Machiavelli: Njeri i mirë, apo i keq?

  • 24 June 2017 - 19:31
Machiavelli: Njeri i mirë, apo i keq?
Është janari i vitit 1506. Niccolò Machiavelli gjendet në fshatrat e Toskanës, duke bërë rekrutim për një milici fiorentinase. Sikur edhe qytetet e tjera italiane të përfshira në luftën franko-spanjolle rreth Italisë, Firencja është një peng jo mirë i mbrojtur. Koha kalon dhe përpjekjet e Machiavellit nuk japin rezultate të mira. Një fshatar hezitues shqetësohet se, nëse regjistrohet si ushtar, atëherë qyteti do të kërkonte taksa nga ai. Të tjerët refuzojnë që të marshojnë me rekrutët e fshatrave të tjera. Si armiq të vjetër, thonë ata, fqinjët janë më të mërzitshëm sesa që mund të jetë ndonjë ushtri që vjen nga larg. Kur shefat e Machiavellit në qeverinë e qytetit ankohen për përparimin e tij të ngadalshëm, atëherë ai iu thotë atyre që ta provojnë vetë ta bënin atë punë.

Libri që ofron këshilla për sundimtarët

I fshehur nga legjenda dhe kundër-legjenda, Machiavelli (1469-1527), është vështirë që të nxirret në dritë. Ngjashëm me moralistin Nietzsche, Machiavelli në të njëjtën kohë është tepër familjar dhe i errët. Përpos për studiuesit, për shumicën prej nesh ai njihet vetëm si autor i librit "Princi", i cili libër pretendon të ofrojë këshilla për sundimtarët si të mos e humbin pushtetin. I botuar pesë vjet pas vdekjes së autorit, edhe pse i njohur edhe si dorëshkrim, ky libër ndau mendimet në tërë Evropën, sidomos në mesin e shumicës që këtë libër e njihnin vetëm në bazë të reputacionit të tij. Në këtë libër thuhet se, qeverisja stabile më shumë varet nga forca dhe manipulimi, sesa nga sjellja e mirë dhe nga ligjet hyjnore. Ky libër i vogël ia siguroi Machiavellit një 'jetë pas vdekjes', në të cilën autori dhe reputacioni bashkohen në një objekt të vetëm të diskreditimit apo lëvdatave, varësisht nga qëndrimet tuaja. Kritikët e quajnë predikues të poshtërsisë dhe kërcënues të rendit shoqëror, derisa mbrojtësit e konsiderojnë patriot me ideologji qytetare dhe proto-demokrat, sidomos nëse libri lexohet ashtu sikur që preferojnë mbrojtësit e tij, bashkë me shkrimet tjera politike të autorit. Pa marrë parasysh kritikat e tjera, që janë shkruar më tej, thuajse askush nuk ka mundur t'i ikte pyetjes a ishte Machiaveli njeri i mirë, apo i keq? Në mesin e ekspertëve që kanë studiuar Machiavellin, Benner bën pjesë në mesin e atyre që Machiavellin e konsiderojnë njeri të mirë. Sikur edhe në librat paraprakë (psh "Etika e Machiavellit"), Benner e konsideron personazhin e saj si armik të sundimit autokratik, i cili në librin "The Prince" kishte vendosur besimin e tij të kahmtotshëm te vullneti i njerëzve dhe sundimi i ligjit. Fatmirësisht për lexuesit e rëndomtë, libri "Be Like the Fox" më shumë supozon, sesa që sjell bindje mirë të formuara rreth qasjes ndaj Machiavellit, i cili të paktën është po aq i vjetër sa edhe Rousseau.

Machiavelli filloi që të mësonte latinisht

Libri i Bennerit mund të konsiderohet një biografi jete dhe kohe, e jo një libër që merret me interpretime. Ai na i tregon ngritjet dhe rëniet në karrierën e një njeriu të veçantë, në një kohë tepër të vështirë. Machiavelli ishte funksionar qyteti, emisar i huaj, azilant politik, student i taktikave ushtarake dhe, natyrisht, shkrimtar. Ai përshkruan papët, mbretërit, perandorët dhe kapitenët e ushtrisë të cilët i kishte takuar. Ai shkroi edhe një histori të Firences dhe një propozim për kushtetutën e këtij qyteti. Por, në anën tjetër, ai shkroi vjersha, satira, drama komike, sidomos "Madërgona", të cilën Voltaire e lavdëron për shkak të antiklerikalizmit. Ai la pas vetes me qindra letra, të cilat Benner i përdorë në librin e tij. Machiavelli kishte gjashtë fëmijë, një grua dhe një dashnore. Në letrat e tij familjare ai del të jetë një baba i kujdesshëm dhe burrë i dashur edhe pse i vështirë. I ati i Machiavellit, Bernardo, ishte avokat me borxhe të cilat e kishin penguar atë ta kryente detyrën e tij dhe të cilat borxhe ka të ngjarë që t'i kishte trashëguar edhe vet Machiavelli. Familja jetonte nga të ardhurat e dhënies me qira të tokave të vogla jashtë Firences. Kur kishte vetëm 7 vjet, Machiavelli filloi që të mësonte latinisht, edhe pse veprat e tij kryesore janë të shkruara në italisht. Sa iu përket klasikëve antikë grekë, ai bazohej te përkthimet. Ditari i t'et, i cili është burimi kryesor i informatave rreth rinisë së Machiavellit, nuk vazhdon pas ditëlindjes së 18-të të këtij të fundit. Për një periudhë dhjetë vjeçare nuk dihet asgjë rreth tij, çka kishte bërë, apo çka kishte thënë.

Pushtimi i republikës së firencës

Qeveria e Firences ishte një përzierje jo e qëndrueshme. Qyteti ishte një republikë, e qeverisur nga zyrtarët të zgjedhur. Por, klani Medici i kontrollonte zyrtarët e qytetit me anë të mitës. Machiavelli kishte hyrë në jetën publike vetëm pas rënies dhe ekzekutimit të Savonarolas, një frat puritan i cili kishte dominuar vitet e para të republikës. Në vitin 1498, Machiavelli u emërua mbikëqyrës i zyrës diplomatike të Firences dhe sekretar i komitetit ushtarak. Që të dyja këto ishin poste me përgjegjësi, por megjithatë nuk ia ofronin atij statusin e shumë dëshiruar të diplomatit. Në vitin 1505 ai bindi komitetin ushtarak të Firences që ta formonte një milici. Në përpjekjet e tij të rekrutimit, Machiavelli disi ia doli që të gjente mjaft fshatarë për paradën e 400 milicëve nëpër sheshin kryesor të Firences. Në vitin 1512, mercenarët spanjollë pushtuan republikën e Firences, dhe Medici u kthyen përsëri. I dyshuar si anti-Medicean, Machiavelli u arrestua, u torturua dhe u fut në burg. Por, pasi që një pjesëtar i familjes Medici u bë papë, pasoi një amnisti, me ç'rast Machiavelli u lirua, por karriera e tij qeverisëse kishte marrë fund. Ai filloi të jetonte në fshat dhe t'i luste miqtë që të intervenonin te klani Medici, që t'ia ndanin ndonjë post. Edhe pse post nuk i dhanë kurrë, këta të fundit e inkurajuan atë që të shkruante, bile ta bënte edhe një propozim për kushtetutën e qytetit.

 (Edmund Fawcett është autor i librit "Liberalism: The Life of an Idea")  

(Kosova Sot)