Asnjë film a dokumentar serioz për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve

  • 20 May 2017 - 08:42
Asnjë film a dokumentar serioz për gjenocidin serb ndaj shqiptarëve

KRIMET SERBE NË KOSOVËS GJATË LUFTËS SË FUNDIT MBESIN TË PANDËSHKUARA

"Gati dy dekada pas luftës ende nuk e kemi një film serioz, i cili e trajton temën e luftës së Kosovës. Kujtojmë se Bosnja kishte fituar edhe çmimin Oskar me filmin që trajton luftën në Bosnjë "No Man's Land". Ata madje kanë arritur që ta ndërkombëtarizojnë më shumë kërkimin e tyre për drejtësi. Kosova nuk ka prodhuar asnjë dokumentar serioz që shpalos krejt atë që ka ndodhur gjate asaj periudhe", ka pohuar Migjen Fazliu

Ofensiva e ndërmarrë kohëve të fundit nga zyrtarët serbë për t' i mohuar krimet e kryera kundër popullsisë shqiptare gjatë luftës së çlirimtare në Kosovës do të pësojë disfatë. Faktet lidhur me këto masakra jo vetëm që janë dokumentuar dhe pasqyruar në mediet prestigjioze botërore, ato janë hulumtuar edhe nga fuqitë perëndimore dhe strukturat e tyre. Prandaj, pavarë- sisht vonesave që mund të ndodhin, kur edhe Kosova të jetë pjesë e OKB-së, Serbia do të përballet me akuzën për gjenocid ndaj shqiptarëve gjatë luftës së Kosovës. Kështu kanë thënë për "Kosova Sot" ekspertë të fushave të ndryshme. Por, sipas tyre, një faj rreth kësaj ofensive kanë dhe institucionet shtetërore, të cilat duhet të jenë më të zëshme përballë përpjekjeve të shtetarëve serbë për mohimin e masakrave apo që ato t'i paraqesin si trillime të misioneve ndërkombëtare.

PADIA PËR GJENOCID 

Në një prononcim për "Kosova Sot", historiani Hakif Bajrami ka thënë se Serbia do të dështojë në përpjekjet e saj për të mohuar apo për të minimizuar gjenocidin që shteti serb ka kryer ndaj shqiptarëve gjatë luftës çlirimtare të Kosovës. Ai ka thënë se faktuesit e këtyre dëshmive janë mediet prestigjioze botërore, të cilat përmes fotografive dhe dëshmive të tjera kanë zbardhur të vërtetën mbi masakrat që kanë kryer forcat serbe ndaj civilëve dhe pasurimet e tyre në gjithë vendin. Bajrami ka thënë se dëshmitë dhe faktet rreth së vërtetës i kanë hulumtuar edhe shtete, si SHBA-ja, por edhe NATO-ja, OSBE-ja, etj. "Prandaj, kjo propagandë serbe i përngjan një lufte speciale, sepse ata po e dinë mirë se Kosova për çdo ditë po forcohet dhe kur të pranohet në OKB do ta padisë Serbinë për gjenocid", ka thënë ai, duke shtuar se faktet për këtë janë të pamohueshme, duke përmendur dëbimin e më se 1 milion shqiptarëve, vrasjet e mbi 13 mijë civilëve dhe shkatërrimi i pasurisë dhe lagjeve të ndryshme në fshatra dhe qytete. Ndërsa ka thënë se deri më tani janë bërë botime të ndryshme lidhur me gjenocidin dhe tashmë ato të përkthyera gjenden në biblioteka të ndryshme botërore. Ai ka kujtuar edhe punën e Arkivit të Kosovës për hulumtimin këtyre krimeve, ku më 2000/1 ishte formuar Redaksia që do të hulumtonte krimet. Botime e bërë nga KLMDNJ, Nysret Pllana, Jusuf Osmani, norvegjezi Josef Martinsen, të cilët kanë shkruar mbi masakra e kryera nga serbët gjatë luftës, duke kujtuar se edhe Ekspozita për gjenocidin serb në Kosovë ishte shfaqur shumë kohë, pasi ajo ishte bërë gati për shkak të ndalimit dhe pengesave nga ana e administratës së UNMIK-ut që ajo të shfaqet me kohë. 

