Fitojnë qindra-mijëra euro, këngëtarët e estradës ia "dredhin" shtetit

  • 18 May 2017 - 08:01
Fitojnë qindra-mijëra euro, këngëtarët e estradës ia

INSTITUCIONET PËR MBLEDHJEN E TATIMEVE DËSHTOJNË TË MBLEDHIN PARA TE KËNGËTARËT KOSOVARË

Muharremi: Ende tek ne nuk është bërë rregull ose shprehi të bëhen deklarime të sakta të të ardhurave që duhet të tatimohen

Shumica e këngëtarëve përpiqen të shmangin tatimet dhe kjo kërkon mekanizma të shtetit që t'i monitorojë ata. Te këngëtarët është edhe më i vështirë kontrollimi, pasi që shumë marrëveshje bëhen të fshehta për çmimin e aktivitetit muzikor dhe kjo bën që të ketë më shumë shmangie të tatimit", është shprehur studiuesi Avni Rudaku

Administrata Tatimore e Kosovës vazhdimisht ka dështuar në mbledhjen e tatimit të këngëtarëve të estradës kosovare. Ndërsa masat ndëshkuese që ishte thënë se do të ndërmerren ndaj këngëtarëve që i ikin obligimit tatimor nuk janë parë kurrë. Me miliona euro arkëtohen gjatë një viti nga këngëtarët e estradës sonë brenda një viti nga performancat e tyre, qoftë në koncerte, performime nëpër restorante, dasma ose ahengje të tjera familjare. Të pafuqishme për të vënë rregull, institucionet deklarimin e fitimeve e kanë lënë në ndërgjegjen e këngëtarëve, liri kjo që ka bërë që asnjëherë të mos dihet e vërteta lidhur me tatimet që në fakt duhet të paguajnë këngëtarët nga fitimet e tyre. Kësisoj kanë krijuar vetvetiu dyshime, duke pasur parasysh numrin e madh të këngëtarëve që bëjnë jetë prej milioneri holivudian, shtëpitë dhe makinat luksoze e në një vend si Kosova me popullsi të vogël, me të ardhura të pakta dhe varfëri në masë të konsiderueshme këto gjëra do të dukeshin të pamundura. Institucionet shtetërore që mbledhin tatimet gjithmonë janë treguar të rezervuara në prononcimet e tyre për këtë problem. Në shumë raste edhe nuk kanë kthyer përgjigje. Ngjashëm ka vepruar edhe kësaj radhe ATK-ja, e cila për dy ditë me radhë nuk është përgjigjur në pyetjet që gazeta ia drejtoi ATK-së lidhur me shmangiet e estradës nga obligimet tatimore. 

Mungojnë inspektorët e "natës"

Në anën tjetër, për kritikët e muzikës dhe njohësit e zhvillimeve kulturore në vend shmangja e tatimit nuk është diçka e re edhe për estradën, por kanë thënë se autoritet tatimore duhet të jenë më vigjilente. Njëkohësisht, sipas tyre, institucionet duhet të krijojnë kushte ligjore dhe lehtësira tatimore për funksionin e estradës. Avni Rudaku, studiues dhe njohës i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për gazetën "Kosova Sot" se shumica përpiqen të shmangin tatimet dhe kjo kërkon mekanizma të shtetit që t'i monitorojë ato. Te këngëtarët, ka thënë ai, është edhe më i vështirë kontrollimi, pasi që shumë marrëveshje, bëhen të fshehta për çmimin e aktivitetit muzikor dhe kjo bën që të ketë më shumë shmangie. Sipas Rudakut, këngë- tarët kontrollohen në tatime nëse kontrollohen organizatorët. Deklarimet e tyre, sipas tij, nuk përfshijnë bakshishet, nuk bazohen në çmime reale të marrëveshjes me organizatorët, e tjerë e tjerë. "Një problem mbetet se këngëtarët bëjnë ndeja gjatë mesnatës dhe sikur të kishte edhe inspektorë duhet të jenë 'inspektorë të natës'... Nëse bazohet shteti vetëm në deklarime e jo inspektime të çdo lloji, atëherë është e vështirë të besohet vetëm në ato që deklarojnë", ka pohuar Rudaku.

Tallavaja fiton më së shumti

Kurse kritiku Ilir Muharremi, në një prononcim për "Kosova Sot", është shprehur se është evidente dhe mjaft e njohur se këngëtarët kosovarë i ikin tatimit dhe këtë përmes formave të ndryshme."Ende tek ne nuk është bërë rregull ose shprehi të ketë deklarime të sakta të të ardhurave që duhet të tatimohen", ka thënë ai, duke shtuar se më e keqja është se edhe muzika që përfiton më se shumti është ajo e kiçit, madje edhe tallavaja. Ndërsa kompozitori Florent Boshnjaku ka thënë se të gjithë, qoftë këngëtarët, qoftë institucionet, duhet të jenë të vetëdijshëm për obligimet që kanë."Unë e kam thënë disa herë që i gjithë sistemi ligjor duhet të funksionojë si nga ana e artistëve, por edhe obligimet e shtetit - shoqërisë ndaj artistëve duhen të funksionojnë si duhet", ka thënë ai për "Kosova Sot". Gazeta ka provuar të marrë edhe një mendim nga një numër këngëtarësh lidhur me obligimet e tyre financiare që kanë ndaj shtetit, përmbushjen e tij, si dhe vullneti që ka sot estrada muzikore për përmbushjen e obligimeve tatimore dhe deklarim të saktë të të ardhurave, por pa arritur një gjë të tillë. 

(Kosova Sot)