"Alien: Covenant", filmi i Scott-it drejt rekordit

  • 22 May 2017 - 15:57

FILMAT QË U SHIKUAN MË SË SHUMTI GJATË FUNDJAVËS

Drama "Everything, Everything" lehtazi prin ndaj filmit "Diary of a Wimpy Kid: The Long Haul"

Filmi i regjisorit Ridley Scott "Alien: Covenant" kryesonte "Box Office"-n të premten me 15.4 milionë dollarë, nga 3,760 kinema, duke bërë që ky triler fantastik-shkencor t'i afrohet mundësisë së fitimit të 40 milionë dollarëve nga lansimi i tij në Amerikën veriore. Ky film nuk do ta ketë të vështirë që ta tejkalojë mbajtësin paraprak të rekordit, "Guardians of the Galaxy Vol. 2" sa iu përket shitjes së biletave gjatë fundjavës, përkundër asaj se nuk i ka përmbushur të gjitha pritjet. 

Lufta me alienët

Pjesa e dytë e filmit të regjisorit Scott, e filmit "Alien", ka kushtuar 97 milionë dollarë për t'u bërë. Në qershor të vitit 2012, pjesa e parë, "Prometheus", debutoi në vend me 51.5 milionë dollarë. Filmi "Alien: Covenant" vjen me një ekip të udhëhequr nga Michael Fassbender, Katherine Waterston dhe Billy Crudup. Kësaj here, ekipi i kolonisë "Covenant" mendojnë se kanë gjetur parajsën, për të ndeshur më pas në forca të rrezikshme dhe armiqësore të alienëve. Ky film është pranuar mirë nga kritika, por nga shikuesit nuk është vlerësuar me notën maksimale. Filmi i "Disney"-t dhe "Marvel"-it, "Guardians of the Galaxy Vol. 2", i cili ka qëndruar në krye të listës gjatë dy fundjavave të fundit, mbetet një forcë evidente. Ky film me superhero ka fituar 8.8 milionë dollarë të premten nga 4,347 kinema, nga gjithsej 33 milionë dollarë sa vlerësohet se i ka marrë gjatë fundjavës. Në anën tjetër, "Warner Bros." dhe MGM kanë dalë me romancën "Everything, Everything", e cila pritet që ta zërë vendin e tretë, pas filmit "Alien" dhe "Guardians Vol. 2", me një fitim prej rreth 12.6 milionë dollarësh, nga 2,801 lokacione. Ky film fitoi 4.7 milionë dollarë vetëm të premten. 

Rrëfimi për vajzat adoleshente

Bazuar në librin bestseller të Nicola Yoon, të vitit 2015, rreth një vajze 18 vjeçe, e cila nuk mund të largohet nga shtëpia për shkak të një sëmundjeje misterioze, filmi që ka kushtuar 10 milionë dollarë flet për vajzat adoleshente dhe të moshës 20 vjeçare. Amandla Stenberg dhe Nick Robinson luajnë rolet kryesore në filmin "Everything, Everything", i cili është duke befasuar me fitimet që është duke i shënuar nga shitja e biletave. "Fox" këtë fundjavë kishte detyrën e dyfishtë të paraqitjes së filmave të rinj, midis "Alien: Covenant" dhe "Diary of a Wimpy Kid: The Long Haul", të popullarizuar në librat e njohur për fëmijë. Por, filmi "Wimpy Kid: Long Haul" nuk është duke shënuar fitimet e pritura, kështu që mund të sjellë vetëm 7 milionë dollarë nga 3,157 kinema, pasi që të premten fitoi 2 milionë dollarë. Ky film iu dedikohet shikuesve të moshës midis 6 dhe 12 vjetësh.

(Kosova Sot)