THAÇI: SHTETI SERB ËSHTË NDËRTUAR NGA DHUNA E GJENOCIDI

Ndërkaq, studiuesi dhe eksperti i shkencave juridike, Ramadan Thaçi ka thënë se shteti serb gjithmonë është ndërtuar nga dhuna dhe gjenocidi, duke dëbuar popullsitë autoktone dhe duke okupuar territoret e tyre, sikurse rasti i trojeve shqiptare. Pastaj, të njëjtët duke u paraqitur viktimë në botë përmes gënjeshtrave. Ai ka thënë se shqiptarët po e përbuzin historinë faktike të krimeve dhe gjenocidit serb ndaj popullit duke mos i bërë publike, dhe këtë e shfrytëzon, siç ka thënë ai, ish- okupatori. Por, ka shtuar se sipas drejtësisë ndërkombëtare; Konventa për gjenocidin e vitit 1948, neni II dhe III, është dhënë definicioni i gjenocidit. "Dhe, faktet ekzistojnë se krimet serbe mbi popullsinë kanë ndodhur dhe vepra e gjenocidit nuk vjetërsohet. Kosova një ditë do të bëhet anëtare e Gjykatës së Drejtësisë dhe Gjykatës penale ndërkombëtare", ka thënë ai, duke shtuar se si rezultat i pakujdesisë institucionale kosovare ka ardhur Gjykata Speciale për Kosovën, e cila, sipas tij, i shkel parimet ndërkombëtare të drejtësisë, pasi është "drejtësi" selektive. " Gjithë herë tani pasi kemi shtet, faji është i yni, në mungesë të njerëzve të duhur në vend të duhur", ka thënë ai. 

INSTITUCIONET E VONUARA

Edhe Migjen Fazliu, njohës i marrëdhënieve ndërkombëtare, ka thënë se Serbia vazhdimisht ka mohuar se ka bërë krime lufte, jo vetëm në Kosovë, por në tërë Ballkanin. Sipas tij, një faj ka edhe faktori ndërkombëtar, i cili ka një qasje më të butë karshi Serbisë, duke ia trasuar rrugën drejt integrimit në Bashkësinë Evropiane. "Kujtojmë që mu në përvjetorin e masakrës së Srebrenicës, Serbisë iu dha liberalizimi i vizave", ka pohuar Fazliu, duke shtuar se edhe institucionet tona kanë dështuar apo janë vonuar në informimin e opinionit ndërkombëtar për ta kthjelluar atë që ka ndodhur gjatë luftës në Kosovë. "Gati dy dekada pas luftës ende nuk e kemi një film serioz, i cili e trajton temën e luftës së Kosovës. Kujtojmë se Bosnja kishte fituar edhe çmimin Oskar me filmin që trajton luftën në Bosnjë "No Man's Land". Ata madje kanë arritur që ta ndërkombëtarizojnë më shumë kërkimin e tyre për drejtësi. Kosova nuk ka prodhuar asnjë dokumentar serioz që shpalos krejt atë që ka ndodhur gjatë asaj periudhe", ka pohuar ai, duke shtuar se pasojat e kësaj neglizhence tashmë janë evidente. Ai ka thënë se pas vendimit të GJND -së, që Kosova nuk ka shkelur të drejtën ndërkombëtare, me shpalljen e pavarësisë, statuti politik i Kosovës veçse ishte dashur të ndërtohet. "Serbia me mohimin e krimeve të luftës, masakrave e gjenocidit tenton që ta paraqesë luftën në Kosovë vetëm si një konflikt të armatosur dhe me këtë të arrijë të krijojë argument se Kosova nuk ka pasur nevojë të pavarësohet, por të kërkojë më shumë reforma ekonomike e politike nën ombrellën e Serbisë", ka thënë Fazliu.

(Kosova Sot)