Frymëzimi, një element qenësor në krijimtari

  • 26 June 2017 - 10:35
Frymëzimi, një element qenësor në krijimtari

SHKRUAN: MR. BISLIM ALIU 

"Piktura ime është një pikturë e inspirimit momental të ngjallur nga kujtimet fëmijërore dhe kërkesat e mia intuitive mbi jetën e njerëzve të mi.

Secila pikturë, vizatim apo skulpturë, ose çfarëdo vepre tjetër artistike, duhet t'i shprehë synimet autentike ndaj botës që drejtpërsëdrejti apo nëpërmjet të objekteve të tjera ushtron një ndikim në psikologjinë e njerëzve", thoshte piktori Muslim Mulliqi F rymëzimi si element kreativ është qenësor në krijimtari. Pa këtë element, krijuesi nuk mundet fare ta krijojë veprën artistike. Pra, frymëzimi është udhërrëfyesi kryesor dhe një bazament i qëndrueshëm i krijuesit. Ai ia hap udhën, ia sqaron idenë dhe ia përgatit esencën e ngjarjes krijuesit për krijimtari. Zaten, ky frymëzim ndodh që të "rrok" në çdo vend, në rrugë, në kafene, në tren, në autobus, në krevat… Andaj, në çdo vend mund të vijë frymëzimi. Dhe atë, duhet ta regjistrojmë menjëherë në memorie ose të bëhen skica të ndryshme dhe të llojllojta që ta kemi "element bazik" për krijimtari. S'do mend, frymëzimi është edhe elementi fillestar, por tejet i domosdoshëm në krijimtari. Ky element mund të vijë mu atëherë kur të rrok drithërima prekëse. Kur preket shpirti dhe ndiesohet mendja, që do ta ngacmonte shpirtëroren e krijuesit. Ndaj, ky është bazament i fortë dhe i qëndrueshëm për të hyrë në vorbullën e krijimtarisë artistike.

FRYMËZIMET E LLOJLLOJTA, QË SHFAQEN NË KRIJIMTARI

Duke kanalizuar më dendur shfaqjet e frymëzimit në krijimtari, do të shohim se te disa krijues frymëzimi mund të vijë si më i plotë, e te disa të tjerë, më i lehtë ose fragmentar. Frymëzimi te krijuesit që vjen më i plotë, atë krijim do ta quajmë, "krijim intuitë". Kjo intuitë, sigurisht do t'ia mundësojë krijuesit që më shpejt të arrijë te qëllimi i veprës artistike. "Studiuesit e procesit krijues përmendin, si gjedhe interesante dhe kuptimplote të krijimit improvizim, shumë raste nga veprimtaria e Moxartit, të cilit meloditë i vinin në mënyrë të papritur dhe me shpejtësi të mahnitshme. Duket se edhe kompozitori Brams shumë nga veprat e veta i ka krijuar sipas kësaj mënyre" [J. Mato]. Megjithatë, ka artistë të tjerë që frymëzimi u vjen jo i plotë [i mangët], e më vonë ai frymëzim duhet të plotësohet dhe të bëhet sqarimi më i saktë i imazhit të dëshiruar. Dhe, sigurisht, nga këta krijues kërkohet punë e vazhdueshme për ta bërë plotësimin, saktësimin dhe qartësimin e imazhit të kërkuar. Andaj, këtë përpjekje të krijuesit, mund ta quajmë, "krijim përpjekje". Pra, përpjekje e vazhdueshme për ta sqaruar imazhin e preferuar. Veçoritë e punës "krijim intuitë" dhe "krijim përpjekje", mjaft mirë i vë në spikamë esteti Sharl Lalo në librin e tij "Nocione të estetikës". Dallime mjaft të theksuara i vë edhe R. Rollan, i cili thoshte; Mocarti është gjeni i lindur, ndërsa Betoveni gjeni i formuar. Zaten, për këtë mënyrë të të shprehurit, kanë dhënë mendime të ndryshme edhe shumë estetë dhe krijues të mëdhenj, që janë marrë me krijimtari. E, njeri ndër ta është edhe kompozitori, Tish Daia, i cili shprehej; "Edhe tek ne kemi kompozitorë, që ulen në piano për të kërkuar frymëzimin [motivin] dhe nuk shkëputen nga instrumenti për orë e ditë të tëra, gjersa ta gjejnë atë. Kurse ka të tjerë, të cilëve në rast se frymëzimi nuk vjen menjëherë, e mbyllin pianon për t'u kthyer një herë tjetër. Këtyre të dytëve frymëzimi [gjetja e temës muzikore] shpesh u vjen edhe larg pianos. Në rrugë, në autobus, në krevat…Motivet e shumë veprave të mia të rëndësishme i kam krijuar larg pianos dhe pastaj me punë këmbëngulëse u kam dhënë formën përfundimtare në instrument". Në këtë kontekst edhe piktori S. Shijaku, për realizimin e veprave të tija rrëfehej; Nëse e realizoj shpejt një tablo, ajo kuptohet, e kam mbajtur gjatë në mendje; e kur është e shkurtër koha e parapërgatitjes; atëherë zgjatet koha e realizimit, duke e përpunuar imazhin e dëshiruar.

