Lexuesi po i kthehet librit

  • 12 June 2017 - 09:29
Lexuesi po i kthehet librit

Panairi pati rritje të numrit të vizitorëve

Është mbyllur dje në Prishtinë Edicioni i 19-të i Panairit të Librit, si është më së miri. Për organizatorët e këtij aktiviteti, edicioni i sivjetmë, i 19-ti me radhë, ka dalë të jetë panairi më i mirë dhe më i vizituari nga qytetarët kosovarë. Veçanërisht ajo që ra në sy, sipas organizatorëve, ishte vizita dhe interesimi i të rinjve kosovarë për librin. Janë dikur rreth 40 mijë vizitorë që kanë vizituar edicionin e sivjetmë të panairi, ndërsa kanë marrë pjesë diku 100 botues shqiptarë, nga gjithë hapësira ku botohet libri shqip. E, ajo që është më karakteristike për këtë panair, është se fushata zgjedhore dhe zgjedhje nuk kanë prekur fare vizitueshmërinë e panairit, përkundrazi, elektorati i sivjetmë i librit ka shënuar rritje.

Shtohen lexuesit e rinj

Në Konferencën për media të mbajtur nga Shoqata e Botuesve të Kosovës, si organizatore e Panairi, të dielën në ditën e fundit të panairit, drejtues të saj kanë thënë se panairi ka kaluar siç edhe e kanë planifikuar ata, duke pohuar se për çdo vit po rritet dhe po tërheq më shumë vizitues. Daut Demaku, kryetar i SHBsë, ka thënë me këtë rast se vizitueshmëria ka qenë ajo që ka shënuar rritje, siç ka thënë ai, janë lexuesit e rinj ata që po shtohen dhe ka falënderuar mësuesit dhe prindërit, që, sipas tij, po krijojnë një traditë për kulturën e leximit në vend. Ndërsa, ka thënë se meritë për mbarëvajtjen ka edhe drejtori i Doganave, pasi siç ka thënë ai, mundësoi kalimin pa problemeve të botuesve shqiptarë për në Prishtinë. 'Pavarësisht se dy qeveritë kanë premtuar se do të hiqen taksat për librin në kufi, Doganat kanë marrë një njoftim se nuk ka heqje tatimi dhe kjo tregon mosrespekt për librin", ka thënë ai, duke shtuar se panairi ka pasur edhe një sërë aktivitetesh, të cilat kanë krijuar një situatë të kënaqshme gjatë ditëve sa ka zgjatur panairi. Ndërsa, Besian Zeneli, duke folur rreth kërkesave të librit dhe vizitueshmërisë, ka thënë se, përveç emrave të njohur të letrave botërore, kërkesa të shtuara janë shënuar edhe për letërsinë vendase, sidomos autorë të rinj. Kurse ka thënë se fushata zgjedhore dhe dita e zgjedhje nuk kanë ndikuar në vizitueshmërinë.  

Botuesit pjesëmarrës mbetën të kënaqur

Në anën tjetër, edhe botuesit pjesëmarrës të Panairit të libri kanë shprehur kënaqësinë me rezultatet e arritura. Fatmir Halimi, drejtori i SHB "Prokult", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se edicioni i sivjetmë i librit ka qenë mjaft i frytshëm për botuesit, sidomos për botuesit e rinj, pasi vazhdimisht ka pasur vizitorë dhe interesim për librat që ne si botues i kemi ofruar lexuesit. " Nëse deri para pak ditësh kishin përshtypjen se libri nuk shitet dhe ka një mosinteresim lidhur me librin, kjo doli gabim, pasi libri shitet dhe ka një lexues të gjerë dhe shumë të pasionuar", ka thënë ai. Kurse, Nuredin Ahemti, në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se panairi i sivjetmë solli mjaft të mira për librin dhe lexuesin dhe është edhe një tregues për veprimtarinë botuese shqiptare dhe sigurisht edhe dëshmi se lexuesi shqiptarë nuk e ka braktisur librin, por përkundrazi, ai është mjaft i interesuar për të. "Ajo që na bënë përshtypje është se Panairi solli botime të larmishme, nga fusha të ndryshme, që është një gjë e mirë dhe më e mira ishte se edhe çmimi ishte i kapshëm për lexuesin tonë, i cili, siç e dimë, nuk ka edhe shumë mundësi financiare", ka thënë Ahmeti. 

(Kosova Sot)