A është etike ta përqeshësh artistikisht aq pak Hitlerin?!

  • 11 June 2017 - 08:38
A është etike ta përqeshësh artistikisht aq pak Hitlerin?!

Shkruan: Avni Rudaku 

ME SHKAS EKSPOZITËN "ARTISTËT E RINJ 2017" NË GALERINË KOMBËTARE TË KOSOVËS

Ndërsa, në pikëpamje artistike, nuk ishte ndonjë vepër e vështirësive të mëdha të krijimit
Hitleri na vjen në galeri sikur dikur fëmijët që vraponin pas një fëmije më të tërhequr për t'ia lëshuar teposhtë pantallonat apo rrobat e tjera para bashkëmoshatarëve

Galeria Kombëtare e Kosovës kishte shtruar 'iftar-koktejin' me llokume, hurme, ujë, verë e raki në hapësirën para hyrjes. Ishte 'verë në dimër' nga i ftohti jashtë dhe sapo përfundoi kumti i fituesve, hymë brenda galerisë për të parë art bashkëkohor. Kishte instalacione, skulpturë, piktura, video-performancë dhe video-instalacion. Përkundër gjendjes së vështirë të artistëve vizualë dhe të tjerëve në Kosovë dhe në përgjithësi në hapësirën shqiptare, arti bashkëkohor ka ecur goxha mirë. Madje, në mesin e artistëve bashkëkohorë shqiptarë, qoftë edhe kur jetojnë jashtë apo brenda vendit, si Adrian Paci, Sislej Xhafa, apo edhe Anri Sala, Petrit Halilaj, e shumë të tjerë, janë kategori e artistëve bashkëkohorë të rangut botëror, duke ndjekur frymën e kohës, duke sjellë risi në kreativitetin global për të ofruar gjëra, produkte, vepra, vlera e koncepte të reja mbi të bukurën, të madhërishmen, stepjen, etj. Çmimi i të enjtes mbrëma "Artistët e rinj" në Galerinë Kombëtare të Kosovës, ishte një ekspozitë e mirë me gjashtë artistët finalistë: Jetullah Sylejmani, Shpend Havolli, Faton Mazreku, Altin Krasniqi, Din Azizi dhe Adea Pula. Nëse flasim nga perspektiva feministe statistikore, në hapësirën shqiptare në artin bashkëkohor dominojnë kryesisht meshkujt për kohë të gjatë dhe artistët e lartpërmendur nga Kosova e Shqipëria me nam edhe jashtë vendit, janë po ashtu meshkuj, por ka edhe disa artiste femra shumë kreative në artin bashkëkohor. E kundërta për famë botërore në muzikë, ka ndodhur të jenë pikërisht femrat! Në grupin e finalistëve "Artistët e rinj", ishin pesë meshkuj e një vajzë. Shpërblimi për artistët do të jetë qëndrimi në rezidencën e Napolit dhe në Shkodër të Shqipërisë e Biele të Italisë. Çmimin e parë e fitoi Shpend Havolli, ndërsa çmimi i dytë u nda për Jetullah Sylejmanin dhe Altin Krasniqin.

