PAFUQIA E NJË PANAIRI DHE E-SHITJA E LIBRIT - Kulturë - Kosova Sot
PAFUQIA E NJĖ PANAIRI DHE E-SHITJA E LIBRIT

PAFUQIA E NJĖ PANAIRI DHE E-SHITJA E LIBRIT

SHKRUAN: AVNI RUDAKU

Panairi më i rëndësishëm në vend i mbajtur në Prishtinë prej 6 qershor-11 qershor mbeti nën hijen e zgjedhjeve elektorale, pasi rastësisht gjatë këtij viti ishte edhe fushata për zgjedhjet parlamentare të Kosovës. Për ta rritur irritimin e panaireve janë edhe ato lajmet e politikanëve që bëjnë sfilatë nëpër panaire librash, sa për t'u dhënë atë ditë një lajm se politikani iks a ypsillon e vizitoi panairin dhe tha se do ta ndihmonte retorikisht librin! Shumica e deklaratave janë të pasinqerta nga politikanët dhe në panair zakonisht thuhet diçka sa për të thënë, sa për të krijuar imazhin e politikanit të lexueshëm e të edukuar, por jo edhe për të pasur takime paraprake me botuesit e shkrimtarët, për të njohur problemet reale për botimin e librit, shpërndarjen dhe shitjen, e më pastaj të hartohej plani, strategjia e programi i ri qeverisës kulturor. Asnjëri nga partitë apo kandidatët thuajse nuk ka pasur program real se si do t'i qasej librit, si do të ndryshonte kushtet në të cilat gjendet sot libri fizik dhe online (e-libri dhe e-shitja). Në vend të kësaj, politikanët vetëm përvetësuan nga panairi, imazhin e tyre pozitiv, por shumica prej tyre, përveç ndonjë propagande të blerjes së ndonjë libri para kamerave, asgjë konkrete nuk ofruan për botuesit, shpërndarësit e autorët. Asnjëri nuk e tha edhe një ide të vetme që do ta rimendonte botimin e librit në Kosovë dhe ta shihnit si një politikan që ka vizion për këtë fushë, qoftë edhe nëse partitë e tyre politike kanë letrarë brenda tyre. Nuk ka më fatkeqësi sesa të marrësh shkrimtarë, aktorë, artistë vizualë brenda gjirit partiak dhe në vend të futjes së tyre në mekanizmit e veprimit dhe përpilimit të programeve për fushën e kulturës, ata/ato bëhen vetëm zëdhënës dhe përfaqësues partish politike, të cilët mbulojnë të metat e keqqeverisjeve të kaluara. Po ashtu, ishte e neveritshme, ku dëgjonim kandidatët duke debatuar për fushën e kulturës në një a dy debate të vetme dhe nuk njihnin shumica dërrmuese e tyre problemet për trashëgiminë kulturore, veprimtarinë botuese, problemet e teatrove dhe kinemave, etj. Nuk është e thënë se të marrësh aktorë, piktorë, shkrimtarë, etj., brenda partive politike dhe të jetë kjo siguri se do të keni edhe program kreativ, të besueshëm e të zbërthyeshëm për politikat kulturore. Aktori mund të jetë aktor, por jo detyrimisht nëse del para mikrofonit për të prezantuar programin kulturor të një partie, do t'ia del duke u thirrur në sukseset e tij personale e të kahershme si aktor! Ishte shumë e bezdisshme të shihnit sa improvizime bëjnë partitë politike për programet në kulturë, duke besuar në mënyrë iluzive se nëse i paskëshin aktorët, shkrimtarët e piktorët, do t'ia dalin mbarë në politikat reformuese kulturore nëse do të vinin nesër në pushtet! Politikat kulturore ndërrohen me ekipe të motivuara të punës, me dije e shkathtësi në politikat kulturore, me përkushtim dhe të pranuarit se kultura do të jetë e rëndësishme gjatë qeverisjes së ardhshme, duke e dëshmuar edhe me kuadro, ide, programe konkrete, e jo sall futjes së emrave të aktorëve, qofshin edhe aktorë të shkëlqyer me karrierën e tyre vetëm si aktorë. Partitë politike, bashkë me kandidatët e tyre dështuan për të dhënë ide plotësuese rreth panaireve të librave, se si do ta reformonin organizimin e tyre, por edhe për shumë probleme të tjera kulturore, as nuk ishin afër me ide konkrete për zgjidhjen e tyre. 

