HALLAKATJE NË LISTËN HALLAKAMË TË MINISTRISË PËR KULTURË

  • 30 April 2017 - 09:38
HALLAKATJE NË LISTËN HALLAKAMË TË MINISTRISË PËR KULTURË

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

J anë disa vështirësi kur taksapaguesi kosovar e merr për ta analizuar listën e përfituesve të subvencioneve nga Ministria për Kulturë, Rini dhe Sport, për skenën e pavarur kulturore dhe artistike. E para, nuk janë të përshkruara më detajisht lloji i aktivitetit dhe çka konkretisht është subvencionuar. Për shembull, në tabelë paraqitet se aktiviteti i artit pamor "Ekspozitë personale në Seul të Koresë së Jugut", subvencionohet në shumën prej 900 eurosh, ndërsa nuk është e qartë se a bëhet fjalë për biletën e aeroplanit Prishtinë-Seul, apo edhe për shpenzimet e tjera. E dyta, disa OJQ nuk kanë profile e faqe të qarta zyrtare, në të cilat mund të shohësh se me çfarë merren, misionin dhe llojin e veprimtarive, apo ekzistojnë sa për këto subvencione.

E treta, ngatërrimi i aktiviteteve kulturore të MKRS-së. Nuk përkufizohet aktivitet kulturor-artistik, nëse ju shkoni në librari me 1 mijë euro, i blini librat dhe e furnizoni bibliotekën publike të një komune! Në lajmin e MKRS-së, këto janë të ngatërruara: aktiviteti kulturor-artistik me furnizim librash. Sidoqoftë, përtej këtyre vështirë- sive, ne do të paraqesim disa nga mëdyshjet, kritikat, refuzimet dhe absurditetet e kësaj liste. Le të shkojmë radhazi: 1. Lajmi në portalin qeveritar të Ministrisë për Kulturë, Rini dhe Sport kishte këtë titull: "MKRS-ja subvencionon aktivitetet e pavarura kulturore dhe artistike me rreth 900 mijë euro"! Sikur titulli, sikur përmbajtja e lajmit, nuk përkojnë krejtësisht me faktet. Në tabelën e listës së përgjithshme, është ndarë edhe tabela me titullin: "Divizioni i librit - Bibliotekat". Kush janë përfituesit e subvencioneve të MKRS-së? Shumica e bibliotekave publike dhe komunale të Kosovës. Po i numërojmë disa prej tyre: Biblioteka Komunale - Malishevë (1000 euro); Pasurimi i bibliotekës me libra - Biblioteka "Dëshmorët e lirisë" - Deçan (1000 euro); Pasurimi i bibliotekës me fond librar - Biblioteka e qytetit - Lipjan (1000 euro); Bibliografia e librit shqip - BKK "Pjetër Bogdani" me 20 mijë euro, dhe kështu pra, janë shumica, si biblioteka komunale dhe të qyteteve në Mitrovicë, Ferizaj, Pejë, Gjilan, Obiliq; nuk janë biblioteka private apo të pavarura, por publike dhe komunale edhe nga vetë emërtimi i tyre. Po ashtu, edhe në sektorë të tjerë të kulturës, si në artet skenike e muzikore, ka subvencione për "Muajin artistik në Fakultetin e Arteve dhe ura në tri harqe", në Universitetin Publik "Hasan Prishtina", me 1900 euro, e tjerë e tjerë.

Pra, është obligim i zyrtarëve publikë të jenë qind për qind të saktë kur informojnë publikun e gjerë. Në këtë listë përfshihen jo vetëm organizata joqeveritare, por edhe institucione publike dhe komunale. Ndonjëherë nga ngatërrojnë edhe vendin e mbajtjes me organizatorin! 2. Teatrot nën subvencionim! Në këtë listë, ka disa teatro që marrin shumën fiks prej 15 mijë eurosh, si: Teatri Profesional "Adriana Abdullahu" në Ferizaj; Teatri "Istref Begolli" në Pejë; Teatri Profesionist i Qytetit të Prizrenit, Teatri i Qytetit të Mitrovicës, Teatri i Gjilanit; me 10 mijë euro është subvencionuar Teatri i qytetit të Prishtinës "Dodona". Gati 100 mijë euro, janë vetëm për teatrot e qyteteve me status publik sipas Ligjit për Teatrot. Po të bëjmë llogari, del se krejt lajmi bie poshtë mbi subvencionet e dhëna nga MKRS-ja, ngase as nuk janë rreth 900 mijë euro mjete financiare për skenën e pavarur kulturore dhe artistike, dhe as nuk janë të gjitha vetëm për skenën e pavarur, por edhe për sektorin publik, komunal e teatror të Kosovës. 3. Kriteret për ndarjen e subvencioneve nuk janë të qarta. Si mund të ndahen për një teatër të qytetit, për një shfaqje teatrore, 15 mijë euro, ndërsa për një repertor të teatrit për një vit kalendarik, të ndahet po ashtu shuma e njëjtë?

