Drama e ribërë e Luftës civile mban titullin "The Beguiled"

  • 28 May 2017 - 18:49
Drama e ribërë e Luftës civile mban titullin

Kemi të bëjmë me një krijim kinematografik, me Clint Eastwoodin në rolin kryesor

I shte viti 1971 kur doli në dritë filmi i parë ("origjinal") me titullin "The Beguiled", në të cilin aktori legjendar, Clint Eastwood, në rolin e një ushtari të plagosur të Unionit (nga Lufta civile amerikane) strehohet në një shkollë vajzash në Misisipin rural. Kemi të bëjmë me një film të mirë, por nuk mund të themi se ai film ishte kryevepër. Bile, disa kritikë shkojnë aq larg, sa që në fjalët e tyre të ashpra ndaj këtij filmi, e quajnë atë edhe pornografik. Roli të cilin e luan Eastwood shkon nga shtrati në shtrat, por ai ndëshkohet ashpër pasi që Geraldine Page, drejtoresha e eksituar, por edhe e shtypur emocionalisht, vendos që t'i hakmerret atij duke marrë vendimin për amputimin e këmbës së tij, për shkaqe të dyshimta mjekësore. Filmi "The Beguiled" është sikur ndonjë shfaqje mediokre e Tennessee Williamsit, e vënë në skenë nga Sam Peckinpah, si një film i valës së tretë feministe, i zhanrit të tmerrit (horror). Por, nuk mund të mohohet fakti që ai ishte një film i epokës së vet.

FARRELL FLET ME THEKSIN E TIJ IRLANDEZ

Pyetja që shtrohet menjëherë, është pse Sofia Coppola do të donte ta ribënte një film të tillë? Nëse jeni asi shikues filmash, që më shumë preferon shijen e mirë, sesa sensacionin, përmbajtjen sesa dekadencën, si dhe dramën sesa lakminë pornografike, atëherë ka mundësi që t'ju pëlqejë versioni i ri i këtij filmi, i bërë nga Coppola. E, juve të tjerëve nuk ju mbetet asgjë tjetër, pos të pyeten kot së koti se "çka mendon ky film se është duke bërë". Filmi "Beguiled" i regjisores Coppola është një produksion hijshëm i bërë dhe i montuar, plot me pamje madhështore të pemëve të larta, të mbuluara me myk, duke e përmbledhur tërë ngjarjen e filmit në vetëm 94 minuta. Por, derisa Sofia Coppola, e cila po ashtu e shkroi edhe skenarin, i përmbahet strikt rrëfimit bazë të versionit nga viti 1971 (dhe librit ku u bazua ky version, librit të shkrimtarit Thomas P. Cullinan të vitit 1966, "A Painted Devil"), ajo ndryshon tonin në mënyrë që karakteret, për një pjesë të madhe të filmit, të duken më të arsyeshme dhe më pak të nënshtruara ndaj instinkteve të tyre shtazarake. Ajo e ka bërë materialin e këtij filmi më subtil, por gjatë këtij procesi, ajo ka amputuar ngarkesën kryesore të filmit. Tetari John McBurney, rol që tani luhet nga Colin Farrell, është një unionist i dezertuar, me këmbë të lënduar, por ai nuk paraqitet si manipulues i pacipë, sikur që ishte personazhi që luhej nga Clint Eastwood. Farrell flet me theksin e tij irlandez, duke i dhënë personazhit të tij hijen e një xhentëlmeni proletar. Filmi e ngreh çështjen se a është ai qyqar, për ta demantuar më pas vetë këtë ide. McBurney nuk kishte shumë kohë që kishte ardhur nga Dublini, prandaj ai nuk kishte kurrfarë interesimi apo 'investimi' në Luftën civile. Ai ishte thjesht një mercenar, një ushtar që paguhej 300 dollarë. Në Seminarin e zonjës Farnsworth për femra të reja, të vendosur në një ndërtesë të bardhë, McBurney, pasi që ia shërojnë këmbën e lënduar, i trajton mësueset e shkollës dhe pesë nxënëse sikur një kavalier i vërtetë, por megjithatë, ai edhe flirton me to. Ai nuk luan me to, thjesht është ai që është. Versioni i vitit 1971 fillonte me një puthje të Eastwoodit me një vajzë 12- vjeçare, e cila e kishte shpëtuar atë, por Coppola i ka larguar këto skena perverse.

VEPRIMTARI TRADHTAR

Zonja Martha Farnsworth, rol që luhet nga Nicole Kidman, është një e krishtere e devotshme, e cila preferon ta udhëheqë një grup të leximit të Biblës nën dritën e qiriut, por Kidman, me një performancë të nivelit të lartë, krijon njërin prej portretizimeve të rralla të një besimtareje puritane, e cila nuk paraqitet si karikaturë. Në fillim të filmit, derisa McBurney fle dhe Martha ia pastron atij trupin me një sfungjer, duke u dridhur paksa derisa ia prekë buzët, nuk është njëra nga ato skenat: "shikoje këtë fetaren, sa shumë ia ka ënda", por është një skenë delikate erotike. Gjysma e parë e filmit është mjaft e denjë, meqë Coppola, në vend që ta portretizojë shkollën si koleksion të femrave të vetmuara, që janë duke u çmendur nga mungesa e seksit, i paraqet ato kryesisht të mërzitshme. Lufta është e rrezikshme dhe e frikshme dhe femrat janë të eksituara nga prania e McBurney-it, për shkak se ai është i pashëm dhe, në këtë apo atë mënyrë, secila prej tyre dëshiron ta prekë atë. Kidman bën që personazhi i Marthas të jetë konfliktuoz - një pjesë e saj dëshiron që të afrohet me McBurneyn, por pjesa tjetër e saj dëshiron që ai të shërohet sa më shpejt dhe të largohet nga aty, derisa Alicia (Elle Fanning) është një shejtane adoleshente, e cila shfrytëzon çdo rast që t'ia vjedhë nga një buzëqeshje "atij". E, në anën tjetër, McBurney duket se dashurohet në mësuesen Edwina, rol që luhet nga Kirsten Dunst, e cila është e përfshirë nga pikëllimi. Vëmendja e tij ndaj saj sikur e ringjallë atë dhe, kur duket se këmba e tij ishte duke u shëruar, respektivisht qëndrimi i tij aty duke marrë fund, ai ia shfaqë asaj dashurinë, meqë mund të mos e kishte ndonjë rast tjetër. Por, lidhja e tyre nuk na bën përshtypje emocionale. Asgjë në këtë film nuk e arrin këtë efekt. Më pas vjen momenti, i cili ndryshon gjithçka: veprimi tradhtar i McBurney-t. Amputimi i këmbës së McBurney-t është ngjarja qendrore e filmit dhe, në versionin e vitit 1971, ai veprim ishte i barabartë me një kastrim simbolik. Por, në versionin e ri, sikur ky veprim është i kotë. Nuk është e qartë dëshira e Martha-s për hakmarrje, me çka i tërë filmi bëhet disi abstrakt. McBurney bëri diçka që nuk duhej ta bënte, por ai në fakt ndëshkohet për "mëkatet e meshkujve".

(Kosova Sot)