Vlerësimi i filmave kosovarë nga të huajt, hap i gabuar

  • 29 April 2017 - 09:10
Vlerësimi i filmave kosovarë nga të huajt, hap i gabuar

ANGAZHIMI I TË HUAJVE NË JURINË PËR PËRZGJEDHJEN E PROJEKTEVE FILMIKE PËR VITIN 2017

"Vlerësimi i temave të trajtuara nga skenaristët tanë për ngjarjet që zhvillohen në Kosovë është për të ardhur keq dhe për t'u vajtuar. Një kineast i huaj ka tjetër mentalitet dhe tema e trajtuar nga skenaristët tanë nuk mund të vlerësohet prej tyre, përveç kur paraprakisht bëhet një koproduksion. Në raste të tilla fillon bashkëpunimi, në të kundërtën është gabim total e i pafalshëm", ka thënë Sahitaj

Angazhimi i ekspertëve të huaj të fushës së kinematografisë nga Qendra Kinematografike në jurinë për përzgjedhjen e projekteve të metrazhit të gjatë, që do të marrin fonde publike, edhe këtë viti është komentuar me tone të ndryshme nga kineastët tanë. Mbi të gjitha, nuk janë të pakët edhe ata, të cilët janë kundër këtij angazhimi, pasi QKK-ja e ka për detyrë të jetë në shërbim të zhvillimit dhe të interesit kombëtar kinematografik dhe, siç janë shprehur kineastët tanë, një kineast i huaj ka tjetër mentalitet dhe tema e trajtuar nga skenaristët tanë nuk mund të vlerësohet prej tyre. Kurse zyrtarë të QKK-së, duke arsyetuar angazhimin anëtarëve, ekspertëve të huaj në jurinë e saj, kanë thënë se ajo parashihet me Rregulloren për Punën e Jurisë Vlerësuese. Por, nuk kanë treguar nëse edhe Qendrat Kombëtare të Filmit të vendeve fqinje angazhojnë të huaj në juritë e tyre dhe nëse ndonjë nga ekspertët tanë të filmit të jenë apo të kenë qenë pjesë e jurisë së ndonjë Qendre Kombëtare të Filmit të vendeve fqinje, shkruan gazeta Kosova Sot.

SUKSESET E INDUSTRISË SË FILMIT NË KOSOVË

Producenti dhe aktori Avni Abazi lavdëron juritë e deritanishme që kanë qenë ne konkurset e QKK-së, madje, siç ka thënë ai, ka filluar të përgatitet për të konkurruar me një ekip shumë serioz ndërkombëtarësh për konkursin e radhës në QKK. Sipas tij, është diçka e jashtëzakonshme ardhja e producentëve, regjisorëve dhe kineastëve, filmat e të cilëve janë shpërblyer, distribuuar dhe kanë qenë të renditur në dhjetëshen e parë si filmat më të shikuar në SHBA e mbarë Evropën. "Shembuj të tillë të prurjeve glamuroze të artistëve ndërkombë- tarë në juritë e QKK-së kemi shumë këto vite të fundit dhe nuk po dua t'ua përmend emrat se mos po i ngelet hatri ndonjërit nëse do ta harroja emrin. Prandaj, edhe industria filmike në Kosovë është kaq e suksesshme", ka thënë Abazi, ironikisht.

TEMAT MODERNE TË SKENARISTËVE 

Në fakt, duke shprehur mospajtueshmërinë e tij më politikat e QKK-së, veçanërisht angazhimin e të huajve në jurinë për përzgjedhjen e projekteve filmike, Abazi ka vazhduar se temat që kanë kaluar nëpër këto juri janë më moderne se në vendet nga vijnë këta artistë të famshëm ndërkombëtarë, dukë filluar nga temat LGBT, tema e prostitutave që vijnë në fshatin e lodhur me shqiptarë e deri te temat me të çmendurin që vrapon pas sorrave. Duke vazhduar përgjigjen e tij, në pyetjen e Gazetës, po ironikisht dhe duke thumbuar QKK-në, Abazi ka vazhduar se fenomeni i sjelljes së këtyre ndërkombë- tarëve shumë të jashtëzakonshëm në vendin tonë i ka zënë në befasi skenaristët vendorë, për faktin që nuk po gjejnë tema aq moderne, universale multietnike, që do të mund të ishin interesante për këto juri. "Prandaj, jemi në përgatitje me një ekip ndërkombëtarësh të skenarit me të cilin do konkurrojmë në konkursin e radhës në QKK. Kemi një producent me emrin Jhon, një bashkëskenarist me emrin Smith dhe një francez që nënën e ka gjermane", ka ironizuar ai, duke vazhduar se tema është marrë nga substrati urbano- modern i multietnicizmit ndërkombëtar, ku kemi një dashuri pasionante në mes të një ndërkombëtari mashkull, që bie në dashuri me një serb të Kosovës dhe një shqiptar të Malësisë", ka thënë ai. 

TË HUAJT NUK MUND TË VLERËSOJNË PROJEKTET SHQIPTARE

Për dallim nga Abazi, kritiku i filmit Reshat Sahitaj ka qenë direkt në kritikën e tij. Ai ka thënë se angazhimi i kineast- ëve të huaj për vlerësimin e projekteve filmike shqiptare është një hap i gabuar dhe shenjë e servilizmit dhe kompleksit të inferioritetit. "Vlerësimi i temave të trajtuara nga skenaristët tanë për ngjarjet që zhvillohen në Kosovë është për të ardhur keq dhe për t'u vajtuar. Një kineast i huaj ka tjetër mentalitet dhe tema e trajtuar nga skenaristët tanë nuk mund të vlerësohet prej tyre, përveç kur paraprakisht bëhet një koproduksion. Në raste të tilla fillon bashkëpunimi, në të kundërtën është gabim total e i pafalshëm", ka thënë Sahitaj, Kurse, regjisori Besim Ugzmajli ka thënë se angazhimi i regjisoreve dhe i ekipeve të huaja në film ose në çfarëdo institucioni tjetër mund të ndodhë duke respektuar ligjet në fuqi. "Pra, nuk mund të themi nëse kjo është e drejtë apo jo, thjesht duhet respektuar ligjet dhe rregulloret e institucioneve përkatëse, në këtë rast Ligjin për kinematografi", ka thënë Ugzmajli. Kurse, zëdhënësja e QKK-së, Vesa Qena ka thënë se për angazhimin e të huajve në jurinë e QKK-së është vendosur në bazë të Rregullores për Punën e Jurisë Vlerësuese. " QKK-ja ka vendosur në bazë të Rregullores për Punën e Jurisë Vlerësuese ku thuhet se së paku 2 (dy) nga anëtarët e jurisë vlerësuese të filmit artistik të metrazhit të gjatë duhet të jenë të huaj - ekspertë të fushës së kinematografisë", ka thënë ajo, duke shtuar se secili vend i ka rregulloret e tyre për vendimmarrje, njësoj edhe QKK-ja synon të ketë një juri sa më të mirë, ekspertë të fushës së kinematografisë.

(Kosova Sot)