Ç'janë këto kritere absurde?! Si mund të ndahen 900 euro për ekspozitën personale në Seul të Koresë së Jugut të artistit Rrezeart Galica, ndërsa ekspozita personale e Masar Kupës në Gjakovë të jetë 700 euro? Në listë duhet të figurojnë edhe ca gjëra: për biletën e Galicës që kryesisht sillet ashtu, apo shpenzimet e tjera për ekspozitën?! Nëse është për krejt ekspozitën, është absurde dhe janë mjaft pak nëse nuk ka donatorë të tjerë; nëse është vetëm për biletë, shkruaje e marrtë pusi, jo "Ekspozitë personale në Seul të Koresë së Jugut", por "Biletë udhëtimi për ekspozitë personale në Kore"! Publiku duhet të ketë sa më të qarta gjërat, sepse janë paratë e tij, e jo të zyrtarëve të MKRS-së; ose, pse një projekt "Për ata që s'janë" të këngëtares dhe arkitektes Eliza Hoxha të jetë 3 mijë e 500 euro, ndërsa Festivali Mbarëkombëtar i Teatrove në Ferizaj, 3 mijë euro?!Prandaj, ka reagime nga organizatorët e teatrit në Ferizaj dhe të tjerëve. 4. Konflikti i personalizuar i ministrit të MKRS-së dhe Qendrës "Multimedia". MKRS-ja nuk mund të personalizojë konfliktet me organizatat joqeveritare. Pavarësisht vlerësimit tonë që mund ta kemi për ndonjë aktivitet, veprim, shfaqje, e tjerë e tjerë të drejtuesit të kësaj qendre, na pëlqen apo s'na pëlqen, ky nuk duhet të jetë kriter për subvencionimin e Festivalit Ndërkombëtar të Letërsisë "Polip", qoftë edhe kur nuk pranon shuma të vogla subvencionesh vjet apo sivjet. Qendra "Multimedia" e ka dëshmuar me disa aktivitete e projekte se është organizatë serioze, ka profilin e saj të bashkëpunimit rajonal e ndërkombëtar, sjell letrarë e përkthyes nga vendet e ndryshme të rajonit e më gjerë. Drejtuesi i saj është ndër më të përkthyerit dhe më të depërtuarit jashtë vendit! Ka sjellë shfaqje bashkëkohore, të cilat kanë krijuar një alternativë të re teatrore në vend! OJQ-të e tilla dukshëm janë më të profilizuara dhe me një impakt më të madh se shumë OJQ të cilat janë në listën e MKRS-së.

Mund të shprehim dilemat tona se si kryesisht OJQ-të në Kosovë punojnë kryesisht me lidhje miqësore apo me një grusht njerëzish pa ftuar edhe më shumë artbërës, por e drejta e OJQ-ve është edhe bashkimi vullnetar i secilit me secilin për një interes apo aktivitet të përbashkët. Shpesh më vjen t'i kritikoj poetët të cilët shkruajnë poezi për Agim Ramadanin, vetëm për të marrë një çmim letrar në "Orën letrare të Agimit", meqë të shkruarit me tendenca, porosi e qëllime vetjake, duke gënjyer rëndë me emocionet e poetit, nuk është sjellje e duhur. Kritikoj po ashtu edhe kur disa preferojnë të punojnë për të pagjeturit, vetëm se MKRS-ja financon tema të tilla projektesh, me qëllimin e vetëm për të 'kapur projekte'; ose për të punuar me pakicat, sepse na mbështesin ambasadat e huaja, organizatat e ndryshme ndërkombëtare etj. Ka edhe shumë raste kur organizatat e ndryshme apo agjencitë e ndryshme qeveritare, të cilët shpallin konkurse për projekte të ndryshme, caktojnë temat, si: terrorizmi dhe radikalizmi, feminizmi apo të drejtat e gruas në pronë, etj. Mirëpo, nuk duhet të jetë fiksim prekja e ca temave vetëm se rezulton me ndonjë subvencionim. Por, tekefundit, nëse ka aktivitet kulturor, e fuqizon jetën kulturore në vend dhe duhet të mbështetet, pavarësisht qëndrimeve tona personale mbi jetën politike e kulturore.

