Diplomacia kulturore, në gjumë të thellë

  • 16 June 2017 - 09:50
Diplomacia kulturore, në gjumë të thellë

Diaspora shqiptare, më e merituara për afirmimin e kulturës kombëtare 

Institucionet shtetërore kosovare kanë bërë pak për afirmimin kulturës sonë nëpër botë. Edhe ato pak aktivitete, në të cilat projektet kulturore janë treguar të suksesshme, duke marrë vëmendjen e opinionit të huaj, janë bërë në baza vetjake të artistëve tanë, apo OJQ-ve, që pak kanë marrë mbështetje institucionale. Duke treguar kështu që shteti i Kosovës dhe institucionet e saj vartëse pak marrin vesh sa i përket diplomacisë kulturore, dhe rëndë- sisë së saj në afirmimin e kulturës në botë. Kështu kanë thënë, në prononcime për "Kosova Sot", njohës të zhvillimeve kulturore në vend. Sipas tyre, edhe atëherë kur Kosova prezantohet jashtë në ndonjë event të rëndësishëm ndërkombëtar, efektet janë të vogla, përjashto dy- tri raste. Madje, sipas tyre, një kontribut të madh për afirmimin e kulturës sonë, sidomos nëpër vendet evropiane dhe Amerikë, ka dhënë dhe po jep diaspora shqiptare. Pothuajse çdo gjë që sot dinë dhe kanë mësuar evropianët për kulturën tonë, sidomos pas shkatërrimit të ish-Jugosllavisë e dinë falë diasporës së fuqishme shqiptare. 

Artistët të formojnë një federatë kombëtare

Ismet Tahiraj, krijues dhe studiues i zhvillimeve kulturore në vend, ka thënë për "Kosova Sot" se institucionet shtetërore dhe ato kulturore pothuajse janë në gjumë, kanë luajtur lojën e të shurdhuarit, kur është në pyetje afirmimi i vlertave tona kombëtare. "Sa e sa projekte filmike, teatri, e forma të tjera të prezantimit kulturor e artistik është dashur të jenë prezente kudo nëpër Evropë", tha ai, duke shtuar se institucionet nuk i kushtojnë aspak rëndësi vlerave të mirëfillta, duke dhënë si shembull ndihmën e ulët që ndan shteti për të mbështetur aktivitetet e Lidhjes së Shkrimtarëve të Kosovës, në krahasim më ndonjë OJQ, me pak kapacitete kombëtare. Tahiraj ka kujtuar gjenerata të shumta të talenteve shqiptare që rriten dhe formohen në vendet të ndryshme të Evropës, të cilat, sipas tij, vazhdojnë t'i bëjnë nder vendit të origjinës duke u prezantuar gjithherë se nga vijnë kur nderohen apo korrin sukses në evente të ndryshme. "Ma thotë mendja se është koha që edhe artistët të formojnë një federatë kombëtare për të arritur rezultate lakmuese dhe për ato konkurruese kjo do të ishte kulmi i sukseseve të Kosovës me përkrahje të fuqishme shtetërore", ka thënë Tahiraj.

Punë e mirë, falë njerëzve vullnetmirë

Edhe shkrimtari Argjend Hasani ka thënë se institucionet shtetërore kanë bërë pak, për të mos thënë asgjë, sa i përket afirmimit të kulturës kosovare përmes diplomacisë kulturore. Hasani ka thënë se edhe ajo pak punë që është bërë në këtë drejtim, është bërë më shumë falë njerëzve të vullnetit të mirë dhe shoqatave kulturore sesa institucioneve gjegjëse. "Po të mos ishin aktivitetet kulturore, siç e thashë më lart, eksponentët e kulturës kosovareshqiptare nga radhët e diasporës, si individuale apo në mënyrë të organizuar nëpërmes shoqatave kulturore në promovimin dhe afirmimin e vlerave kulturore e kombëtare kudo nëpër Evropë dhe botë, nëse bazohemi në rolin dhe përkrahjen institucionale shtetërore, kultura nuk do të përfaqësohej thuajse fare", ka thënë Hasani, një njohës i mirë edhe i zhvillimeve kulturore në diasporë. Ndërsa ka thënë se meritat kryesore në përfaqësimin, prezantimin dhe afirmimin e kulturës sonë kombëtare kudo nëpër botë nuk i kanë aspak institucionet shtetërore, por diaspora jonë mirë e organizuar dhe atdhedashëse.

(Kosova Sot)