Debatet për shqipen po zgjasin tashmë një shekull

  • 21 June 2017 - 08:46
Debatet për shqipen po zgjasin tashmë një shekull

Debate mbi gjuhën shqipe, prejardhjen, vjetërsinë dhe dokumentimin e saj vazhdoi edhe me versione të ndryshme. Hipotezat lidhur me këtë problematikë nuk kanë të ndalur, ka nga ata që mbrojnë hipotezën se shqipja është bijë e ilirishtes së vjetër, deri te mohuesit e kësaj teme të cilët, gjuhën shqipe e shohin si një nga gjuhët më të vjetra që ka arritur të mbijetojë deri në ditët e sotme, që nuk ka lidhje me gjuhët e vjetra ballkanike, e aq më pak me ilirishten. Janë të shumtë studiuesit, sidomos të huaj, që për vite janë duke ngritur hipoteza që e largojnë gjithnjë e më shumë hipotezën që lidh shqipen me ilirishten, gjë që ka lënë jo pa frikë audiencën shqiptare, edhe në Kosovë. Por, gjuhëtarët shqiptarë bëjnë thirrje për largimin e kësaj frike. Gjithçka që ka të bëjë me gjuhën shqipe, historinë e saj, zhvillimin deri te lidhshmëria me gjuhët nga antikiteti duhet të vërtetohen shkencërisht përmes hulumtimeve. Sipas tyre, askush nuk duhet vrapojë pas hipotezave dhe konstatimeve mbi dhe rreth gjuhës shqipe, të cilat janë plasur për më se një shekull. Andaj, edhe sipas tyre, pavarësisht konkludimeve që vijnë nga qendrat e ndryshme shkencore, shkencëtarët tanë janë të mendimit se të gjitha hipotezat duhet të dëshmohen. I vetmi reagim që mund të dalë nga studiuesit tanë janë të arriturat që dalin nga hulumtimet shkencore.

Debatet do të vazhdojnë edhe më tej

Gjuhëtari Rrahman Paçarizi, profesor në Universitetin Publik të Prishtinës, "Hasan Prishtina", në një prononcim për "Kosova Sot", ka thënë se debate mbi prejardhjen e shqipes janë duke zgjatur për më se një shekull dhe do të vazhdojnë të zgjasin edhe më tej. Ai ka thënë se diskutimet nëse shqipja është pasardhëse e ilirishtes janë diskutime që zgjasin më se një shekull dhe do të vazhdojnë edhe më tej. Sipas tij, nuk ka rëndësi nëse shqipja është pasardhëse e ilirishtes apo jo, por ka rëndësi e vërteta shkencore. "Me ketë punë janë marrë shumë autorë dhe kanë nxjerrë përfundime të ndryshme. Shkenca nuk është çështje patriotike, prandaj nuk ka fare nevojë të reagohet kur ka ndonjë pohim a hipoteze për prejardhjen e shqipes. Shkenca nuk bëhet me reagime, por me hulumtime", ka thënë prof. Rrahman Paçarizi për "Kosova Sot". Edhe gjuhëtari tjetër Naim Berisha, hulumtues në Institutin Albanologjik të Prishtinës, ka thënë se gjithçka duhet nxjerrë në bazë shkencore, ndërsa ka thënë se çështja e hipotezave do të vazhdojë edhe më tej. Sa i përket prejardhjes së gjuhës shqipe, ka thënë Berisha, janë të njohura disa hipoteza dhe në mesin e hipotezave për prejardhjen e shqipes, krahas asaj pellazgjike, trake, dako-mize, sintezës, etj., si më e mbështetura del të jetë ajo ilire. 

"Argumentet" mund të shpijnë në përfundime të gabuara

Mbështetësit e kësaj të fundit, ka thënë gjuhëtari Berisha, bazohen në argumente gjuhësore e jashtëgjuhë- sore të shumta, të cilat, siç ka thënë ai, të paktën sipas rezultateve të deritanishme shkencore, janë material i mjaftueshëm për të besuar se shqiptarët janë pasardhës të ilirëve dhe shqipja e ilirishtes. "Duhet ta përmendim se hipotezat e mësipërme, për periudha të gjata i kanë ndarë në disa grupe mendimet e historianëve të gjuhës dhe albanologëve më të shquar. Edhe mbështetësit e hipotezave të tjera i kanë pasur argumentet e veta, të cilat në raste të caktuara kanë qenë të mbështetura edhe shkencërisht", ka pohuar ai, duke shtuar se më e mbështetura dhe më e pranuara është ajo ilire. Por, ka pohuar më tej se gjuha e shkencës nuk lejon të japim përfundime të prera dhe vetë emërtimi i këtyre teorive si "hipoteza" jep mundësi për vlerësime dhe interpretime të vazhdueshme. "Mendoj se edhe pohimet e studiuesve në Vjenë duhet të vlerë- sohen në këtë rrafsh. Ka pasur dhe besoj se do të ketë interpretime dhe vlerësime të ndryshme për këtë çështje, për arsye se popujt e Ballkanit, në forma të ndryshme, që nga lashtësia kanë pasur përzierje të mëdha në mes vete", ka potencuar Berisha për "Kosova Sot", duke konkluduar se kjo mënyrë e zhvillimit të marrëdhënieve dikur, jep mundësi për interpretime të vazhdueshme, gjithmonë duke u thirrur në "argumente", të cilat mund të shpijnë edhe në përfundime të gabuara. 

(Kosova Sot)