SKULPTURA I HAVOLLIT

Në pupetën e Havollit, apo skulpturën e ngjashme me një kukull/pupetë ku ndryshohen karakteristikat fizike e ortopedike, portretizohet në një pozicion komik diktatori i tmerrshëm Adolf Hitler. Hitleri na vjen në galeri sikur dikur fëmijët që vraponin pas një fëmije më të tërhequr për t'ia lëshuar teposhtë pantallonat apo rrobat e tjera para bashkë- moshatarëve, e për ta lënë në veshje të brendshme, për ta tallur e turpëruar atë. Nëse e marrim veprën si të tillë, e jo konceptualisht, nuk është se na shkakton ndonjë stepje artistike. Por konceptualisht qëndron interesant ngase ne përfytyrimin e diktatorëve e kemi gjithmonë të vrazhdë për ta tallur, por jo edhe për ta tallur në forma aq të lehta, sikur bënim dikur si të vegjël në lagjet tona. Paraqitja e Hitlerit me dorën e ngritur horizontalisht mbi supe në mënyrë serioze dhe të përfaqësuar në majën e pushtetit e urdhërdhënësit, ndërsa në anën tjetër, krejt poshtë, i kanë rënë pantallonat, është shpërfytyrim tjetër i figurës së diktatorit vrasës si Hitleri. Në kontekstin e historisë, aq të mëdha janë përmasat e krimeve të tij, aq çnjerëzore, sakaq ta dekonstruktosh Hitlerin e të bësh humor me të, me aq lehtësi, ndonjëherë të krijon keqardhje të madhe, refuzim ideo-estetik dhe zemërim. Figurat e tilla janë thuajse figura të panegociueshme, për shkak të shkatërrimit total të vlerave universale e njerëzore, duke prekur të drejtat më themelore e të pakontestueshme njerë- zore. Prandaj, nëse ne do ta përjetonim si artistike një tallje aq të lehtë të pupetës së Hitlerit, krahasuar me një të mbijetuar të Holokaustit, atëherë këtij të fundit, do t'i dukej kjo vepër fyerje, nënçmim, përbuzje, tallje me vetë viktimat dhe të mbijetuarit e nazizmit. Prandaj, vepra ndonëse krijon një momentum të ri diskutimi mbi relativizimin e veprave të liga të diktatorëve, përkundër qëllimit jo dashakeq të artistit Havolli, na jep zemërim, pikërisht duke e tallur aq lehtë diktatorin Hitler. Satira e lehtë ndaj Hitlerit e ardhur nga refuzimi i nazizmit prej të keqes universale nga shumë shoqëri e shtete, na rezulton me kritikë të këtij koncepti. Si mund ta dekonstruktosh aq lehtë Hitlerin? Si mund të na bësh të qeshim me Hitlerin? Si mund ta vëmë në galeri Hitlerin, i cili na bën atë të dashur, fëmijëror, qesharak, duke na zbutur zemrat për të, dhe jo për këdo, por për një diktator të vrasjeve e shfarosjeve në masë?! A është etike-artistike tallja e lehtë me Hitlerin? Pa dyshim se dhënia e çmimit të parë për "Silphium" (skulpturë 88x20x12 cm), figurën e Hitlerit, e shton problematicitetin e diskutimit mbi këtë vepër. Po të ishte vetëm në ekspozitë, nuk do të ishte aq problematik të përzihej me veprat e tjera, por një vepër me çmimin e parë, me një emër "Silphium", si lloj bime e vjetër në antikë e me lloj-lloj simbolika të zemrës e shërimit të sëmundjeve, është paksa nxitje për ta problematizuar edhe filozofikisht e konceptualisht. Hitleri nuk mund të relativizohet e dekonstruktohet pak se nuk është një mit i largët. Ta tallësh sikur bëjnë fëmijët, duke ia lëshuar teposhtën deri në këmbë rrobat, është mahi që mund të bëhet me secilin. Batutat me diktatorët që mbahen përgjegjës për krime monstruoze, nuk munden të barazohen me batutat e personaliteteve të zakonshme publike, ose politikanë. Figura e Hitlerit sado qesharake që mund të dalë, a mundet të na bëjë të qeshim lehtë, duke e pasur parasysh se ka qenë figurë vrastare? Një figurë që aq shumë e urrejmë si Hitlerin për krimet e bëra kundër njerëzimit, nuk mundet aq kollajshëm të na jap të qeshura me figurën e tij, atë që na