Skena politike, pa njerëzit e artit dhe të kulturës

  • 22 May 2017 - 10:20
Skena politike, pa njerëzit e artit dhe të kulturës

Një ftohje e marrëdhënieve në mes të politikës dhe kulturës ka kohë që po ndodh

Partitë Politike vazhdojnë t' i mbajnë larg tyre njerëzit e kulturës dhe të shkencës. Me pak përjashtime, dhe kur ndodh kryesisht ato figura ka kohë që tashmë u janë përkushtuar analizave ditore të zhvillimeve politike. Jashtë interesimit të politikës, kulturorët kanë mbetur edhe tash kur po zhvillohet një 'betejë' e ashpër e partive politike për futjen e personaliteteve publike nën ombrellën e tyre. Për njerëzit e kulturës, një ftohje e marrëdhënieve në mes të politikës dhe kulturës ka kohë që po ndodh, bile, sipas tyre, tradicionalisht raportet kulturë- politikë kanë qenë të akullta. Për krijuesin Shaqir Foniqi prej kohësh politika dhe kultura nuk kane krijuar raporte të ngrohta. Sipas tij, ekziston një ego e njerëzve politikëbërës që t ' i thërrasin intelektualët dhe nga tjetër anë është egoja edhe më e fortë e intelektualëve, që të ofrohen dhe të kërkojnë 'post'! "Unë konsideroj se politika duhet t'i afrohet njerëzve të kulturës dhe jo njerëzit e kulturës t'i vardisen politikës! Ndërsa, pa njerëzit e formuar dhe të pjekur intelektualisht, politika del e brishtë dhe në njëfarë mënyre pa sharmë", ka thënë Foniqi.

Shtetet e civilizuara dhe njerëzit e artit

Po sipas tij, kjo nuk do të thotë se politikanët janë injorantë, por që kryesisht nuk kanë bagazh kulturor! Kjo qasje, ka shtuar krijuesi Foniqi, duhet të ndryshojë, pasi shtetet e civilizuara as që e mendojnë skenën politike pa njerëzit e artit dhe të kulturës. "Sa i përket ikjes së intelektualeve, unë nuk do ta quaja ikje, por mungesë ftesash. Është fakt i pamohueshëm se njerëzit e politikës janë të pasur, kurse njerëzit e kulturës nuk janë të pasur materialisht, por janë të pasur shpirtërisht dhe duket se ende ka më shumë peshë njeriu i pasur materialisht, sesa njeriu i pasur shpirtërisht dhe intelektualisht! ", ka thënë gazetari Foniqi. Kurse, krijuesi Ismet Tahiraj është shprehur se partitë politike nuk i duan propozimet e krijueseve, sepse, siç ka thënë ai, se u hapen probleme që u lëkundet autoriteti i tyre oficial, duke iu druajtur rrjedhjes së informacioneve që ata nuk duan që të dalin për publikun. "Njerëzit e artit u ikin partive, ngase ofrimi i ofertave të krijueseve irriton tej mase bosët dhe asnjë parti nuk bëri diçka për artistët që janë ajka e kombit. Jo vetëm atyre, po as njerëzit e mirëfilltë të shkencës nuk i joshën së paku me botimin e ndonjë libri", ka pohuar Tahiraj, duke shtuar se politika duhet t i afrojë njerëzit e artit dhe të shkencës, nëse duan të kenë program të vizionit të ardhmërisë e jo të territ.

Arti tani nuk është as në plan të dytë

Kurse, krijuesi mitrovicas Bujar Meholli ka thënë për "Kosova Sot", se situata aktuale politike në Kosovë është shumë e ndërlikuar dhe arti mbase tani nuk është as në plan të dytë, por diku më poshtë! Sipas tij, njerëzit e artit, gjegjësisht kulturës nuk joshen nga aderimet nëpër partitë politike, pse aty nuk mund ta fusin shpirtin e tyre. "Konsideroj se arti bashkëkohor duhet të mbështetet në të drejtat dhe liritë e njeriut, si garanci për autonominë në raport me politikën dhe të ashtuquajturën shprehje të lirë artistike. Andaj, mendoj se artistët duhet të luftojnë vazhdimisht për këtë autonomi, e cila orvatet të juridikojë shoqërinë dhe artet, duke përfshirë edhe të drejtat e artistëve", ka thënë ai, duke shtuar se dilema e artistëve është se arti i tyre është kritikues gjatë gjithë kohës kundrejt zhvillimeve në vend dhe çdoherë anon nga ndryshimi pozitiv, gjë që, si ka thënë ai më tej, bie ndesh me politikën, pse kjo e fundit nuk e observon dot. Për këtë arsye, sipas Mehollit, tek shumë artistë (të vërtetë) krijohet dilema hamletiane, kur përmendet angazhimi në politikë. Kjo, ka shtuar ai, për faktin se idetë dhe qëndrimet e tyre me t'u kyçur në politikë, duhet të ndërrohen tërësisht kur është në pyetje ideologjia partiake, që venit çdo tendencë artistike, dhe i bën ata (artistët) marioneta që punojnë vetëm për qëllimet politike, çfarëdo e sido qofshin ato. "Në këtë ambient, çdo art, çdo krijues e artist, bie dhe i nënshtrohet fuqisë politike, e cila i privon gjithë artistët të mendojnë dhe të shprehen lirshëm. E, në këto rrethana mundësia e ndërhyrjes artistike është shumë e ngushtë, kur bëhet fjalë për kauza politike, gjegjë- sisht për kanibalizëm institucional. Kështu artistët duhet t'i shpërdorojnë veprat e tyre artistike", ka pohuar ai. 

Politika është e zonja që ngadalë ta nënshtrojë artin

Po sipas Mehollit, artistët e mirëfilltë duhet t'i qëndrojnë anash politikës dhe të jenë zëra të pavarur, mendime të lirshme dhe kritikues të mëdhenj kundrejt zhvillimeve politike, por jo të jenë nën kthetrat e saj, pse kështu konsideroj se bëhet dëm i madh ndaj artit (artistëve) dhe kreativiteti e ndjeshmëria artistike ngulfaten. "Politika është e zonja që ngadalë ta nënshtrojë artin, dhe kështu ta ndrydhë e më pas ta përdorë ashtu (kur ) siç i përgjigjet", ka thënë ai. Sido që të jetë, krijuesi kërkojnë nga zgjedhësit që të kujdesën për votën e tyre, kur zgjedhjet po trokasin. Krijuesi Skënder R. Hoxha, njohësh i zhvillimeve politike në vend, duke folur rreth zgjedhjeve të parakohshme parlamentare të Republikës së Kosovës, thotë se votuesi duhet të tregojë syçelësi dhe vetëdijesim më të lartë gjatë votimit. 

(Kosova Sot)