Arti që harlis shpirtin

  • 20 May 2017 - 13:22
Arti që harlis shpirtin

Shkruan: Bislim Aliu

E BUKURA GJITHMONË DO TË MBETET E BUKUR

Krijuesi i mirëfilltë është me ndiesi frymëzuese

Arti e bën njeriun të lirë. E, këtë liri do të mund ta kuptonim nëse ne jemi të lirë, pra në lirinë e qasjes intuitive. Megjithatë, kjo liri kërkon qasje reale dhe në anën tjetër, ngritje profesionale në zbulimin e estetikës ndiesore e artistike

Arti si frymëzim është një brengë e madhe e harlisur e shpirtit. Ajo bukur e ndieson mendjen. Ky "kataklizëm" i harlisur, të shëtit në bredhërisjet e pafund. Dhe, kjo ndiesi e sfilisur, e sfidon kohën me memorien e brengosur. Zaten, ky sfidim e sfidon mendjen në procese rrëfimi. Kjo "vezullimë" shpirtërore e sfidon krijuesin me ndiesi shpirtërore. Andaj, këtë brengë frymëzuese e ndiesore e përjeton gjithnjë vetëm krijuesi i mirëfilltë, nëse e përjeton shpirtërisht. Pra, nëse atë e ka brengë vetjake dhe shpirtërore. Dhe, nëse e ka atë përherë një drithërimë të lartë prekëse. Dihet mirëfilli, arti i bukur është një dritë e hapur e mendjes. E, nëse shpirti dhe mendja drithërohen (bashkohen), ato së bashku përherë do të bëjnë dritë. Kjo dritë do të rrezojë bukur, nëse e ka ndjesinë e lartë shpirtërore. Dhe, kuptohet, nëse në te ka estetikë. Pra, nëse në të ekziston përherë estetika drithëruese e shpirtit. Krijuesi i mirëfilltë, këtë ndiesi frymëzuese do ta ndiejë dhe do ta përjetojë përherë në veprat e krijuara. Këto vepra do të jetojnë gjatë, nëse në to është "kataklizmi shpirtëror".

SA SAKRIFIKOJNË KRIJUESIT E MIRËFILLTË?

Krijuesit e mirëfilltë sakrifikojnë shumë. Ata përherë kanë pasur lëkundje të mëdha shpirtërore. Në këtë drejtim, Van Gogu përherë pati shpirtin e vet të sakatosur. Dhe, gjithnjë e pati ndiesinë e madhe shpirtërore… Çfarë e shtyri, këtë piktor të rafinuar, të bëjë vetëvrasje, brenga shpirtërore e tepruar apo ndiesia e ravijëzuar? Me këtë brengë ndiesore, pati edhe piktorë të tjerë të mëdhenj që patën brenga të mëdha shpirtërore. Zaten, ky autoktonizën shpirtëror, i thukët dhe i ravijëzuar, bukur u vërejt edhe në veprat e Leonardos, Mikelangjelos, Rembrandit, Ticianit, Pikasos, Emrës, Mulliqit, etj. Andaj, në këtë konglomerat të ravijëzimit, secila kohë i pati shenjat e veta karakteristike. Kuptohet, shenja të tjera pati Baroku, Klasicizmi, Romantizmi, Ekspresionizmi, Renesanca dhe, kuptohet, krejtësisht të tjera pati arti modern. Dhe, mu për këtë, në këtë ravijëzim të ndiesuar, koha ishte barometër dhe udhërrëfyes i shprehjes imanente të ravijëzimit shpirtëror. Në këtë aspekt, edhe patëm kohën, pra kohën e thyerjes shpirtërore dhe të thyerjes kombëtare. Ndaj, këto momente asnjëherë nuk duhet t'i harrojmë

KUR DO TË KRIJOHET KY ART I BUKUR?

Ky art i bukur do të krijohet, kur të rrokë drithërima prekëse. Pra, kur preket shpirti dhe ndiesohet mendja. Dhe, atëherë kur gjithnjë ekzistojnë lëvizjet shpirtërore dhe në anën tjetër, ekziston frymëzimi dhe lind ideja ndiesore. Pa dyshim, është fare e kuptueshme se asnjë vepër nuk do të krijohet dhe, sigurisht, nuk mund të peshojë peshueshëm, nëse në të nuk ekziston vazhdimisht idealizmi shpirtëror i formësimit të lartë ndiesor. Megjithatë, sot e gjithë ditën po krijohen vepra pa këtë frymëzim ndiesor, pa shpërfaqje të lartë estetike, të cilat shpeshherë i ngjasojnë njëra-tjetrës si veja vesë. E, kjo, sigurisht, po ndodh me krijuesit e skematizuar, ose me antikrijuesit, që në shpirt e kanë ravijëzimin e mangët shpirtëror. Sot, kjo mendohet se po bëhet në emër të artit modern, avangardë dhe, sidomos, në emër të avangardizmit! Arti i bukur gjithmonë do të mbetet i bukur. Jo vetëm për një kohë, por për shumë kohë. P.sh., "Mona Liza" e Leonardos, "Davidi" Mikelangjelos, "I urituri" i Paskalit, "Guernika" e Pikasos, "Elegji për Kosovën" e Emrës, "Hamalli" i Mulliqit, janë gjithsesi vepra të sensibilizuara tej mase dhe që gjithnjë ravijëzojnë prekshëm në idilin shpirtëror të njeriut. Kuptohet, ky art u lind nga cytja e lartë shpirtërore e ravijëzimit ndiesor. Këto dhe shumë vepra të tjera, do të jetojnë gjithmonë në shpirtëroren tonë, si vepra që kanë lindur nga shprehja dhe nami i idealizmit shpirtëror dhe ndiesimit të lartë ndiesor. Arti e bën njeriun të lirë. E, këtë liri do të mund ta kuptonim nëse ne jemi të lirë, pra në lirinë e qasjes intuitive. Megjithatë, kjo liri kërkon qasje reale dhe në anën tjetër, ngritje profesionale në zbulimin e estetikës ndiesore e artistike.

(Kosova Sot)