Prandaj e problematizuam çështjen e kritereve për subvencionim, për të mos ndikuar gjendja emocionale e ministrit rreth OJQ-ve të caktuara, apo të zyrtarëve të MKRS-së, ta largojnë "Polip"-in prej financimit. Në krahasim me disa të tjera, "Polip" i tejkalon shumë aktivitete letrare nëpër komunat e Kosovës, pavarësisht se kudo në Kosovë mbizotërojnë miqësitë sesa vlerat kulturore! Në Kosovë të thërrasin vetëm nëse ta shohin hairin, e jo pse ju keni punë artistike të hairit! 5. Disa emra e mbiemra që figurojnë në listë, njihen si "diplomatë" me secilin pushtet dhe gjithmonë financohen. Kosova është vend i vogël dhe njihemi! Na vjen keq edhe për OJQ, të cilat na bie të dëgjojmë vetëm me këto lista subvencionesh! 6. Është e papranueshme po ashtu subvencionimi i një teatri, pronë e subjektit privat biznesor. Madje, as subvencionet e MKRS-së për shumë OJQ, e sidomos në një vend si Kosova me aq shumë probleme në teatrot publike, muze, ansamble muzikore e të valleve, etj., nuk mund të jepen më parë se institucioneve publike, e lëre më mjete financiare edhe për subjekte private biznesore. 7. Subvencionimi i secilit, pavarësisht vlerave artistike, është stimulim institucional i kiçit. 8. Subvencionimi i portaleve po ashtu mbetet problematik. Në vendin ku regjistrohen portalet, bëhen me emrin "Shoqëri me përgjegjësi të kufizuara", ose shkurt SH.P.K. Të subvencionosh portalet do të thotë edhe mundësi për ndikim në rrjedhjen e lajmeve dhe mbytjen e kritikave ndaj veprimeve të MKRSsë. Portalet mund të subvencionohen kur kanë disa partnerë OJQ-sh dhe është më pak mundësia për koncentrim buxheti në një pikë. Nëse ka nevojë për reklama të MKRS-së, atëherë kjo nuk duhet të jetë pjesë e listës së subvencioneve për skenën e pavarur kulturore dhe artistike. Portalet janë mediume, me të cilat mund të hapësh një konkurs dhe të kërkosh që ato me profile kryesisht kulturore, të mund të konkurrojnë për fushën e marketingut, ose për të qenë mbështetëse e një projekti të caktuar në fushën e promovimit kulturor.

Të japësh 6 mijë euro për një portal si pjesë e subvencioneve, nuk më duket e arsyeshme. 9. Sekularizmi i zhbërë i listës së subvencioneve të MKRS-së! Të japësh 2 mijë euro për aktivitetin "Java e reformacionit" e Femi Cakollit, Kishës Protestante Ungjillore e Kosovës, do të bënte po ashtu lajm te sekularistët për religjionet e tjera, e veçmas ndaj fesë islame. Prandaj, shteti duhet të ketë qasje të barabartë për të gjithë, pa dallim religjioni. Pse të financohet një aktivitet edhe fetar ose nga prijësit e një feje?! 10. I njëjti person dy herë fiton në një listë për të njëjtin vit. Florent Mehmeti financohet për aktivitetin "Festivali i artit në hapësirë publike 2017 - Hapu", me 5 mijë euro, ndërsa po i njëjti financohet me teatrin "ODA", me 15 mijë euro, gjithsej 20 mijë euro! Për mua është krejt e paarsyeshme, e sidomos me këtë buxhet të MKRS-së, i cili nuk i zgjidh as problemet e institucioneve publike teatrore! 11. Të japësh fonde dhe vlera më të larta monetare për dikë vetëm se është më i njohur si individ publik, edhe kjo bën pjesë në zemërimin tonë si qytetarë ndaj kësaj liste të përfituesve nga subvencionet e MKRS-së, sepse duhet të shqyrtohet aktiviteti, e jo pse njihet aplikuesi për publikun!

(Kosova Sot)