PANAIRET ME EMRA DEJA VU

Si është e mundshme që të na shfaqen gjithmonë emra të përveçëm se është autori me librin më të shitur në çdo përvjetor panairi, thua se nuk ka autorë të tjerë? A nuk janë autorë të vlefshëm edhe ata e ato që nuk kanë mbrapa tyre një media të fuqishme? A nuk janë autorë edhe ata që nuk kanë fuqi promovimi? A nuk janë drejtuesit e panairit të librit duke krijuar përshtypjen se një a dy shtëpi botuese vlejnë në këtë vend dhe të tjerët jo, apo kanë humbur fuqinë nga marketingu i vazhdueshëm i medieve private? Sa dhanë hapësirë mediet për autorët e rinj të librave? Sa u hapën tema të reja, të cilat e informuan publikun me autorët e rinj, për letërsinë, etj., për disa ditë rresht? Sa u diskutua problemi i shpërndarjes së librave? Sa ndikoi panairi në frymën e përgjithshme kulturore në vend, apo thjesht është bërë vend i ngjashëm si tregu i veturave? Madje, këtu duhet thënë diçka me rëndësi: në shoqërinë kosovare flitet tej mase për veturat në secilin ambient privat e publik, prandaj e njëjta gjë duhet të vlejë edhe për panairin e librit: të flitet për librin për kohë të gjatë, para, gjatë e pas panairit, e jo vetëm gjatë pesë ditëve të shitjes. Panairi në Prishtinë është bërë 'déjà vu', pasi që dominojnë lajmet për emra të njëjtë, autorë të njëjtë, shtëpi të njëjta botuese, pa ndonjë risi. Mos të flasim pastaj në dështimin për të ftuar ndonjë shkrimtar të huaj e me renome dhe për të qenë panairi një mundësi për të ushqyer dëshirat e lexuesve! Panairi i librit duhet të ndjehet si festë në krejt qytetin, por jo edhe nëse e shohim sukses, se i nxitëm disa politikanë e përdorues rrjetesh sociale, të fotografohen me sfondin e panairit, pa ndonjë impakt tjetër kulturor, intelektual e social në shoqërinë kosovare!

PANAIRET E LIBRIT VETËM SI TREG

Pavarësisht se nuk mungojnë aktivitetet gjatë çdo panairi, por në të ardhmen duhet të mendohet për tjetër format të organizimit të aktiviteteve gjatë panairit; duhet të mendohet krijimi i atmosferës letrare edhe jashtë panairit, në trafikun urban, në hapësirat publike, e më gjerë, me plot reklama, afishe, aktivitete, bashkëpunime me shkollat e bizneset, etj. etj. Duhet të krijohet atmosferë libri edhe jashtë hapësirës fizike të panairit, duke pasur edhe stenda mobile(lëvizëse), duhet të krijohen disa salla diskutimesh të ndryshme ku mund të bashkëbisedohet për autorë të rinj dhe frekuentuesit të kenë mundësi të ndjekin ligjërata të ndryshme, për lloj-lloj letërsie dhe zhanri letrar e më gjerë, duke përfshirë panelin miks prej shumë sfondesh profesionale. P.sh., në panairin e Lajpcigut, pa pretenduar për të arritur atë nivel edhe shumë dekada, por si model, mund të na shërbejë se si blerësit takohen me autorët e ndryshëm e shtëpitë botuese, se si ka salla të ndryshme për të folur herë për letërsinë e vendeve të Ballkanit, herë të Evropës Lindore, herë të letërsisë gjermane, etj. Në Kosovë panairi fillon e mbaron me emrin e përveçëm të një publicisti, se si është libri më i shitur i panairit, duke krijuar déjà vu për secilin panair. Nuk mund të bëhet panairi i librit në Prishtinë, sinonim me emrin e përveçëm të një publicisti që ka fuqinë e vet mediatike për promovim dhe për të promovuar vetveten politikanët e ndryshëm. Sa u jep hapësirë autorëve të rinj ky panair? Sa diskutohen problemet, me të cilat ballafaqohet çdo autor me shpërndarjen dhe shitjen e librit të tij? Sa ndeshen problemet e mosleximit, sfidat e leximit sot, ndikimi i teknologjisë, roli i e-shitjes në librin online? Ja do ta marrim problemin e shitjes online dhe përmes "Amazon", për autorët kosovarë.

