Historia mbi 500-vjeçare e shqiptarëve në dokumentet e sjella nga Turqia

  • 17 June 2017 - 09:34
Historia mbi 500-vjeçare e shqiptarëve në dokumentet e sjella nga Turqia

Historiani Dr. Bedri Muhadri, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë, ka thënë se dokumentet osmane në shkencën e historisë shqiptare zënë vend të rëndësishëm në hulumtime shkencore -historike në shumë aspekte, si ato historike-politike, ekonomike dhe demografike

Dokumentet osmane, që ruhen në arkivat turke, kanë një rëndësi shumë të madhe për historiografinë shqiptare, pasi brenda tyre ruhet historia mbi 500-vjeçare e shqiptarëve. Posaçërisht ajo e mesjetës. Qasja sa më e madhe në këto dokumente nga historianët tanë, do të sjellë shumë të dhëna të reja interesante për historinë e trevave shqiptare. Në këtë prizëm duhet parë edhe mijëra dokumente osmane, që tashmë janë pjesë e fondit të Institutit Albanologjik të sjella pak kohë më parë nga Turqia. Kështu kanë thënë në një prononcim për "Kosova Sot", historianët kosovarë, sipas të cilëve studimi i hollësishëm i dokumenteve të sjella nga Turqia do të zbardhë shumë të panjohura për historiografinë tonë.

DOKUMENTE ME RËNDËSI

Historiani Dr. Nuridin Ahmeti, bashkëpunëtor shkencor në Institutin Albanologjik, ka thënë se dokumentet osmane, veçanërisht ato të sjella në IAP, kanë një rëndësi të madhe për faktin se, siç ka thënë ai, së pari, një pjesë e konsiderueshme e trashëgimisë sonë kulturore, gjuhësore, letrare e shkencore është e shkruar në këtë gjuhë ose në shqip, por me alfabetin arab. Nga ky korpus, ka thënë Ahmeti, me qindra dorëshkrime të veprave autoriale të alamiados shqiptare kanë mbetur të panjohura për lexuesin e sotëm, të pabotuara dhe rrjedhimisht edhe të pastudiuara, andaj këto dokumente, por edhe të tjera që gjinden gjithandej bibliotekave dhe arkivave të Turqisë do t'u ndihmojnë studiuesve edhe të tjerëve të interesuar, për t'i ndriçuar këto kontribute. "Së dyti, shumë nga dilemat e lindura kohëve të fundit, lidhur me ngjarje dhe personalitete të historisë sonë kombëtare, më parë se me anime dhe me përcaktime politike e ideologjike, do të zgjidheshin lehtazi me qasjen në burimet parësore e origjinale të kohës të shkruara në osmanishte, besoj se edhe në këtë aspekt, përdorimi me kritere shkencore i këtyre dokumenteve do t'u mundësojë studiuesve për t'i qartësuar disa ngjarje e personalitete të ndryshme", ka thënë Ahmeti. 

PRANIA E ETNOSIT SHQIPTAR NË KOSOVË

Historiani tjetër, Dr. Bedri Muhadri, bashkëpunëtor shkencor në Institutin e Historisë, ka thënë se rëndësia e dokumenteve osmane në shkencën e historisë shqiptare zë vend të rëndësishëm në hulumtime shkencore -historike në shumë aspekte, si ato: historike-politike, ekonomike dhe demografike. Sipas tij, dokumentet osmane, që më gjerësisht flasin për përmbajtjen demografike dhe që dëshmojnë praninë e etnosit shqiptar në Kosovë gjatë tërë mesjetës janë burimet osmane të shek. XV dhe XVI, si: Regjistrimi i trevës së Brankoviqëve nga viti 1455-Vilajeti Vëlk-Vilajeti i Vukut; Defteri i Sanxhakut të Shkodrës nga viti 1485, Defteri i Sanxhakut të Vuçitërnës 1462; Defteri i Sanxhakut të Dukagjinit 1571 e 1591, si dhe Defteri i Sanxhakut të Prizrenit 1591. "Dokumentet osmane shpjegojnë praninë masive të shqiptarëve në periudhën osmane dhe para osmane në territorin e Kosovës. Arbërit në territorin e Kosovës gjatë shekujve XIV, XV dhe XVI janë banorë të përhershëm pothuajse në të gjitha vendbanimet, si në fshatra dhe në qytete", ka thënë Muhadri. Po sipas tij, sipas defterëve kadastralë osmanë të shekujve XV-XVI dëshmojnë qartë se popullsia e Rrafshit të Dukagjinit e të Kosovës në shumicën dërmuese ishte popullsi shqiptare e besimit katolik dhe ortodoks, kurse elementi etnik serb përbënte aty një pakicë dhe atë si feudal, njerëz të aparatit administrativ-kishtar, tregtarë të ardhur gjatë kohës së sundimit të Nemanjve, veçanërisht në kohën e periudhës së Stefan Dushanit. Ndërsa ka thënë se në sajë të burimeve osmane të shek XV-XIV, dëshmohet dhe argumentohet edhe aspekti konfensional, në Kosovë, Maqedoni të sotme, në rajonin e Nishit dhe të Novi Pazarit në mesjetë. Kurse ka përmendur edhe dy defterë, atë të vitit 1571, 1591, që japin të dhëna lidhur me gjendjes etnike në Rrafshin e Dukagjinit në shek. XV-XVI, sidomos për njohjen e strukturës etnike të popullsisë së qytetit të Prizrenit dhe vendeve përreth të Opojës dhe të nahijes së Hoçës kanë një rëndësi të pazëvendësueshme të dhë- nat që ofron regjistrimi turk i Sanxhakut të Prizrenit i vitit 1591. Duke u bazuar në to, del se pjesa dërrmuese e popullsisë së Opojës në këtë kohë ishte shqiptare. 

GËNJESHTRAT SERBE 

E, ajo që ofrojnë dokumentet osmane është se hedhin poshtë pretendimet e historianeve serbë mbi lëvizjen e popullatës së Shqipërisë së Veriut drejt Kosovës. Këto pretendime të serbëve, ka thënë ai, kundërshtohen bindshëm nga faktet, që burojnë nga burimet osmane. Zyrtarët osmanë, ka pohuar më tej Dr. Muhadri, zakonisht në hartimin e dokumenteve regjistruese, shënonin se cilët krerë të familjeve ishin "ardhacakë" në vendbanimet e tyre. Kështu, në sanxhakun e Prizrenit, më 1591, në mesin e 41 shqiptarëve të lindur aty, janë shënuar vetëm 5 emra të ardhacakëve shqiptarë. Kjo dëshmi hedh poshtë idenë e ardhjes së shqiptarëve nga Shqipëria e Veriut në Kosovë. "Argumente të tjera më të përgjithshme kundër idesë së ardhjes, mbështetet në numrin relativ të popullatës, si dhe në shkallën e shtimit të saj. Popullata e Kosovës gjatë kësaj periudhe ishte shumë më e madhe sesa popullatat e Shqipërisë së Veriut dhe asaj të Mesme.  
 

(Kosova Sot)