FRYMËZIMI MOMENTAL DHE DOMETHËNIA E TIJ

Mendoj se mënyra e qasjes dhe do të thosha, mënyra e shfaqjes së frymëzimit për krijimin e imazhit të ri; është një dukuri që ndryshon gati te çdo krijues. Kjo, sigurisht, varet nga përjetimi dhe, besa, edhe nga qasja se si të realizohet ajo. Gjithsesi, te disa krijues, pra, imazhi, përjetimi dhe frymëzimi momental është me shumë, interes. Pra, kuptohet, është shumë e rëndësishme ajo plotësia e imazhit që shfaqet në momentin e pikrishëm. Për këtë moment dhe për frymëzimin momental; piktori ynë i mirënjohur M. Mulliqi thoshte; "Piktura ime është një pikturë e inspirimit momental të ngjallur nga kujtimet fëmijërore dhe kërkesat e mia intuitave mbi jetën e njerëzve të mi. Secila pikturë, vizatim apo skulpturë, ose çfarëdo vepre tjetër artistike, duhet t'i shprehë synimet autentike ndaj botës që drejt për së drejti apo nëpërmjet të objekteve tjera ushtron një ndikim në psikologjinë e njerëzve". Andaj, mendoj dhe përherë e kam parasysh, se frymëzimi dhe qasja e këtij frymëzimi për ta realizuar imazhin e ri, e kanë bërë të dalluar çdo krijues për realizimin e imazhit në krijimtarinë artistike. Sigurisht këtë frymëzim, mjaft mirë, në krijimtarinë artistike, e kanë shfrytëzuar dhe e kanë realizuar piktorët tanë të mirënjohur, siç ishin; Muslim Mulliqi, Gjelosh Gjokaj, Tahir Emra, Xhevdet Xhafa, Fatmir Krypa, Engjll Berisha, e ndonjë tjetër. Pa dyshim, këtë frymëzim, krijuesi, gjatë kreativitetit do ta bëjë sa më të qartë. E, nëse, ky frymëzim, në shpirtëroren e tij, nuk është i qartë; ai frymëzim do të shprehet; i zbehtë, i thatë, anemik dhe në brendinë e vet nuk do ta ketë atë përjetimin e lartë drithërues, ndiesor, shpirtëror dhe përmbajtësor. Andaj, frymëzimi në kreativitetin e mirëfilltë të artistit dhe të çdo krijuesi, është një element qenësor, për ta krijuar një vepër të denjë artistike. Dhe, sigurisht, ai ia hapë udhën, ia sqaron idenë dhe ia përgatitë esencën e ngjarjes për krijimin e veprës artistike. S'do mend se atë duhet shfrytëzuar në çdo moment dhe në çdo kohë, kur të rrok drithërima prekëse. Pra, kur preket mendja dhe shpirti i trazuar. Atëherë pra, vardiset krijuesi për ta thënë atë frymëzim sensitive, ndiesor dhe përmbajtësor.

(Kosova Sot)