solli artisti Havolli në galeri. E përfytyrova Milosheviqin nesër, duke i rënë pantallonat! A do të qeshja unë dhe si do të qeshnin nënat e të pagjeturve dhe familje që kanë humbur më të dashurit e tyre teksa përballen me një vepër të tillë bashkëkohore në galeri?! Jam më se i sigurtë se për të mbijetuarit e Holokaustit apo të Milosheviqit, edhe në këto momente qesharake të rënies së pantallonave të Hitlerit apo Milosheviqit, nuk do të mund të qeshnin. Madje, do të mund të irritoheshin me vetë artistin, sepse duke u përpjekur artisti Havolli ta vë diktatorin nazist në një pozicion komik, na bën atë figurë të dashur, figurë simpatike, figurë infantile, kukull fëmijësh, etj. Kukullat e vogla janë të dashura shumë për fëmijët dhe problematike mbetet edhe vetë ideja që artisti të shfrytëzon si materiale të veprës diçka që mund të jetë e dashur edhe për fëmijët. Po e marrim edhe një situatë të re: aty ishte një fëmijë në katin e dytë të galerisë dhe shikonte buzagaz Hitlerin. Çfarë do të ndodhte nëse fëmijët ta pëlqenin kukullën "Hitler" të Havollit sikur kukullat e famshme "Barbie Mariposa", "Spajdermen", "Betmen", "Supermen", "Masha", "Vajzat amerikane", prodhimet e Disney-it, "Elsa&Anna", "Moana", e tjerë e tjerë?! Pozicionet komike të diktatorëve që konsideron përgjegjësit e vrasjeve masive, na bëjnë të qeshim neve, për sa kohë kemi pak informacione mbi krimet kundër njerëzimit dhe vetëm kemi dëgjuar për të si emër dhe kaq. Nëse urrejtja është më e madhe për një figurë, nuk na lë të qeshim para apo kundruall tij (jo gjithmonë shpëtojmë!), dhe sa më pak futemi thellë në njohje paraprake të historisë e çmendurisë së figurave të tilla, apo nëse na vjen ashtu befas, mund të qeshim, por sërish çehrengrysemi apo jemi me dilema! Një anë krejt tjetër që sërish na lejon ta shohim me mirëkuptim veprën e Havollit, është fakti se paraqitja e Hitlerit duke vënë shenjën e dorës sikur e bënin nazistët dhe në anën tjetër, poshtë këmbëve me pantallona të rënë, na dërgon si receptues e konsumues arti, edhe në dimensione të tjera. Ta vësh një diktator me pretendime për ta pushtuar botën, në atë mënyrë, është lojë me pafuqinë e dobësinë e diktatorit (rënia e pantallonave poshtë këmbëve), dobësia njerëzore (të gjithë kanë nevoja fiziologjike, por edhe sjelljet e tilla tipike për fëmijët, si kryerja e nevojës së madhe e të vogël gjersa bien edhe pantallonat apo rrobat e tjera pas shpërthekimit!), janë edhe mënyra të reja për ta dekonstruktuar një diktator dhe pushtetin e tij. Simbolikat e tjera të këtij pozicioni është edhe frika, ngase shpesh përdoret edhe vulgarisht se "u dh… n'dane nga frika"! Në secilin variant, artisti Havolli duke na bërë të qeshim me Hitlerin dhe duke na vënë në dilemat filozofike se a mund të qeshim edhe me diktatorët vrastarë, kur janë në pozicione komike, dhe mënyra e paraqitjes së pupetës së tij në dimensione edhe të dashura për fëmijët, na jep ndjenja ambivalente, herë-herë refuzuese, nga frika se po e bëjmë Hitlerin më të dashur dhe po i negociojmë krimet kundër njerëzimit, e të cilat krime nuk duhet të jenë kurrë të diskutueshme! Hitleri ishte aq diktator i tmerrshëm, sakaq nuk mund të tallemi me pozicione që janë shumë të njohura sidomos për fëmijët dhe na bëjnë edhe t'i shohim me simpati! Pati shumë pjesë- marrës edhe që fotografoheshin me "Hitlerin e vogël" dhe qeshnin me të. Ato fotografi ndahen me të tjerët dhe shumëzohet simpatia pa dashje për këtë figurë të tmerrshme! Ndërsa në pikëpamje artistike, nuk ishte ndonjë vepër e vështirësive të mëdha të krijimit, ndonëse qëndronte artistikisht këndshëm e bukur! 

