Me art të bukur sensibilizohet opinioni për të pagjeturit

  • 28 April 2017 - 09:01
Me art të bukur sensibilizohet opinioni për të pagjeturit

Berisha: Bartje e porosisë për qytetërimin bashkëkohor.

Për disa minuta, të enjten artisti Jeton Muja ka mbajtur një performancë artistike para ndërtesës së Qeverisë së Kosovës si shenjë proteste ndaj, siç ka thënë edhe ia vetë, të mos punës së institucioneve shtetërore për fatin e të pagjeturve. Peformanca është titulluar "A po merr vesh shqip", kurse thirrja e Mujës drejtuar institucioneve këtë herë është bërë në gjuhën serbe. Pikërisht për të shprehur revoltën ndaj tyre. Që nga pas lufta mbi 1 500 kosovarë ende figurojë të zhdukur për fatin e të cilëve ende nuk dihet gjë. Forcat serbe gjatë luftës kryen masakra të tmerrshme, po më e tmerrshme ishte mbledhja e kufomave nga serbët dhe tretja e tyre në Serbi, për të fshehur gjurmët e krimit. Për 18 vjet shoqëria civile kërkon zbardhjen e fatit të të zhdukurve, duke bërë presion tek autoritetet. Një rol në këtë çështje ka luajtur dhe po luan edhe komuniteti kulturor. Bile puna e tyre po shihet si mjaft me peshë. Andaj dhe performanca artistike e së enjtes e Mujës, po shihet si një mjet mjaft me rëndësi për sensibilizimin e opinionit, jo vetëm atij të brendshëm por edhe të jashtë për fatin e të pagjeturve në Kosovë,shkruan gazeta Kosova Sot.

Performancat artistike mund të kenë efektin e pazëvëndësueshëm

Për Komunitetin artistik në vend, edhe krijuesit dhe performuesit kulturorë mund të bëjnë punë të duhur për të pagjeturit, bile, sipas tyre, ata tashmë kanë kohë që e kanë bërë këtë, duke organizuar e mbajtur performanca, ekspozita e aktivitete të tjera kulturore për të pasqyruar krimet serbe dhe sensibilizuar opinionin. Madje, ato ishin organizuar deri në Beograd. S'do mend se kanë dhënë rezultat dhe edhe duhet të vazhdohet me to. Në një prononcim për "Kosova Sot", Naim Berisha, aktor dhe themeluesi i Ditës Vendore të përkujtimit të viktimave në komunikacion, ka thënë se çdo iniciativë sensibilizuese për çështjen e fatit të të zhdukurve, është rikthim në kujtesë, përkatësisht në emocion, për ne si kombe dhe bartje e porosisë për qytetërimin bashkëkohor që duke i kujtuar këto raste se pari si trajtim humanitar, të ngjallet empatia për ta, duke kërkuar me ngulm dhe zbardhjen e fatit të tyre. "Performancat artistike me këtë temë mund të kenë efektin e tyre të pazavëndesueshëm si impuls sensibilizimi vetëm se duhet që të punohen dhe realizohen nga artistë kompetent profesionalisht dhe jo nga profiterë të caktuar ( të cilët shumë kollaj devijojnë nga tema dhe trajtimi serioz dhe profesional i kësaj teme)", ka thënë Berisha.

Fuqia e artit është shumë e madhe

Edhe Avni Rudaku, studiues dhe ekspert në çështjet sociokulturore, ka thënë se fatin e të pagjeturve e kanë eksploruar edhe artistët kosovarë si Jeton Muja, i cili për mbi një dekadë merret me fatin e të zhdukurve! "Në veprat e tij artistike dhe performancat, përpiqet ta shfrytëzojë artin, por më shumë se me art, duhet edhe organizime shtesë gjithëpopullore për të bërë trysni ndaj autoriteteve përgjegjëse. Mirëpo, fuqia e artit është shumë e madhe, pasi vetëm një foto e një nëne që nuk e ka familjarin e saj në tryezë ushqimi, ka sensibilizuar për fatin e të zhdukurve, më shumë se shumë zyrtarë përgjegjës vendorë e ndërkombëtarë!", ka thënë ai, duke shtuar se ka pasur mjaft aktivitete dhe performanca artistike për të zhdukurit, por jo aq shumë dhe me impakt, sa do të mundeshin të mbaheshin. Ndërsa artisti Jeton Muja, i cili shfaqi të enjten performancën e tij, para Qeverisë, përmes së cilës i bëhet thirrje qeverisë për t'u angazhuar më shumë për të pagjeturit, ka thënë se çdo kush duhet të angazhohet për këtë çështjes sipas mënyrës së tij. Ndërsa ka thënë se institucionet nuk kanë bërë atë që është dashur të bëjnë për të zbardhur fatin e të zhdukurve gjatë luftës në Kosovë. "Ka shumë vjet që merrem me sensibilizimin e opinionit lidhur me të zhdukurit përmes artit dhe deri më tani kam parë që nuk ka një mirëkuptim nga institucionet. Andaj, edhe kam zgjedhur një mënyrë më ndryshe për të shprehur protestën ndaj këtij mosmirëkuptim të institucioneve", ka thënë Muja për "Kosova Sot".  

(Kosova Sot)