DOBËSIA E PANAIREVE DHE "AMAZON"

Panairet e librit, qoftë edhe ky i Prishtinës, kanë humbur fuqinë sidomos edhe me botimin, shpërndarjen dhe shitjen online, qoftë edhe përmes gjigantit "Amazon". Ka shumë faqe ku mund të mbushet aplikacioni si autor, të krijosh xhirollogarinë tënde (si p.sh., "createspace") dhe të futësh librat aty, për t'i botuar e shitur online. E porosisni përmes internetit dhe ju vjen në shtëpi kopja fizike, e shtypur në shtypshkronjën jashtë Kosovës, pa nevojën për atë lokale! Kjo i mundëson shumë autorëve të qasen direkt në tregun lokal e botëror, përmes shitjes online. Janë disa vështirësi edhe në këto e-tregje, të cilat kurrë nuk bëhen probleme në panelet e panaireve si në Prishtinë apo mediet tona, e sidomos kur marrim parasysh Kosovën dhe politikanët, të cilët duhet t'i njohin zhvillimet bashkëkohore teknologjike se si kanë ndikuar edhe në shitjen e librit, duke iu përgjigjur problemeve me zgjidhje konkrete. P.sh., ne u përpoqëm të botonim dhe të shisnim online librin tonë më të ri. E bëmë llogarinë private, vendosëm të dhënat tona si autor dhe në aplikacion kishit "ISBN"-në online, nëse nuk e kishit një të tillë nga Biblioteka Kombëtare dhe merrnit një numër "ISBN"-je elektronike. Më pastaj, mund ta përcaktonit formatin e botimit të librit, dimensionet, kopertinën, ilustrimin në ballinë, mundësitë për të intervenuar sa herë donit brenda tekstit, e tjerë e tjerë. Mirëpo, problemet teknike shfaqeshin kur në listën e shteteve, nuk rangohej Kosova, pasi duhej futur të dhënat bankare, xhirollogarinë, SWIFT kodin dhe IBAN-in. Duke mos figuruar Kosova si shtet në këto lista botërore, sikur janë p.sh., aplikacionet për punë në zona lufte të Irakut e Afganistanit, detyroheni ta shkruani "Albania", ose "Serbia". Shpesh aplikuesit e ndryshëm kosovarë hasin në vështirësi emocionale ngase nuk duan në asnjë mënyrë ta shkruajnë Serbinë si vendbanim të tyre, por "Kosovo" do të mungojë në listën e vendeve gjegjëse që ta imponon aplikacioni online! Një problem teknik u shfaq edhe në shitjen e librit online, pasi që duhej t'i thuhej dikujt jashtë Kosovës ta shiste librin për ju, por atij do t'i shkonte tatimi në fitim, apo ndonjë taksë, dhe nuk donit ta bënit një gjë të tillë! Duhej kërkuar zgjidhje të tjera! Kur shkruanim "Albania", nuk përputhej me të dhënat bankare, që ishit me vendbanim në Kosovë dhe pamundësohej teknikisht të plotësohej aplikacioni dhe të mund të fillohej me shitjen e librit. Në këtë kuptim, politikanët duhet të merren me problemet reale të autorëve, botuesve e shpërndarësve. Në Kosovë po ashtu shumë më vështirë shitet libri online, pasi shihni në sa gazeta abonohen, e lëre më të blejnë libra! Blerja fizike është akoma problematike, e lëre më blerja online! Nëse libri hedhet në shitje online në gjuhën shqipe, atëherë do të jetë e vështirë të kapet blerësi i huaj dhe zgjidhja më e mirë është nëse hedhet në gjuhën angleze, gjermane, franceze, spanjolle, etj., ngase mundësia për t'u shitur libri onlne te blerësi jashtë Kosovës, është më e madhe. Në Kosovë, por edhe gjetiu, ekziston edhe një frikë e blerjes online nga frika e gabimeve, përvjedhjeve dhe hakerimit në xhirollogaritë private. Një tjetër gjë sfiduese në "Amazon" mbetet edhe shitja online me përqindje ekstreme të fitimit për shitësin, e jo për ju si krijues/prodhues. Imagjinoni logjikën e këtij kapitalizmit të shitjes online, ku fitimi i "Amazon"-it tejkalon çdo fitim të autorit në përqindje, nëse flasim për një shitës nga Kosova. Por botimi, shtypja, shpërndarja e shitja online e librave, ka riformatuar krejt idenë e shitjes së librit në panaire librash dhe madje ka bërë krejt të panevojshëm edhe gjetjen e një shtypshkronje. P.sh., gjatë shfrytëzimit të "createspace" dhe "Amazon", ju keni mundësinë të tregoni të gjitha kushtet dhe preferencat tuaja si autor, duke iu ardhur libri i shtypur përmes postës te dera juaj! Prandaj, duhen politika të reja, që i përgjigjen këtyre zhvillimeve të reja, qoftë edhe të shitjeve online dhe të flitet se si të përcaktohet tatimi në fitim nga shteti, pasi që çdo gjë që shitet dhe fitohet përmes saj, një shumë duhet t'i kthehet shtetit, shoqërisë apo të mirës publike, qoftë edhe një libër i vetëm i shitur! Edhe nëse lirohet nga tatimi, le të dihet si, qysh e tek!

(Kosova Sot)

4 orë e 52 minuta më parë