INSTALACIONI I SYLEJMANIT

Jetullah Sylejmani mori çmimin me instalacionin "Center". Ishte vënë një kulm çeremidesh a tjegullash dhe ishte vendosur në galeri si vepër. Nuk na pëlqeu aq apo fare, ndonëse rrinin bukur, po aq sa rrinë bukur e zakonshëm tjegullat e reja në një shtëpi nga ndërtimtari i zakonshëm a kulmndërtuesi. As konceptualisht nuk ndërlidhej vepra me titullin. Jo rrallëherë ka ndodhur që artistët, kuratorët apo kritikët e artit, të vënë emra, tituj e tekste të kota të veprave, duke besuar se të filozofosh pakuptueshëm do të jetë diçka artistike e me domethënie të lartë. Ja si ishte përshkrimi për këtë vepër: "Me instalacionin 'Center'(Qendra) Sylejmani sjell shpirtin nihilist njerëzor dhe pamundësinë për të realizuar prirjet nihiliste të tij. Njeriu gjithnjë synon të eksplorojë të panjohurën, të largohet nga qendra rutinore, por gjithmonë është siguria e qendrës së banimit ajo që e lidh dhe ia humb lirinë dhe sensin nihilist të shpirtit të tij." Ky tekst ishte pranë veprës së kulmit të një ane të shtëpisë, e prezantuar si vepër artistike bashkëkohore. E kuptuat ndonjë gjë? Krejt e kuptueshme, por jo e ndërlidhshme! Artisti Jetullah Sylejmani është me talent e ide të mira, por kjo vepër as nuk më pëlqeu, e larg asaj, që të më stepte. Nuk është art, vetëm se merr diçka aty dhe e hedhë në galeri! Prandaj, kanë të drejtë ndonjëherë edhe kritikët e artit bashkëkohor: nuk është bre çdo gjë art sepse pastaj po humb kuptimi dhe dallimi i atij që është artist dhe nuk është artist! 

PIKTURAT E KRASNIQIT

Altin Krasniqi mori po ashtu çmim me veprat e tij të titulluara "Jutopia". Kishte 11 piktura shumë të veçanta me mure shtëpish me blloka të kuq, të hirtë, e tjerë e tjerë. Pikturat ishin në përmasa 11x30x40 cm dhe qëndronin shumë estetikisht në muret e sallës së ekspozitës. Ishin piktura shumë të lezetshme e simpatike. Të tërhiqnin tej mase edhe në modestinë e tyre, përmasat jo të mëdha e as krejtësisht të vogla dhe për kuptimet që sillnin rreth ndryshimeve të mureve dhe vendbanimeve të kosovarëve! 

EKSPOZITA SI TËRËSI

Në përgjithësi, ishte një ekspozitë e mirë! Galeria Kombëtare e Kosovës është ndër institucionet e rralla kulturore në Kosovë, e cila përkundër joserioziteteve që shfaq me emërime e përzgjedhje drejtorësh me zvarritje, vazhdon ta ruajë kualitetin e ekspozitave. Edhe edicioni "Artistët e rinj" dhe ekspozita me finalistë, ishte aktivitet i duhur dhe ndihmon artistët e rinj kosovarë të dalin nga izolimi. Por në përgjithësi, as nuk ishte as ekspozitë e jashtëzakonshme sa të shkaktonte stepje estetike e konceptualiste, as për të thënë se ishte ekspozitë pa shije. Thjesht,ishte një ekspozitë e mirë dhe e zakonshme bashkëkohore!

(Kosova Sot)