumb të kritikave nga komuniteti artistik -kulturor në vend, ku janë adresuar kritika për shpërblime dhe dhënie çmimesh pa meritë, por në bazë të favoreve të ndryshme, duke filluar nga ato politike, deri tek ndikimet klanore. Andaj, sipas njohësve të zhvillimeve teatrore në vend, kjo vonesë e MKRS-së për të ndarë këtë çmim ashtu edhe si parashihet me rregulloren për ndarjen e këtij çmimi dhe datën simbolike, lë hapësirë për paragjykim të shumta. Bile, sipas tyre, kur po i ofrohen gjysmës së viti 2017 nuk ka kuptim që të ndahet një çmim për vitin paraprak. Zyrtarë të MKRS-së nuk kanë bërë të ditur arsyet pse deri më tani është shtyrë dhënia e këtij çmimi. Në një prononcim të shkurtër për "Kosova Sot" Ndue Ukaj, këshilltar i ministrit të Kulturës, Kujtim Shala, nuk ka dhënë shumë informata për gazetën lidhur me mosndarjet e çmimeve kombëtare për Teatrin. Ukaj nuk ka treguar as emrat e konkurrentëve të sivjetmë për çmimet, vetëm ka bërë të ditur se në ditët në vazhdim do të dihen fituesit. "Vlerësimet e jurisë sapo kanë përfunduar dhe këto ditë bëhen të ditur laureatët", ka thënë këshilltari Ukaj, në një prononcim të shkurtër për "Kosova Sot", raporton gazeta Kosova Sot

Vonesat lidhen me problemet e brendshme në ministri

Në anën tjetër, njohës të zhvillimeve kulturore -teatrore në vend kanë thënë për "Kosova Sot" se ka vite që ndarja dhe dhënia e çmimeve përcillet me shumë dyshime dhe vërejtje nga komuniteti artistik, duke i lidhur me këto probleme edhev vonesat e deritashme për ndarjen e çmimeve kombëtare vjetore për Teatrin. Në një prononcim për "Kosova Sot", Ilir Muharremi, profesor në UP, për "Kosova Sot" është shprehur se kjo lë mundësinë që vonesat të lidhet edhe me probleme të brendshme në MKRS. Ai ka thënë se ministria mund të ketë presion nga ndikimet e jashtme për çmimin. Ai ka thënë se gjithmonë tek ne çmimet janë subjektive. 

Neglizhencë në kulturë

Ndërsa për krijuesin Dan Ibrahmi, vonesa lidhet me papërgjegjësinë e MKRS-së lidhur me trajtimin që po i bëhet fushës së Teatrit. Bile ai ka thënë se nuk ka kuptim që tashmë ku po i ofrohemi gjysmës së viti 2017 të ndahet një çmim për vitin 2016. Ai ka thënë se ky rast tregon neglizhencë ndaj kulturës, sikur të mos ishin Ministri e Kulturës. Çmimet kombëtare për Teatër ndahen çdo vit për të nderuar doajenët e skenës teatrove në vend, sukseseve vjetore, si dhe prezantimet ndërkombëtare. Në bazë të rregullores për ndarjen e çmimeve kombëtare për Teatrin, të miratuar më 2014 dhe nënshkruar nga ish-ministri i Kulturës, Memli Krasniqi, ky çmim ndahet në Ditën Ndërkombëtare të Teatrit më 27 mars, ndërsa konkursi për këtë çmim hapet jo më vonë se 30 ditë. Çmimi kombëtar për vepër jetësor, që u jepet personaliteteve të shquar të Teatrin ka vlerë 5 000 euro. Ndërsa çmimet vjetore ai për Shfaqjen më të mirë, Aktorin ose aktoren më të mirë, regjia më e mirë dhe prezantimi më i mirë ndërkombëtar kanë vlerë 2500 euro, para këto që sigurohen nga MKRSja. 

(Kosova Sot)